Opinion

Skënderbeu që i takon Konicës

AUREL PLASARI 

Nuk bënte të mbyllej viti 2018, i shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pa përkujtuar një kontribuues me veprën te themelet e Studimeve skënderbegiane shqiptare dhe që ndodh, padrejtësisht, t’i lihet heshtjes.

Qoftë në formatin e Ligjëratave Madhore (lat. lectiis magistralis), qoftë në atë të kumtesave të konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara në suazën e veprimtarive të 550-vjetorit, zotëruan ato të fushës së historisë, – çfarë ishte e pritshme nga vetë tema kornizë, -duke u dalluar mes tyre ato nga fushat e historisë politike, të historisë diplomatike, të historisë së Kishës, ndonjëra edhe në kufijtë e teorisë së historisë, të arkeologjisë, të burimologjisë. Nuk munguan, krahas tyre, kontribute nga fushat e marrëdhënieve ndërkombëtare, të kodikologjisë, të artit ushtarak, të letërsisë, të muzeologjisë, të muzikologjisë etj. Edhe një herë u dëshmua që Studimet skënderbegiane paraqiten tanimë të formatuara si fushë e gjerë studimore, jo vetëm shumëdisiplinore, por edhe ndërdisiplinore në kufijtë e mëvetësimit të skënderbegologjisë si degë më vete e albanologjisë.

Nëse do t’i drejtoheshim Logjikës së aplikuar për ta pyetur se si mëvetësohet një shkencë ose një disiplinë shkencore, ajo do të na përgjigjej: duke filluar nga shfaqja më vete e objektit të shkencës ose të disiplinës, që do të thotë kur kemi të bëjmë me një objekt dituror të cilin nuk e mbulon një shkencë ekzistuese ose një degë ekzistuese e një shkence – rasti i skënderbegologjisë – dhe atëherë ai objekt tërheq mbi vete mëvetësimin e një shkence ose të një disipline shkencore.

Themelimi i Studimeve skënderbegiane shqiptare, mund të rindërtohet qysh nga shekulli i kaluar pakashumë si vijon: duke filluar nga vitet ’20 me veprën e Fan S. Nolit Historija e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468 prej Peshkopit Theofan (Fan S. Noli) (1921), për të vijuar me punimin monografik pak të njohur nga Djevat Kortcha Tri pyetje nga jeta e Skënder Beut (1923), si dhe me veprën e At Marin Sirdanit Skanderbegu mbas gojdhanash (1926), e cila sot do t’i përkiste antropologjisë kulturore; në vitet ’30 me veprën e Athanas Gegajt L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle të botuar si punim doktorature nga Universiteti i Luvenit (1937), por edhe me punime të veçanta po të At Marin Sirdanit, si Kërkime mbi vorrin e Skanderbegut (1932), Nji rival i Skandebegut (1932), Për shka fajiset Skanderbegu (1935-1936), Ku u vorrue Skanderbegu (1937) etj.; në vitet ’40 me botimin në anglisht të punimit të doktoraturës së Nolit George Castrioti Scanderbeg (1947) dhe me konferencën e organizuar e të mbajtur në Tiranë nga Aleks Buda Figura e Gjergj Kastriotit në historinë e popullit shqiptar (1949), si e para konferencë shkencore kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Shqipërinë e mbas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëkëtë, kur të flitet për themelimin e Studimeve skënderbegiane shqiptare si degë më vete e albanologjisë, datimi do të duhet zhvendosur më herët dhe zhvendosja shpie te Faik Konica dhe revista e tij Albania.

