Opinion

Është koha që ta lëmë Britaninë të shkojë


AUTORI:PETER MÜLLER

Pas procesit të votimit të marrëveshjes në parlament, është e qartë se britanikët nuk janë afër qartësimit të marrëdhënieve të ardhshme me Evropën dhe nuk po e dinë se çfarë po duan. Ndoshta është më së miri t’i lëmë ta gjejnë përgjigjen vetë, jashtë Bashkimit Evropian.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Jucker, ka thënë disa herë se nuk dëshiron t’ia kushtojë më shumë se pesë minuta në ditë daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Porosia ishte e qartë: Edhe nëse britanikët po largoheshin, kjo do të ishte punë e zakonshme për Bashkimin Evropian. Siç u bë tashmë e qartë, ky plan nuk u tregua i suksesshëm. Në të vërtetë, çështja e kufizimit të dëmeve të shkaktuara nga tërheqja e Britanisë së Madhe nga BE-ja po mbizotëron në agjendën e Brukselit më shumë se secili projekt tjetër evropian. Kësaj teme nuk po i shihet fundi.

Humbja dramatike e Mayt gjatë kësaj jave në Dhomën e Ulët gjatë votimit të marrëveshjes për tërheqje e bëri të qartë se qeveria britanike nuk do të jetë e aftë për ta arritur asnjë konsensus për të ardhmen e parashikueshme rreth asaj se si vendi synon ta braktisë BE-në. Njoftimi i kryeministres britanike se do të kërkojë marrëveshje me opozitën është pothuajse fyes. Ajo nuk e ka shfaqur ndjenjën e fajit për mbledhjet e vazhdueshme me kolegët e saj nga 27 vendet anëtare për t’i shqyrtuar problemet e BREXIT-it, por ka dështuar që t’ua sqarojë gjatë dy vjetëve partive tjera në Londër se si e sheh Britania e Madhe të ardhmen e saj në Evropë.

Bashkimi Evropian duhet t’i lërë britanikët të shkojnë në mënyrë që ta gjejnë përgjigjen e kësaj pyetjeje në qetësi, jashtë Bashkimit Evropian. Në vend të vrapimit pas britanikëve me shpresën se do ta japin bekimin për një marrëveshje, evropianët duhet ta lejojnë ndarjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja pa marrëveshje dhe t’i përqendrojnë energjitë e tyre për t’u përgatitur për pasojat.

Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë të mbahet peng

“Der Spiegel” i është bashkuar shumë të tjerëve në të kaluarën në qëndrimin se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja është gabim dhe se Evropa është më e fuqishme me Britaninë e Madhe si anëtare të saj. Në kohërat më të mira, Britania e ka bërë Evropën vend më të mirë, më kozmopolit, vend më të përshtatshëm për tregti dhe shpesh edhe më të bukur. Sidoqoftë, tash BE-ja ndodhet përballë rrezikut për lejimin e pafuqisë politike në Britani që të shkaktojë dëme afatgjata në themelet tashmë të dobësuara të komunitetit. Kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve të veta, siç është imigrimi, reforma e valutës apo presidenti amerikan që shfaqë gjithnjë e më shumë armiqësi ndaj bllokut, Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë të mbahet peng i konservatorëve të Britanisë.

Drama e BREXIT-it ua merr energjinë debateve politike në Evropë dhe procesi i trajtimit të anëtarësisë britanike në BE e ka lodhur bllokun që tashmë ka shumë gjëra për të bërë. Këtu mund të ceket gjetja e zgjidhjeve për parandalim të rritjes së populizmit djathtist nga Marine Le Pen e Francës dhe Matteo Salvini i Italisë, parandalimi i një krize të re të euros ose kolapsi i bankave italiane, kriza të cilat do të shkaktonin pasoja shumë më të mëdha sesa dalja e Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga BE-ja.

Kjo nuk do të thotë që britanikëve të mos iu dhurohen edhe disa javë shtesë. Vërtet, një kohë shtesë pas 29 marsit mund të jetë e paramendueshme, ndoshta deri në kohën kur të mblidhet Parlamenti Evropian në korrik. Ka pak gjasa, por nëse Kryeministrja May dhe Partia Laburiste e Jeremy Corbynit arrijnë marrëveshje për dalje “të butë” nga BE-ja dhe për dogana të përbashkëta me BE-në ose ndoshta për mbetje në një treg të vetëm si Norvegjia, atëherë për të gjithë evropianët do të kishte vetëm gjëra të mira.

Po nëse nuk bëhet kjo? Nuk do të kishte arsye për panik as në këtë rast. Sigurisht, pasojat e daljes pa marrëveshje do të ishin të hidhura, por vështirë se do të ishte ndonjë katastrofë, të paktën jo për BE-në. Shumë kompani tashmë kanë hartuar plane emergjente, kanë mbushur depot me rezerva dhe kanë përgatitur zgjidhje alternative për të formuar zingjirët e furnizimit.

Largimi i Britanisë së Madhe ia krijon BE-së domosdoshmërinë për të ecur përpara në çështjet si politikat e sigurisë, pasi më nuk do të ketë mundësi t’i përdor britanikët ngurrues si justifikim. Angela Merkel dhe Emmanuel Macron pritet që të martën e ardhshme ta nënshkruajnë një traktat në Aachen që e obligon Berlinin dhe Parisin të bashkëpunojnë në mënyrë më të ngushtë në një projekt që mund të shihet si kundër-model i BREXIT-it. Kjo është rruga e duhur. BE-ja duhet ta dëshmojë se ajo është pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit në botën e globalizuar. Ky është premtimi më i rëndësishëm për BREXIT-in që BE-ja mund t’ua japë qytetarëve të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button