Home / Rajoni / Sulm ndaj Deutsche Welles nga Bullgaria

Sulm ndaj Deutsche Welles nga Bullgaria

Sulm frontal kundër DW dhe kundër lirisë së medieve në Bullgari – kështu kategorizohet deklarata e një funksionari të lartë punëdhënës bullgar. Kryeredaktorja e DW, Ines Pohl proteston me forcë kundër sulmit.

Kërkesa të tërheq vëmendjen: Shoqata e Punëdhënësve të Bullgarisë nuk dëshiron ta pranojë më raportimin kritik nga mediet. Konkretisht sulmi i drejtohet Deutsche Welles. Kërkohet që DW të qëndrojë jashtë temave të ambientit dhe të politikës energjitike të Bullgarisë dhe të mos pozicionohet për to.

Me këtë deklaratë e citojnë disa medie bullgare Drejtuesin Ekzekutiv të Konfederatës së Punëdhënësve dhe të Sipërmarrësve Industrialë në Bullgari (KRIB), Evgenyi Ivanov. Në një konferencë shtypi në Sofje ai u shpreh kundër raportimit të DW. Ivanovi përmend shprehimisht projektin shumë të diskutueshëm në Bullgari për ndërtimin e një teleferiku të dytë në zonën e skijimit Bansko, për të cilin DW pati raportuar në mënyrë kritike – si në lidhje me procedurën e dhënies, ashtu edhe në lidhje me dëmtimin që pritet të ambientit.

Në regjistrimin e konferencës së shtypit të katër shoqatave të punëdhënësve në Bullgari (KRIB është më e madhja), deklarata e Ivanovit është fjalë për fjalë kjo: “Nuk duhet të ndodhë, që një medium i huaj, DW – këtë e them fare direkt – të na mësojë ne, si duhet ta zhvillojmë më tej vendin e pushimeve Bansko(…) Më vjen keq, po ata do të bënin mirë të mësonin Austrinë ose Zvicrën- jo ne! Por keq është kur mediet tona duartrokasin dhe i shpërndajnë me vullnet këto “këshilla”. (…) Kjo për ne është krim.”

Sulmi mediatik në adresë të DW tërhoqi vëmendjen në mediet e Bullgarisë. Për shembull në Facebook. Aty karikaturisti politik me ndikim Christo Komartinski u pozicionua dhe e shpërndau lajmin për kritikën ndaj DW midis miqve të tij në Facebook. Në komente thuhet që biznesmenë të korruptuar në Bullgari përpiqen me të gjitha mjetet që ta mbysin që në embrion raportimin kritik. Kjo mund të thuhet edhe në sulmin aktual kundër DW.

“Ky proces është i padëgjuar dhe nuk mund të pranohet”, thotë për këtë kryeredaktorja e DW, Ines Pohl. “Natyrisht që ne do ta vazhdojmë raportimin tonë të pavarur”. Edhe Bashkimi i Gazetarëve Evropianë në Bullgari (VEJ) e dënoi sulmin ndaj lirisë së medieve në Bullgari. Në një deklaratë të 25 janarit ndër të tjera mund të lexosh: “VEJ e kundërshton në mënyrë kategorike deklaratën e Drejtorit Ekzekutiv të KRIB, Evgenyi Ivanov, në të cilën ai bën thirrje direkte që të censurohen mediet.”

VEJ tërheq vëmendjen se anëtarët e KRIB janë shumë të fuqishëm, sepse zotërojnë një portofol të konsiderueshëm mjetesh publicitare për mediet. “Në këtë mënyrë, deklarata e Drejtorit Ekzekutiv të Organizatës mund të çojë në autocensurë, sepse mesazhi në medie mund të kuptohet në këtë mënyrë: ata nuk duhet ta citojnë mediumin prestigjoz DW, sepse pastaj do të tërhiqen kontratat publicitare”.

Ines Pohl, kryeredaktore e DW

Ines Pohl, kryeredaktore e DW

Anëtare në KRIB janë edhe disa firma shtetërore, të cilat drejtohen nga shumë ministri; dhe kjo ngre pyetjen, a është dakord qeveria bullgare me deklaratën e Ivanovit, thuhet në deklaratën e VEJ. Kryetarja e kryesisë së VEJ, Irina Nedeva, e quan frikësuese deklaratën e Ivanovit dhe të rrezikshme. Në një intervistë të DW, Nedeva thotë:

“Është absurde, që punëdhënësit e medieve të marrin porosi dhe të sulmojnë një medium me prestigj. Duhet të shtrojmë pyetjen nëse e mbështesin këtë qëndrim edhe firmat e huaja dhe investorët gjermanë në Bullgari dhe si ndihen, kur DW sulmohet nga një instancë e tillë e lartë”.

DW-Bullgarisht ndiqet në rajon nga një publik i gjerë dhe citohet përditë shumë herë në mediet e mëdha. Gazeta javore me ndikim Kapital shkroi javën e kaluar për një sulm tjetër kundër DW-Bullgarisht – këtë herë nga Kostadin Kostadinov, Kryetar i Partisë proruse Vazrajdane: “Kostadinov kërcënoi në të direkt drejtuesin e Redaksisë Bullgare të DW, Alexandar Andreev. Në një letër të drejtuar atij, Kostadinov shkroi: “Sandjo (Alexandar), ti je ndër të parët e listës, këtë ti e di?” Në sulmin e tij kundër Andreevit, kryetari i një Partie që gëzon financimin partiak të shtetit profetizon se “së shpejti do të vijë momenti, në të cilin nxitësit dhe ndërmjetësuesit e fashizmit liberal në Bullgari do të paguajnë për aktet e tyre”.

Përsa i përket lirisë mediatike, Bullgaria është në fund të shteteve të tjera të BE. Në listën e Reporterëve Pa Kufi për 2018-ën, Bullgaria zë vendin e 111-të, kryesisht për shkak të raporteve jotransparente pronësore dhe presionit ndaj medieve të ushtruar nga ekonomia dhe politika.

Leave a Reply

%d bloggers like this: