Bota

Erdogan pritet nga Putini: Zonë sigurie “turke” në veri të Sirisë, siç sugjeruan SHBA

Presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën në Kremlin, për të diskutuar mbi bisedimet për Sirinë. Turqit kishin njoftuar më herët se bisedimet do të fokusoheshin mbi të ashtuquajturën “zonë sigurie” nga Ankaraja zyrtare, në Sirinë veriore.

Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord për të koordinuar operacionet në terren, në Siri, pas njoftimit befasues të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë muajit të kaluar për tërheqjen e rreth 2.000 trupave amerikanë nga Siria.

Në nisje të takimit të tyre në Kremlin, Putin iu referua Erdoganit me fjalët “i dashur mik”, teksa tha se vendet e tyre “punojnë bashkërisht për çështje të sigurisë rajonale, e po ashtu bashkëveprojnë aktivisht në Siri”.

Erdogani përdori të njëjtën shprehje vlerësuese për Putinin, siç vërehet në komentet e përkthyera nga shtypi rus, e tha se “solidariteti ynë është një kontribut me peshë në sigurinë e rajonit”.

Retorika e ngrohtë erdhi pavarësisht faktit se dy udhëheqësit në fjalë mbështesin palë të kundërta në konfliktin e Sirisë. Rusia ofron mbështetje të qenësishme ndaj qeverisë siriane, ndërsa Turqia ka mbështetur grupet rebele që luftuan forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad.

E pavarësisht gjithçkaje, ata kanë punuar bashkërisht për të gjetur një zgjidhje politike ndaj konfliktit 7-vjeçar. Turqia mirëpriti tërheqjen e planifikuar të Uashingtonit nga Siria, por e ardhmja e milicive kurde të mbështetura nga SHBA, të konsideruar si terroristë nga Ankaraja, ka tensionuar disi marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s.

Erdogan tha të hënën se do të diskutonte me Putinin krijimin e “zonës së sigurisë” të kontrolluar nga Turqia në Sirinë veriore, siç kishte sugjeruar presidenti Trump. Kurdët, aleatët më të efektshëm të Amerikës në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kontrollojnë njëherazi pjesën më të madhe të veriut të Sirisë, e kanë refuzuar këtë ide, me frikën e një ofensive turke në territorin e kontrolluar prej tyre.

Moska, mbështetëse prej kohësh e Assadit, pritet ta kundërshtojë planin, me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrob, që tha javën e kaluar se Damasku duhet të marrë kontrollin e veriut të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button