Home / Opinion / Ndjenja pranverore gjermano-franceze

Ndjenja pranverore gjermano-franceze


Christian F.Trippe

56 vjet më vonë, gjermanët dhe francezët përtërijnë partneritetin e tyre. “Marrëveshja e Ahenit” është më tepër se folklor politik. Sepse ajo mund të sjellë një fillim të ri evropian

Një atmosferë e sforcuar ndodhet gjithmonë në ajër, kur një çift i plakur ripërtërit premtimin e martesës. Kur kërkon të kapërcejë fazat e indiferencës dhe të krizave, për të rihedhur themelet me një akt simbolik të partneritetit. Edhe te shtetet puna nuk është ndryshe nga bashkëshortët. Shampanja që preferohet të ofrohet në raste të tilla të bie shpejt në kokë, por efekti i saj del shpejt.

Tani Gjermania dhe Franca trokasin në Ahen gotat për përtëritjen e partneritetit të tyre. Dhe kjo është më tepër se marrje me vetveten. Gjithmonë ka qenë pjesë e parimeve drejtuese të politikës së jashtme gjermane, që Republika Federale nuk duhet të ndodhet kurrë në një situatë, ku t’i duhej të zgjidhte midis SHBA dhe Francës. Ky parim bazë ka vlejtur që prej vitit 1949 për të gjitha koalicionet dhe kabinetet, dhe vazhdoi të vlejë edhe kur Gjermania u ribashkua në vitin 1990. Por tani peshorja duket se anon në mënyrë të qartë – në anën e Francës.

Rikalibrim i aleancave

Një vendim i kërkuar në mënyrë të ndërgjegjshme ky nuk ishte, të paktën përsa i përket anës së Berlinit. Por ja që në dy vjetët e fundit balancat janë zhvendosur në mënyrë dramatike. Vërtet që transatlantizmi ende nuk është katandisur në gërmadhë, por është i rrezikuar të pësojë kolaps – në sajë të Donald Trumpit. Sepse në atë masë që SHBA investojnë gjithnjë e më pak kapital politik për t’u kujdesur për aleancat e tyre, në atë masë rritet te partnerët e zhgënjyer distancimi, nis rikalibrimi i aleancave.

Marrëveshja e Elizesë, e cila përtërihet tani në Ahen, ishte në thelb një marrëveshje pajtimi midis dy vendeve, të cilat brenda 75 vjetësh zhvilluan tri luftëra shkatërrimtare kundër njëra-tjetrës. Në Marrëveshjen e Elizesë gjermanët shtuan atëherë me shpejtësi një preambul, në të cilën vlerësohet rëndësia e marrëdhënieve transatlantike.

Në Marrëveshjen e Ahenit nuk ka hapa të tillë që dalin nga korniza. Ajo përforcon e bindur atë që është arritur, por ajo përdor në mënyrë të pazakontë shumë paragrafë për veprimet e përbashkëta politike. Për projekte të bashkëpunimit ushtarak, për fusha të bashkëpunimit ndërkombëtar, për institucione si Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Pak i koduar duket formulimi në nenin 4 të Marrëveshjes së re. Në të gjermanët dhe francezët përforcojnë premtimin për mbështetje ushtarake të NATO-s – gjë që do të ishte krejt e panevojshme, po të ishte e vetëkuptueshme. Por që kur Presidenti aktual amerikan luan me idenë e daljes së vendit të tij nga aleanca ushtarake, që atëherë të gjitha siguritë politike ndodhen para provës.

Një çështje francezët e kanë merak

Gjermanët dhe francezët konstatojnë se “objektivat dhe strategjitë e tyre në politikën e mbrojtjes po afrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën”. Në Paris dhe në Berlin, në grupe të vogla ka kohë që vritet mendja, nëse dhe si mund ta sjellë Franca në miqësinë gjermano-franceze  potencialin e saj bërthamor. Gjermanët nuk e kanë të lehtë të zbresin në reflektime të tilla strategjike.

Për palën franceze, ajo që ndodh tani në Ahen, ka rëndësi të madhe. Asnjëherë më parë në historinë franceze nuk ka pasur një qeveri, që të ishte fiksuar në një mënyrë të tillë në partneritetin me Gjermaninë. Po të dështojë Presidenti Emmanuel Macron dhe me të projekti gjermano-francez, atëherë dështon Bashkimi Evropian. Pastaj, populisti i majtë Jean-Luc Melenchon dhe radikalja e djathtë Marine Le Pen do të kishin shanse të mira për presidencën franceze, dy persona që janë në mënyrë të vendosur antigjermanë dhe nacionalistë.

Kancelarja federale gjermane e cënuar politikisht i la shumë kohë vetes për t’i dhënë përgjigje iniciativës së Macronit për politikën evropiane – gjë që çoi në pakënaqësi në Paris. Me Marrëveshjen e Ahenit Angela Merkel jep tani një përgjigje. Po të mbushet me jetë kjo marrëveshje, gjermanët dhe francezët do të bënin një hap të madh në afrimin e politikës ndaj Evropës. Do të ishte si një pranverë e dytë politike. Pse të mos i ecë Berlinit dhe Parisit, ajo me të cilën ka sukses edhe ndonjë çift tjetër në moshë?

/DW/

Leave a Reply

%d bloggers like this: