Home / Politika / “Thumbon” Bushati: S’ka garanci se ajo çfarë kemi para do të jetë më e mirë se ajo çfarë po lëmë pas

“Thumbon” Bushati: S’ka garanci se ajo çfarë kemi para do të jetë më e mirë se ajo çfarë po lëmë pas

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka “thumbuar” kryeministrin Edi Rama për vendimin e tij për ta zëvendësuar me Genti Cakajn.

Bushati, në fjalën e tij të lamtumirës tha se nuk ka garanci se ajo që çfarë përpara është më e mirë se ajo që ka lënë pas.

“Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes”, deklaroi ish-ministri.

FJALA E BUSHATIT
Zonja dhe zotërinj,
Sot teksa ngjita shkallët, për herë të fundit si Ministër i Jashtëm, ndjeva realisht që nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme të këtij institucioni. Por, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së tij.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është një ndër ato pak institucione që mbart peshën simbolike të përfaqësimit të shtetit. Ndoshta edhe për këtë arsye, është institucioni që i ka mbijetuar më shumë se tjerët dallgëve të tranzicionit e mbrapshtive të politikës.
Duke e konsideruar si nder dhe përgjegjësi të përditshme peshën specifike të pozicionit të Ministrit të Jashtëm, jam përpjekur që në ditën e parë të detyrës të mbështetem në tre vlera: integritet, besim dhe respekt.
Integriteti nuk nënkupton vetëm ndershmëri intelektuale apo virtyte personale, por edhe gjithëpërfshirje. Këtë jam përpjekur ta tregoj nëpërmjet përfshirjes në vendimmarrje të shumë prej kolegëve të shërbimit të jashtëm në përputhje me fushën dhe përvojën e secilit, nevojat e institucionit dhe prioritetet e punës sonë.
Në punën time jam orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe prioritetet strategjike të politikës tonë të jashtme. Themelet mbi të cilat mbështetet kjo politikë e kanë gjenezën që në themelimin e shtetit modern shqiptar, por ato u ridimensionuan pas rënies së diktaturës komuniste, duke kristalizuar qartësisht përkatësinë tonë europiane dhe perëndimore.
Për mua, integriteti është i lidhur edhe me njohjen e vijimin e punëve të mira të atyre paraardhësve patriotë, të cilët kanë vendosur një gurë në murin e shtetndërtimit tonë.
Besimi është filli lidhës i përditshmërisë së punës të diplomatit. Kjo, sepse më shumë se çdo nëpunës tjetër, diplomati përballet me tjetrin, me të ndryshmen, me të huajën, me të renë, e për më tepër në një botë që nuk operon më sipas rregullave që njohim. Në këtë kontekst, besimi nënkupton dhe guxim për t’u hapur e për të mësuar nga njeri-tjetri.
Këtë besim jam munduar ta tregoj nëpërmjet hapjes së Ministrisë jo vetëm ndaj qasjeve dhe ideve të reja të përçuara nga studiuesit e politikes së jashtme, por edhe ndaj brezit të ri të diplomatëve.

Shpresoj që çdo i ri që ka hyrë në shërbim gjatë këtyre viteve, aty ku shërben dhe përfaqëson Shqipërinë, ta bëjë këtë me dashuri jo vetëm për vendin por për njerëzit e këtij vendi.
Respekti për mua do të thotë të dëgjosh. Gjatë punës sime në këtë institucion jam përpjekur të krijoj rrethanat e duhura e ambientin e nevojshëm ku kolegët flasin me njëri-tjetrin, e ku të gjitha nivelet kontribuojnë e përfshihen në vendimmarrje. Kam qenë gjithnjë i gatshëm për t’ju dëgjuar pa paragjykime, sepse kam besuar dhe besoj se askush nuk ka monopol mbi të vërtetën. E për rrjedhojë as mbi politikën e jashtme.
I udhëhequr nga këto vlera, jam përpjekur që trupa jonë diplomatike të përtërihet dhe të përditësohet sepse vetëm kështu mund të japë kontributin e saj të pazëvendësueshëm për shoqërinë dhe atdheun tonë.

