Ekonomia

Punë në Gjermani? Flet ekspertja çfarë duhet të dini

Punë në Gjermani? Me ligjin për fuqinë punëtore kjo do të jetë mundur, sikur të mos ishin disa pengesa. Ekspertja Carola Burkert mbi problemet e ligjit, vonesat në ambasada e punëdhënësin që mund ta lehtësojë situatën.

Deutsche Welle: Ligji i ri për fuqinë punëtore që miratoi kabineti gjerman e që hyn në fuqi më 1. janar 2020 për shumë vetë nga Shqipëria e Kosova është si premtim për një jetë më të mirë, punë në Gjermani, e ardhme më e mirë…a mendoni edhe ju kështu?

Dr. Carola Burkert: Ligji i ri për fuqinë punëtore ka njëherë si qëllim përmbushjen e nevojave për fuqi punëtore të ekonomisë gjermane dhe sigurimin e kontrollimin e fuqisë punëtore nga vendet e treta. Ky është sigurisht një sinjal për fuqinë punëtore nga vendet e treta, se tani fokusi është tek punëtorët e kualifikuar, e nëse e ke këtë kualifikim, atëherë vërtet mund të jetë premtuese, një ëndërr që realizohet.

Deri në këtë pikë rruga nuk është e lehtë, ku i shihni lehtësimet për ardhjen e fuqisë punëtore?

Risitë mund të përmblidhen në tre pika – së pari ai barazon personat me shkollim profesional me ata me universitet, më parë ardhja e fuqisë punëtore lidhej vetëm me ata që kishin kryer studime universitare. Së dyti lehtësim do të sjellë vërtet heqja e verifikimit të prioritetit (nuk verifikohet më, nëse për një vend pune ka një kandidat gjerman apo nga BE shën. red.) E reja tjetër është, e kjo mund të konsiderohet si vështirësim, se kërkohet e çertifikuar njohja e gjuhës gjermane si kriter për punën apo për ekuivalentimin e diplomave profesionale të huaja. Pra, dy lehtësime dhe një vështirësim.

Shumë vetë shpresonin për një zbatim të shpejtë të ligjit, ai do të hyjë në fuqi në janar 2020. Pse kjo vonesë?

Kjo vonesë ka arsyet e saj, zbatimi i ligjit kërkon një adoptim të madh të rregulloreve e neneve që lidhen me të; E dyta, – e këtu mund të bëjmë edhe një lidhje me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor-, duhet që të përgatitet administrata. Ka një ide për krijimin e disa autoriteteve qendrore për të huajt, ku do të përqëndrohen procedura të ndryshme. Ardhja e një numri të ri të punëtorëve të kualifikuar do ta vendosë administratën para sfidave të mëdha, sepse do të ketë një shtim të ri të kërkesave për vizë.

E keni fjalën për ambasadat në rajon…

Të dyja…njëherë priten të krijohen në Gjermani disa qendra për të huajt në lande të ndryshme, ku do të centralizohen detyrat, tjetra dihet që do të shtohen kërkesat për viza në ambasada, e gjitha kjo duhet të përgatitet më parë. Ajo që më krijon shqetësim është, se që tani ka probleme për të marrë një orar në ambasadë, ka pritje shumë të gjata, sistemet online funksionojnë vetëm pjesërisht. Situata do të vështirësohet edhe më, sepse vërtet që parashikohet shtimi i personelit e zgjerimi i kapaciteteve në ambasada, por në ligj kjo nuk është përmendur në mënyrë empirike. Aty thuhet vetëm se kjo do të çojë në një rritje të ndjeshme të kërkesave për vizë e shtimin e punës së ambasadave gjermane jashtë.

Po si do ta përballojnë ato këtë fluks të ri, kur që tani ka probleme…

Duhet që të zgjerohen kapacitetet për trajtimin e kërkesave për viza pune, nga ana tjetër duhet që të futen metoda për lehtësimin e procedurave, si përmes digjitalizimit, po ky është vetëm identifikimi i problemit teorikisht.

E praktikisht?

Pikërisht këtu qëndron problemi. Në ligjin për fuqinë punëtore nuk ka deri më tani asnjë përcaktim konkret shifrash, se sa punonjës shtesë duhen për secilën ambasadë, e deri kur duhet të realizohet kjo. Nuk ka asnjë të dhënë për fat të keq. Ka vetëm një vetëdijësim se kapacitetet duhet të shtohen. Por në tekstin e ligjit, thuhet se për shkak të mungesës së prognozave nuk mund të konkretizohet se deri ku shkon shtimi i punës. Kjo do të thotë, se as nuk dihet se çfarë përmasash sasiore e kohore ka e gjitha kjo. Kam frikë se sërish do të kemi probleme si me “Rregulloren e Ballkanit Perëndimor”, do të duhet të kalohet sërish në ngushticën e administratës, sektorit të vizave etj.

A mund të ketë lehtësime, nëse vizat për punë shihen si prioritare…

Ligji parashikon një procedurë të përshpejtuar, në orare dhe procedim, nëse një punëdhënës paguan një shumë të caktuar dhe arsyeton, se pse duhet një procedim i shpejtë, nëse ndodh kjo, atëherë kjo procedurë e përshpejtuar aktivizohet me afate të caktuara. Për këtë do të vihen në dispozicion persona kontakti  në zyrat e të huajve, mendoj se persona të veçantë kontakti do të ketë pastaj edhe në sektorët e vizave.

Si do të veprohet konkretisht me procedurën e përshpejtuar?

Sipërmarrja duhet të argumentojë, se ka një nevojë urgjente që të zihet vendi i punës në fjalë, prandaj personi adekuat që do të vijë nga jashtë do të kalojë nëpër një procedurë të shpejtë për kërkesën e marrjen e vizës. Do ta quaja si një sportel urgjence…ku punëdhënësi lidhet shpejt me zyrën e të huajve dhe zyra e të huajve me sektorin e vizës.

Ligji parashikon edhe ardhjen me vizë për 6 muaj me shpenzime personale për të kërkuar punë në Gjermani. Nëse e gjen këtë punë, do duhet të kthehesh në vend për të marrë vizën, apo e merr atë në zyrën e të huajve në Gjermani?

Nuk ka një përgjigje të qartë për këtë dhe praktikisht nuk e kam të verifikuar. Por unë e shoh si problematike ardhjen për 6 muaj për të kërkuar punë. Kujdes! Kjo është e lidhur me disa kushte- si njohja apo ekuivalenca e diplomës profesionale, duhen njohuritë e gjuhës gjermane, të paktën niveli B1, duhet të vërtetosh se këto 6 muaj e siguron vetë jetesën. E duhet thënë, se ky gjashtëmujor si afat ka ekzistuar më parë për ata me shkollim universitar dhe realisht është përdorur shumë pak. Kjo sepse këto kushte nuk janë të lehta për t’u plotësuar.

Pra edhe një vonesë tjetër…

Problemin e shoh tek ekuivalenca e diplomës profesionale. Kemi kohë të gjata pritjeje në sektorin e vizave, por të mos harrojme se problemi tjetër është edhe koha e gjatë që duhet për njohjen e diplomës a çertifikatës profesionale. Pra kemi dy paralele, (viza dhe njohja e diplomës, shën red.) që për mendimin tim janë të pasqaruara si duhet, tjetra se si duhet të zbutet mbingarkesa e punonjësve që merren me këto çështje. Një ligj shkruhet shpejt, por ajo që nevojitet është një zgjerim cilësor, i shpejtë e eficient i administratës. si brenda dhe jashtë Gjermanisë. Nevojitet infrastruktura që suksesi i këtij ligji të bëhet i prekshëm./DW

*Dr. Carola Burkert është eksperte për migracionin në Institutin për Studimin e Tregut të Punës dhe Profesionit, një ent studimor i Agjencisë Federale Gjermane të Punës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button