Në revistën e vet diturore Konica jo vetëm u bëri vend njoftimeve albanologjike dhe punimeve të autorëve të huaj mbi Skënderbeun, por rezulton edhe i pari historian shqiptar-në vështrimin e historiografisë si shkencë-që iu përkushtua historisë së Skënderbeut qysh nga viti i parë i shek. XX: 1901. Tek Albania e tij ai botoi punimet e veta: Recherches sur les armes de Skanderbeg (1901/nr.3); Existe-il un portrait authentique de Skanderbeg? (1901/nr.4); La Topographie des campanges de Skanderbeg contre les Turcs (1901/nr.7); Les armes de Scanderbeg au Musée Imperial de Vienne (1901/nr.8); Fiamuri kombëtar i Shqipëtarëvet (1901/nr.9); Un Patriarche Albanais au XVe sièle/Një Patrik Shqipëtar në shekull të 15-të (1904/nr.4); Shqipëria a ka një flamur authentik? Përgjigje një të share të Xhon-Turqve (1909/nr.1). Ndonëse pa autorësi të tijën, me vlerë të veçantë botimi prej tij i punimit monografik me vijime Marino Barlezio e Becichemo, nga nr.1/1905 deri në nr.6/1906, në të cilin kthjellohej historiku i ngatërresës së ndodhur njëherë në filologji mes dy autorëve.

Më shumë se nga tipologjia informative, këta artikuj studimorë të Konicës anojnë në atë të kritikës historike, si në rastin e kritikës që i ka bërë nënkonsullit Julius Pisco duke rivendosur vetë Konica, për të parën herë, një topografi të betejave të Skënderbeut. Kështu edhe në rastin e vendosjes së një leximi të inicialeve të mbishkrimit të përkrenares së Skënderbeut të Muzeut të Vjenës, lexim që edhe pse i diskutueshëm, ka mbetur i pakundërshtuar ende sot. Po formatit të kritikës historike i përket edhe shkrimi në formë përgjigjeje pyetjes së një “pajtimtari” të Albania-s në e kanë apo jo shqiptarët një flamur të tyrin. Është për t’u veçuar, në rastin e vlerësimit të tekstit të Lavardin-it, për verifikimin e mundshëm që duket t’u ketë bërë ky të dhënave të Barletit. Kush nuk më beson, që tekste të tilla si ky i fundit dallohen për vlerën e jashtëzakonshme albanologjike, mund të besojë Jup Kastratin:

“Artikulli është shkruar me kujdes, me akribi shkencore, me burime të sakta historiografike latine, frënge dhe italiane, me gjuhë të pastër e të sigurt, qartë dhe rrjedhshëm, me përfundime logjike bindëse. Punimi flet për horizontin kulturor të autorit në lëmin e historisë”.

Me këta artikuj studimorë Konica rezulton, pothuaj në çdo rast, nismëtar ne Studimet skënderbegiane shqiptare.

Ndërkaq pothuaj nuk i është kushtuar vëmendje një punimit të tij me titullin Jeta e Skënderbeut, të botuar si nënfletë në gazetën Dielli, Boston, Mass., nga 8 gusht (nr. 161) deri më 17 tetor 1912 (nr. 171). Jup Kastrati, në një shënim bibliografik në monografinë e vet kushtuar Faik Konicës, ka dhënë për vit të botimit 1918-n duke ngatërruar edhe kohëzgjatjen e botimit. Me vitin 1918 dhe kontingjencat kaotike të Luftës së Parë botërore ai ka pas shpjeguar-gabimisht-edhe vështirësitë për ta gjetur në koleksionet në Shqipëri nënfletën historike të Diellit me punimin e Konicës. Me ndonjë mungesë, nënfleta historike e punimit të Konicës Jeta e Skënderbeut gjendet në koleksionin fizik të gazetës Dielli që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Është fjala pra për një trajtesë monografike në 11 nënfleta gazete, njëfarë historie e Skënderbeut në trajtë shkurtoreje (epitome) 9 vjet para asaj shumë të njohurës të Noli të vitit 1921. Bazë e saj ka shërbyer autori pa të cilin asnjë histori e Skënderbeut nuk mund të shkruhet, d.m.th. Marin Barleti, sikurse lexuesi i Diellit paranjoftohej qysh në numrin e 1 gushtit 1912 në një kënd djathtas përfund faqes së parë. E vetëkuptueshme për parimet e punës historiografike të Konicës që Skënderbeu i tij është shkarkuar nga balasti i rëndë i fjalimeve dhe letërkëmbimeve të hartuara nga Barleti simbas praktikës humanistike të kohës së tij, d.m.th. kur historia nuk ishte ende shkencë siç e konceptojmë historiografinë e sotme. Edhe ndikimi i Jacques de Lavardin-it, Signeur du Plessis-Bourrot, fjala vjen, është i dallueshëm.

Paradoksal ngjan fakti që ky punim, sidokudo modest, por në themelet e Studimeve skënderbegiane shqiptare, nuk rezulton as i cituar, as i përmendur si e dhënë historike në të shumtën e veprave studimore mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, duke filluar nga ato të Nolit. Shpjegimi mbetet për t’u kërkuar. Për t’u vënë re që Noli vetëm në punimin e vitit 1947 e përmend kontributin e Konicës në Studimet skënderbegiane, vetëm për ndërkohën 1897-1910, si dhe vetëm për tri artikuj frëngjisht, edhe këta-çudi për t’u çuditur-duke iu referuar veprës së autorëve Manek, Pekmezi dhe Stotz Albanesische Bibliographie (Ëien, 1909).

E kam pas përmendur me humor “konkursin historik” të Nolit me Konicën për hartimin e një historie të Skënderbeut dhe ja ku më jepet rasti ta korrigjoj veten.

Vepra Historija e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468 prej Peshkopit Theofan (Fan S. Noli), Boston Shtypëshkronja e “Diellit” 1921, mban shënimin: “E botuar prej Shoqërisë Korchare “Arësimi”. Pra: edhe “Botime të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, edhe “E botuar prej Shoqërisë Korchare “Arësimi””. Ç’do të thotë kjo? Hartimi dhe botimi i një historie të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, pati qenë vullnet dhe projekt i Shoqërisë korçare “Arsimi”-nëpërmjet atdhetarit kryetar të saj Kostandin Tashko-si nevojë e ngutshme jo vetëm për mësuesit dhe nxënësit e shkollave shqipe, por edhe për lexues më gjerë. Ishte momenti historik i riorganizimit të shtetit shqiptar mbas Luftës së Parë botërore dhe Kuvendit të Lushnjes, pra 1920. Poema Histori’ e Skënderbeut e Naimit, e botuar nga shqiptarët e Bukureshtit më 1898, ishte vepër letrare. Shoqëria “Arësimi” kishte kuptuar domosdonë e një vepre historike për Skënderbeun në gjuhën shqipe, mundësisht prej një autori tanimë shqiptar, duke ofruar për një vepër të tillë edhe shpërblimet përkatse: honorar për autorin dhe mbështetje për botimin.

Autorët potencialë që iu përgjigjën kërkesës së “Arësimit” ishin dy: Faik Konica, që tek Albania e tij ishte marrë qysh herët me aspekte nga më të ndryshmet të historisë së Skënderbeut, dhe Fan. S. Noli. Kushtit të “ngutësisë” Noli iu përgjigj duke kërkuar një afat prej 12 muajsh, ndërsa Konica kërkoi afat… vetëm 3 javë. Së paku kështu e ka treguar, mbas vdekjes së Konicës, Noli. Nëse ka qenë e tillë, afërmendsh që përgjigja e Konicës nuk do të ketë jetë marrë me tërë mend. Shoqëria “Arësimi” përzgjodhi Fan Nolin dhe bëri kontratë me të.

Kur e kam ndeshur këtë informacion, edhe vetë më është dukur e pamundur të realizohej një tekst historik për Skënderbeun brenda 3 javësh. Mirëpo, kur kam shprehur mosbesimin si gjasë që, të qe lënë në dorë të Konicës, ndoshta një histori e tillë as do të qe shkruar kurrë, nuk e kisha kryer këtë bilanc që po kryej tani të kontributit të drejtpërdrejtë të Faik Konicës në Studimet skënderbegiane. Duke llogaritur sa artikujt studimorë të përmendur, aq edhe punimin e botuar si nënfletë në numrat e Diellit, tani më duket e kuptueshme që Konica të kishte qenë i përgatitur për një histori pakashumë si ajo që kërkohej nga Shoqëria “Arësimi”. Kishte e pakta 20 vite që i qe përkushtuar tematikës së larmishme mbi historinë e Skënderbeut dhe “3 javët” e tij në “tenderin” e “Arësimit” nuk paskëshin qenë shkas për anekdotë.

Për hir të së vërtetës historike duhet pohuar që përzgjedhja e Nolit për të shkruar një histori të Skënderbeut, nga ana e Shoqërisë “Arësimi”, rezultoi fatlume. Historia e tij e Skënderbeut e 1921-shit ka qenë dhe mbetet vepër magjistrale, befasuese ende sot për nga informacioni që nuk shter dhe për nga interpretimi i tij. Madje mundet të mos ketë qenë punë vetëm “12-muajshe”, siç u lëvdua Noli. Për Nolin duhet pranuar që kontributi i tij në skënderbegologji, së cilës iu përkushtua gjatë gjithë jetës, fshik kufijtë e gjenialitetit. Nuk e ka askush të drejtën të profetizojë që një histori e Skënderbeut e Konicës do të kishte qenë më e arrirë. Por edhe askush e nuk ka të drejtën ta fshijë nga kronologjia e Studimeve skënderbegiane shqiptare kontributin e Faik Konicës në këto studime si kontribut pararendësi.

Ka shumë mundësi që kontributi i Konicës në fushat e albanologjisë të shkojë edhe më përtej skënderbegologjisë. Ende sot nuk ka një histori të historiografisë shqiptare. Kur të vijë dita të ketë një të atillë, mundet që Konica të zërë vend pararendësi edhe aty. Për shembull me qëmtimin dhe përgatitjen për botim të ciklit të dorëshkrimeve të pabotuara nga British Musem, të cilat filloi t’i botonte po tek Albania e tij nën titullin Documents sur l’histoire d’Albanie, nga nr.1/1898, ndërsa më vonë nën titullin e ri Documents inedits pour servir à l’histoire d’Albanie d’après les manuscrits du British Museum, nga nr.1/1904 me shumë vijime. Ngjashëm edhe me ciklin tjetër Les Albanais célèbres, të cilin e vijoi për vite radhas. Edhe për introduktimin në kulturën shqiptare të termave “albanolog” dhe “albanologji” mundet që një meritë t’i takojë edhe Konicës, duke filluar prej shkrimit të tij për shkrimtarin Miguel de Cervantes, të cilin e quajti: “le plus anien albanologue” (Albania 1900/nr.7).

Për t’u saktësuar që, me këto kontribute të Konicës në historinë e Shqipërisë ndodhemi disa vite para veprës Historia e Shcypniis të Don Ndoc Nikajt (Bruksel 1902), e cila madje po tek Albania e Konicës qenka paralajmëruar në një sërë numrash gjatë viteve 1901-1902. Për ç’i takon veprës T’nnollunat e Sçypniis prei gni Gheghet ci don vênnin e vet (Skenderie 1898), mbas hulumtimeve të studiuesve shqiptarë në Arkivin Shtetëror të Vjenës ajo rezulton prodhim propagandistik i kancelarisë së Ballhausplatz-it, njëfarë falsi origjinal me autor të fshehur albanologun austro-hungarez Lajos (Ludëig) von Thallóczy, ndërsa me Tefë Curanin thjesht si përkthyes i saj në shqipe.

*Pjesë nga referati “Mbi të sotmen dhe të ardhmen e Studimeve skënderbegiane”, mbajtur në “Ditët e Albanologjisë” të organizuara nga Akademia e Studimeve Albanologjike nga 3 më 4 dhjetor 2018

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button