Kronika

Shkarkohen 12 punonjësit e Hipotekës së Durrësit, Gjonaj: Zero tolerancë

Pas denoncimit të rastit nga një prej emisioneve investigative, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se janë shkarkuar menjëherë nga detyra 12 punonjësit e Hipotekës së Durrësit.

Përmes një konference për shtyp ministrja Gjonaj bëri të ditur nga ambientet e kryeministrisë se një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar lidhur me rastin dhe funksionin e të gjithë hipotekës së Durrësit.

“Janë shkarkuar nga detyra 12 punonjës ndër të cilët 2 përgjegjës sektori dhe 10 specialistë të zyrës së hipotekës së Durrësit si dhe 2 punonjës kanë marrë masat paralajmërim për shkarkim. Ndërkohë që një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar lidhur me rastin dhe funksionin e të gjithë hipotekës së Durrësit. Do të largohen të gjithë punonjësit që janë në shkelje dhe kanë abuzuar me detyrën si dhe po marrim të gjitha masat për zëvendësimin e atyre që shkarkohen sot me qëllim që të garantojmë qytetarëve ofrimin në shërbim dhe në kohë të shpejtë pas procedurave ligjore. Nëse do të jetë e nevojshme do të rindërtojmë nga e para me staf profesional të gjithë zyrën vendore të hipotekës së Durrësit”, -tha Gjonaj.

Më tej, ajo deklaroi se nuk do të ketë tolerancë për asnjë punonjës shteti që nuk zbaton ligjin, kudo në zyrat e hipotekës në të gjithë Shqipërinë. Sipas Gjonaj, nuk kanë qenë të pakta rastet kur nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat janë marrë edhe masat përkatëse.

“Vetëm për 2018 në të gjitha zyrat e Hipotekës janë marrë 273 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të Zyrave Qendrore apo Zyrave Vendore të ardhura si rezultat i platformës së bashkëqeverisjes, nga ankesat e qytetarëve, si rezultat i task-forcës anti-korrupsion si dhe inspektimeve të brendshme.  Si ministre e Drejtësisë dhe koordinatore kombëtare anti-korrupsion jam e vendosur të mos toleroj asnjë lloj sjellje që cënon rregullat e funksionimit të institucionit apo etikën e komunikimit me qytetarët. Nuk do të tolerojmë asnjë punonjës apo drejtues që sillet si pronar i zyrave të shtetit dhe nuk do të lejojmë askënd që sillet në zyrat e shtetit në mënyrë të papërgjegjshme, me sjellje arrogante duke sorollatur qytetarët nga një zyrë në zyrën tjetër apo duke mos ushtruar përgjegjësitë ligjore apo institucionale të çdo punonjësi të shtetet”, -sqaroi më tej ministrja.

Sipas saj, në fillim të muajit Janar, shërbimi i kontrollit i brendshëm të burgjeve ka referuar në prokurori, materialet për dy drejtues të IEVP Rrogozhinë, përkatësisht për drejtorin e burgut dhe shefin e policisë së këtij burgu.

“Gjykata e rrethit e rrethit Gjyqësor Kavajë pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga organi i akuzës si dhe aktet për këtë dosje, vendosi caktimin si masë pezullimin e ushtrimit të detyrës për të dy drejtuesit e paditur dhe sot që flasim të dy drejtuesit janë të pezulluar nga detyra”-tha ndër të tjera Gjonaj ndërsa foli edhe për raste të referuara në Prokurori nga Policia e Shtetit.

“Që nga data 2 janar 2019, Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori, materialet për 28 raste të veprave penale, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyrë dhe janë proceduar kështu, 55 autore”, -përfundoi ministrja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button