Ekonomia

Auditimi i sektorit hidrokarbur, nis asistenca amerikane, tre shtyllat ku po fokusohet

Ka nisur zbatimin projekti i asistencës për sektorin hidrokarbur nga pala amerikane për autoritetet shqiptare.

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka zhvilluar këto ditë takime teknike me përfaqësuesit e Zyrës së Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me ekspertë të kompanisë audituese të përfshirë në projekt.

Fokusi i këtyre takimeve disaditore, sipas AKBN, është vendosur në tre aspekte ku së pari organizimi i raundeve të licencimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit, së dyti mbikëqyrje teknike në sektorin hidrokarbur dhe së treti trajnimet teknike.

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës njoftoi se programi që ka nisur do të ketë në bazë edhe përgatitjen dhe ndjekjen e praktikave ndërkombëtare të tenderimit me qëllim që AKBN të zhvillojë një praktikë tenderuese transparente dhe konkurruese në sektorin e naftës dhe gazit, për tërheqjen e investitorëve në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat ndërkombëtare. Kjo vjen në një kohë kur janë një seri blloqesh në det dhe në tokë që do të nxirren për interes kërkim-zbulimi për investitorët e interesuar.

Programi që do të asistohet nga kompania audituese e përzgjedhur do të synojë edhe forcimin e kapaciteteve njerëzore në kuadër edhe të monitorimit të programeve të kërkimit, asetet prodhuese dhe krijimin e një procesi, i cili do të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e duhur të aseteve hidrokarbure.

Po kështu organizimi i trajnimeve për specialistët e AKBN-së, do të ketë si qëllim prezantimin dhe njohjen me praktikat ndërkombëtare në metodologjinë e vlerësimit të rezervave të naftës dhe gazit, analizimin e të dhënave gjeologjike dhe gjeofizike dhe modelimin e tyre me tematikë, “Pasigurinë e Riskut dhe Vlerësimin e Rezervave dhe Burimeve”.

Kapacitetet njerëzore janë një nga ngërçet që po has së fundmi Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës duke qenë se brezi i vjetër i specialisteve janë afër moshës së daljes në pension duke ushtruar kështu presion për punonjës të rinj që duhet të kenë njohuritë e duhura mbi fushën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button