Politika

Paloka sqaron vendimin: Rrëzojmë Ramën, më pas qeveri kalimtare

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka sqaruar dy vendimet e rëndësishme të Këshillit Kombëtar të kësaj force. Paloka tha se strukturat do të organizojnë protestat për rrëzimin e qeverisë “Rama” dhe më pas do të ketë një qeveri kalimtare për organizimin e zgjedhjeve të ndershme.

“Pas asaj që ndodhi në parlament seancën e fundit, sot Këshillit Kombëtar iu kërkua të vendosë lidhur me qëndrimin politik që do të mbajë PD dhe këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së që të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm, rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës. Gjithashtu Këshilli mori vendim politik që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë “Rama”, një qeveri tranzitore, kalimtare të merret me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo do të jetë rruga që do të ndjekë PD dhe jam i bindur që do të mbështet nga gjithë opozita shqiptare e bashkuar në një front të vetëm”, deklaroi Paloka.

I pyetur nëse PD do të jetë e pranishme në seancën parlamentare të së hënës, Paloka tha se do merret më vonë vendimi.
“Vendimi për në seancë do të merret më vonë. Çdo qëndrim tjetër do të jetë në funksion të një zgjidhje që është rrëzimi i Edi Ramës”, u shpreh ai.

Lidhur me pakënaqësitë e mundshme brenda PD për drejtuesit e rinj, Paloka theksoi se votimet ishin të gjitha unanime. “Zoti Basha propozoi kandidaturat për çdo funksion, i kërkoi këshillit dhe dje që nëse ka kandidatura të tjera alternative të paraqiten, nuk kishte”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button