Kronika

Shkodër, mbetet në burg ish-drejtori i ALUIZNI-t, për legalizimet e paligjshme

Protesta pranë Partisë Demokratike. Avokati: Janë intelektualë. Babai i Kastratit: Arrestimi, i padrejtë

Protesta ne shkoderGjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë dje në mesditë masën e “arrestit me burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Shkodër, Besnik Kastrati dhe ish-përgjegjësit të regjistrimeve pranë ALUIZNI-t, Rudi Beci. Gjatë kohës që zhvillohej masa e arrestit, të afërm të të arrestuarve dhe drejtuesit lokal të Partisë Demokratike të Shkodrës kanë protestuar para gjykatës, duke e cilësuar si të padrejtë arrestimin. Gjykata i vlerësoi si të drejta pretendimet e prokurorisë, për legalizimin e një pallati 12-katësh dhe të një objekti tjetër në fshatin Mjedë.

Protesta, avokati dhe babai

Forca të shumta të policisë kanë krijuar një kordon sigurie, duke mbajtur në distancë protestuesit nga ndërtesa e gjykatës. Ndërkaq, avokati mbrojtës i dy të arrestuarve është shprehur se arrestimi dhe vendimi i gjykatës nuk është i drejtë. “Ne kërkuam detyrim paraqitje, por gjykata vendosi masën e arrestit me burg. Ky është një vend që gjykata mund ta japë për persona të rrezikshëm, por dy personat e arrestuar janë intelektualë dhe njerëz të njohur në qytet. Pastaj dua të sqaroj se legalizimet që kanë kryer dy të arrestuarit kanë qenë konform ligjit dhe rregullave të shtetit shqiptar”, -tha avokati. Menjëherë pas masës së gjykatës ka reaguar babai i ish-drejtorit të ALUIZNI-t. Ai e cilëson të padrejtë arrestimin e të birit. “Nuk është i drejtë arrestimi i djalit tim. Ky është një shtet komunist”, -shprehet babai i Besnik Kastratit.

Hetimet për legalizimet

Ish-drejtori i ALUZNI-t në Shkodër, Besnik Kastrati dhe ish- përgjegjësi i zyrës së regjistrimeve, Rudi Beci, u arrestuan 3 ditë më parë, pas disa muajve hetime nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas policisë, dy të arrestuarit kanë legalizuar duke shpërdoruar detyrën një pallat 12-katësh në hyrje të qytetit të Shkodrës dhe një objekt tjetër në fshatin Mjedë. Besnik Kastrati dhe Rudi Beci, janë hetuar për disa muaj me radhë nga prokuroria. Denoncimi është bërë nga vetë drejtoria e përgjithshme e ALUIZNI-t. Kastrati ka mbajtur postin e drejtorit të degës së ALUIZNI-t në Shkodër vetëm për 5 muaj. Ai u largua nga detyra në muajin tetor të vitit të kaluar dhe u denoncua për shkeljet me procedurat. Vetë Kastrati i mohoi këto akuza, duke deklaruar se “nuk kishte kryer asnjë shkelje dhe pretendimet për shpërdorim detyre ngriheshin për të shkaktuar tymnajë dhe për të mbuluar dështimet e qeverisë së re”. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës ka rezultuar se dy zyrtarët kanë kryer legalizimin e disa objekteve gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2013, në kundërshtim me ligjin, ndërsa legalizimi është bërë për disa objekte të futura jashtë radhe. Prokuroria thotë se legalizimet janë bërë jashtë procedurave të rregullta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button