Unë besoj se sot Shqipëria është një partner dhe aktor gjithnjë e më i besueshëm në arenën ndërkombëtare, me një fizionomi të qartë e të pangatërrueshme të saj në mozaikun e familjes tonë euro-atlantike.
Falë punës tonë të përbashkët, kemi arritur të projektojmë një Shqipëri më dinjitoze dhe proaktive, e cila sfidat i sheh si mundësi dhe jo si probleme.
Me këtë qasje, ne:
• Konsoliduam partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në.
• Hodhëm hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, me fitimin e statusit të vendit kandidat, marrjen e rekomandimit të qartë të Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe vendimmarrjen e BE-së për fillimin e procesit “screening” dhe kalendarin e bisedimeve.
• Forcuam më tej rolin tonë në NATO, si një kontribut të përbashkët për familjen euro-atlantike të cilës i përkasim. Anëtarësimi i Shqipërisë për herë të parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ishte dëshmi e ndjeshmërisë sonë sociale ndaj respektimit dhe promovimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sikundër kontribut për multilateralizimin. Për herë të parë një përfaqësues shqiptar u zgjodh në Komitetin Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të OKB-së.
• Fuqizuam peshën tonë rajonale nëpërmjet një politike pro-aktive dhe pjesëmarrjes në nismat bilaterale, trilaterale dhe kuatrilaterale bazuar në devizën tonë: të hapur në Mesdhe e të kyçur në Ballkan. Siguruam dy selitë e para rajonale në Tiranë: atë të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal. Sikur se mundësuam kryesimin nga një përfaqësues shqiptar të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

• Projektuam një Shqipëri me më shumë peshë në rajon duke konsoliduar marrëdhëniet me shqiptarët, duke e kthyer këtë Ministri në shtëpi të të gjithë shqiptarëve.
• Përmirësuam imazhin dhe peshën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare duke marrë për herë të parë drejtimin e një organizate të rëndësishme si OSBE për vitin 2020.
• Modernizuam shërbimet konsullore si asnjëherë më parë, duke ulur ndjeshëm abuzimin, koston, kohën dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë kudo ku ndodhen, duke fuqizuar njëkohësisht lidhjen tonë me Diasporën e duke i konsideruar ata shtrirje të natyrshme të politikës sonë të jashtme.
• Hapëm ministrinë për një brez të ri diplomatësh. Me qindra studentë praktikantë, ndihmojnë sot trupën tonë diplomatike.
• Rritëm ndërveprimin me botën jashtë këtyre mureve duke përdorur rrjetet sociale, e duke e kthyer shërbimin e jashtëm në një prej platformave më të ndjekura digjitale.
• Forcuam meritokracinë duke përmirësuar rrënjësisht sistemin e rekrutimit dhe karrierës në shërbimin e jashtëm mbi bazën e aftësive, si dhe përmirësimin e trajtimit financiar për diplomatët dhe familjet e tyre.
• Përmirësuam kushtet e punës dhe infrastrukturës në disa ambasada dhe konsullata, duke i shndërruar ato në seli të denja për përfaqësimin e shtetit shqiptar. Në shërbim të kujtesës institucionale të Ministrisë dhe shtetit shqiptar rindërtuam arkivën dhe filluam digjitalizimin e saj për ta bërë të aksesueshme për publikun.
Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç ‘ishte 5 vjet e gjysëm më parë. Po lë pas një ekip ambicioz që me dinjitet punon për Shqipërinë, bashkëpunon për një rajon më të begatë dhe kontribuon për një Europë më të sigurt.
Asnjë nga këto arritje nuk do të ishte e mundur pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar.
Partnerët ndërkombëtarë me të cilët kam punuar dhe ndarë sfidat e kohës kanë qenë një ndihmesë e madhe në përmbushjen e objektivave. Dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, duke filluar nga:
Zëvendësministrat me të cilët kam patur kënaqësinë të punoj që nga Shtatori i 2013 e deri më sot. Sekretarët e Përgjithshëm; Drejtorët e Përgjithshëm, Drejtorët dhe të gjithë ekipin e MEPJ.
Të gjithë drejtuesit e misioneve diplomatike, konsullore dhe ekipet e tyre.
Punonjësit e palodhur të Gardës së Republikës që mbrojnë institucionin dhe personelin mbështetës që kujdesen për ambientin tonë të përbashkët.
Orët e mija të gjata të punës janë ndarë me ekipin e ngushtë dhe të përkushtuar të kabinetit tim, i cili për mua, me vullnetin, devotshmërinë, patriotizmin e përgatitjen e tij përfaqëson vlerat më të mira të rinisë profesioniste shqiptare. Jam i sigurt që secili prej tyre do të jetë një aset kudo ku do të kontribuojë në shoqëri.

Për një falenderim të fundit do të më ndihmonte një rrëfim personal i ish-kolegut tim të çmuar dhe Presidentit aktual të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, sipas të cilit Ministri i Jashtëm është i munguari i madh: i mungon ekipit të Ministrisë në përditshmërinë e tij; i mungon përditshmërisë politike; dhe i mungon familjes së tij. Është pikërisht familja, e cila ka vuajtur më shumë e ka falur më lehtë çdo mungesë timen, duke mbështetur rrugëtimin tim. Dëshiroj t’i falenderoj për përkushtimin e tyre gjatë mungesave të mija e t’u kërkoj një falje për fundjavat e humbura në Blackberry dhe Iphone.
Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes.
Faleminderit! Ju priftë e mbara!

Leave a Reply

%d bloggers like this: