Home / Rajoni / Maqedonia / Bregu në Shkup takon zyrtarët e lartë maqedonas Zaev, Xhaferi, Osmani dhe Dimitrov

Bregu në Shkup takon zyrtarët e lartë maqedonas Zaev, Xhaferi, Osmani dhe Dimitrov

Sekretarja e përgjithshme e sapoemëruar e Këshillit rajonal për bashkëpunim (KRB) Majlinda Bregu ka qëndruar për vizitë punë në Maqedoni ku është takuar me zyrtarët më të lartë maqedonas. Fillimisht Bregu gjatë vizitës në Shkup është takuar me zëvendëskryeministrin për Çështje evropiane Bujar Osmani. Para fillimit të takimit Bregu dhe Osmani kanë dhënë një konferencë shtypi.

Më pas Bregu është takuar me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi e ministrin e Jashtëm Dimitrov.

Gjatë takimit të saj me zyrtarë maqedonas, Bregu dha mesazhin e saj të qartë, ndërsa tha se Shkupi është mbështetja e Këshillit për nismat dhe bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimeve u diskutuan temat lidhur me bashkëpunimin rajonal, në veçanti në kontekst të planit shumëvjeçar në fushën e përbashkët ekonomike rajonale të Ballkanit Perëndimor, si platformë e rëndësishme për integrim më të madh ekonomik dhe shoqëror të vendeve të rajonit.

“Vizita e sotme e zonjës Bregu përfshin finalizimin e njërës ndër çështjeve më të mëdha bilaterale të Ballkanit – implementimi përfundimtar i Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni dhe Greqi. Ky sukses është gjithsesi në drejtim të avancimit të bashkëpunimit rajonal, në veçanti si shtytje për qasje pozitive, e hapur për kompromis për zgjedhjen e çështjeve tjera bilaterale në rajon” – theksuan zyrtarët e lartë maqedonas. Në këtë kontekst ata nënvizuan se me implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe më herët, përmes Marrëveshjes historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Maqedonia aktualisht i ka mbyllur gjitha çështjet e rëndësishme të hapura me fqinjët dhe është prijëse e bashkëpunimit rajonal në Ballkan.

Majlinda Bregu në fillim të vitit e ndërmori detyrën e sekretares së përgjithshme të Këshillit rajonal për bashkëpunim, trup ekzekutiv i Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, themelues i së cilës dhe anëtar me të drejtë të plotë është edhe Republika e Maqedonisë. Ajo në këtë funksion erdhi në muajin prill të vitit të kaluar, kur  ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit, e votuan atë në Samitin në Slloveni.

Majlinda Bregu është politikane me përvojë nga Shqipëria, ish ministre e Integrimit Europian, e cila fuqishëm e mbështet Bashkimin Evropian. Bregu funksionin e ndërmori nga Goran Svilanoviq, i cili ishte në  krye të Këshillit rajonal për bashkëpunim nga viti 2013 deri në vitin 2018, në dy mandate.

Leave a Reply

%d bloggers like this: