Ekonomia

Ulet tarifa për avionët që nisen nga Rinasi, kompanitë do paguajnë 7 % më pak

Çdo avion që do të niset nga aeroporti i Rinasit do të paguaje 227.82 euro si tarifë ndaj shtetit shqiptar. Eurocontrol që është edhe Organizata Europiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror ka publikuar tarifën në fuqi nga data 1 janar 2019 e cila arkëtohet nga po kjo organizatë për llogari të Albcontrol. Tarifa në raport me një vit më parë është ulur me rreth 7 për qind kur për çdo avion që nisej nga Rinasi paguhej 244.62 euro.

Ato që kanë ndryshuar janë edhe interesat për vonesat në pagesa të kësaj tarife ku një vit më parë aplikohej një interes 9.74 për qind në vit kurse për 2019 interesi është 9.68 për qind.

Ulja e asaj që njihet si tarifë terminali nuk lidhet me ndonjë politikë lehtësuese të ndërmarrë nga ana e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës që funksionon në bazë të një kontrate koncesionare. Kjo tarifë është e ndarë nga llogaritë e TIA dhe mblidhet nga Eurocontrol dhe më pas shpërndahet tek vendet përfituese sipas shumave përkatëse.

Përllogaritet bëhen nga ana e Albcontrol dhe shumat e arkëtuara janë vetëm në euro. Në rastet e fluturimeve që përjashtohen nga aplikimi i kësaj tarife është detyrë e Albcontrol që të bëjë specifikimet përkatëse rast pas rasti në përputhje me kuadrin ligjor.

Prej vitesh në vendin tonë ka një debat të gjerë lidhur me tarifat aeroportuale të cilat konsiderohen si arsyeja pse shqiptarët paguajnë ende tarifat më të shtrenjta në rajon lidhur me fluturimet. Një auditues i pavarur kreu së fundmi për llogari të shtetit shqiptar një auditim lidhur me treguesit ekonomikë të koncesionit duke e krahasuar atë me planin fillestar të biznesit i cili tregoi se koncesionari ka tejkaluar planin e tij optimist me të paktën 84 milionë euro nga fillimi i periudhës së koncesionit në vitin 2004 deri në vitin 2017.

Shteti shqiptar kërkoi auditimin si një mënyrë për ta detyruar kompaninë që të reflektojë mbi tarifat që aplikon. Aktualisht Aeroporti i Rinasit është i vetmi aktiv në vendin tonë. Aeroporti i Kukësit sapo është dhënë me koncesion tek një investitor privat, i cili do të investojë rreth 8 milionë euro por paraprakisht do të negociohen kushtet e kontratës kurse për Aeroportin e Vlorës nuk është bërë më asnjë koment së fundmi edhe pse vitin e kaluar ishte një nga projektet më të lakuar nga Kryeministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button