Home / Bota / Barrikadat e borgjezisë. “68-a e rinisë franceze”

Barrikadat e borgjezisë. “68-a e rinisë franceze”

Një intervistë me Jean-François Revel

“Studentët ishin me xhaketë e kollare dhe flisnin një frëngjishte të kulluar”, thotë filozofi i famshëm: «Me qeverinë dhe policinë qenë protagonistët e një loje më palë».  

«Qe një revolucion virtual: kishin si modele Mao Ce Dunin dhe Che Guevara, por nuk e kuptonin shoqërinë perëndimore».

30 vite më vonë, miti i Majit 1968 është më i gjallë se kurrë. Francezët, dihet, kanë maninë e përvjetorëve dhe të festimeve; kështu që qysh nga fillimi i muajit ka shpërthyer orgjia përkujtimore. Nuk ka gazetë, nuk ka periodik që të mos ketë botuar suplementë apo numra specialë me fotot dhe rrëfimet e evenimenteve. Nuk ka radio që të mos ketë intervistuar ndonjë prej protagonistëve që ndodheshin në barrikada dhe sot, kush më shumë e kush më pak, janë rikuperuar nja sistemi që kishin iluzionin se do ta përmbysnin.

Daniel Cohn-Bendit, i mbiquajtur Dany Kuqalashi, është ngjyer me jeshile dhe ka bërë një karrierë politike në Gjermani (ka qenë Zëvendëskryebashkiak i Frankfurtit, aktualisht është eurodeputet ekologjist); Alain Geismar, i promovuar Inspektor i Përgjithshëm i Mësimit, është një prej bashkëpunëtorëve të Ministrit të Arsimit Publik; Jacques Sauvageot ka bërë karrierë në universitet.

Nëpër librari është vetëm sikleti i përzgjedhjes midis vëllimeve (janë më shumë se 100 tituj) kushtuar ’68-ës. Çdo mbrëmje, televizionet transmetojnë pamje të asaj pranvere aq tq butë, thuajse prej vere, kur gjithçka dukej e mundur: fytyrat rinore e liderëve studentorë, barrikadat e Lagjes Latine, Sorbona dhe Teatri i Odeonit të pushtuar nga turmat festive, makinat e djegura, tymi i gazit lotsjellës, trupat e policisë, fabrikat e pushtuara, goditjet me pavés kundër policëve, Franca e paralizuar nga greva e përgjithshme, rrugët dhe sheshet e Parisit të boshatisura nga makinat pse mungonte benzina. Kërkohen shumë riprodhimet e posterave me sloganet që qenë në gojët e të gjithë: “Imagjinata në pushtet”, “Është e ndaluar të ndalohet”, “Jini realistë, kërkoni të pamundurën”.

Por çfarë përkujtohet saktësisht? Rinia tashmë e largët? Fantazmat e revolucionit? Apo ajo e Gjeneralit De Gaulle që në fund arriti t’ia dalë me sukses dhe të rimarrë fuqimisht frenat e pushtetit? Për këto pyesim Jean-François Revel, filozof dhe shkrimtar (ka pasur sukses edhe në Itali libri i tij i fundit, “Murgu dhe filozofi”, një dialog midis autorit dhe të birit Mathieu, që është konvertuar në budizëm dhe ka kaluar shumë vite në një manastir tibetian). Ish Drejtor i së përjavshmes “L’Express”, i zgjedhur vitin e kaluar në Académie Française, Revel konsiderohet si një prej analistëve politikë më të iluminuar të Francës së sotme.

«E gjithë kjo mani e tepruar përkujtuese», vëren Revel, «përqëndrohet mbi simbolet dhe mitet; evokohen evenimentet e 30 viteve më parë pa tentuar që të analizohen. Është e vërtetë se në Francë ekziston kulti i revolucionit: bashkëkombasit e mi kanë një dobësi për demonstrimet në rrugë dhe për barrikadat. Por, siç vërente sociologu Raymond Aron, çfarë kuptimi ka të ekzaltohet një lëvizje që qe një psikodramë, një “revolucion i pagjetshëm”? Do të thoja më shumë një “revolucion mimetik”: një lojë ku secili (studentë, punëtorë, sindikalistë, polici, qeveri) luante rolin e vet, pa kaluar vërtet tek aktet. Deri barrikadat qenë simbolike: në vend që t’i mbronin, studentët u jepnin këmbëve sapo policët avanconin. Qe një revolucion virtual, pa dhunë ose pothuajse pa dhunë. Nga ana tjetër, nuk pati as edhe një të vdekur (vetëm dy viktima të rastësishme: një i ri i rënë nga një urë në afërsi të Parisit dhe një komisar policie i shtypur nga një kamion në Lion); dhe Ministri i Brendshëm Christian Fouchet u ruajt mirë nga dhënia të drejtë De Gaulle, që në një moment të caktuar meditonte të fuste ushtrinë, dhe në një prej ditëve më të nxehta kishte thënë: “Ka lëvizje në të cilat duhet pasur kurajo për të qëlluar”».

Ama ’68 nuk qe vetëm franceze.

«Jo, bile lëvizja filloi në Shtetet e Bashkuara, në Itali e në Gjermani më përpara sesa në Francë, pa harruar Pranverën e Pragës. Por vetëm në Francë ndodhi që pushteti, i mishëruar atëhere nga regjimi golist, u përmbys dhe u zhduk për pothuajse një muaj, përpara se De Gaulle të rimerrte kontrollin e situatës. Falë intuitës së tij politike, Gjenerali kuptoi se lëvizje studentore, shumë popullore në fillim, po bëhej gjithnjë e më minoritare. Është e vërtetë se Parisi ishte i paralizuar nga grevat dhe nga pushtimi i fabrikave, por më pas, me t’u negociuar marrëveshja e Grenelle dhe u siguruan rritjet e rrogave (25% për të gjithë), sigurisht më shumë se ajo që shpresonin, punëtorët i braktisën studentët, De Gaulle shpërndau Parlamentin dhe në zgjedhjet e parakohshme e djathta arriti një sukses të mahnitshëm, një mazhorancë dërrmuese, të paprecedent në historinë e Francës moderne. Ajo që harrohet të nënvizohet është se ’68 qe një revolucion borgjez: studentët ishin të veshur me xhaketë e kollare dhe flisnin një frëngjishte të shkëlqyer (sot, prej refuzimit të një minimumi përzgjedhjeje në universitete, fëmijët e tyre mezi arrijnë të thonë një fjalë të plotë me kryefjalë, kallëzues dhe kundrinor). Qenë të privilegjuar, fëmijë të llastuar që kontestonin konsumizmin, shoqërinë e mirëqenies dhe e kishin me kapitalizmin pikërisht në momentin kur ky e kishte situatën më të mirë. Kishte punësim të plotë, me një koeficient rritjeje allajaponez, dhe ekonomistët kanë llogaritur se në 20 vite (1950 – 1970) niveli i jetesës së francezëve ishte rritur sa në dy shekuj e gjysmë të mëparshëm, nga vdekja e Mbretit Diell deri më 1950».

Çfarë pasojash ka pasur ‘68?

«Pozitive dhe negative. Studentët (por kjo, fatkeqësisht, është difekti i thuajse të gjithë intelektualëve të shekullit të XX-të) dalloheshin për moskuptimin total të shoqërisë ku jetonin. Modelet e tyre ishin Mao Ce Duni dhe Che Guevara, personazhe absolutisht të pavënd në kontekstin perëndimor. Thënë këtë, nuk ka dyshim që ’68 ka pasur meritën që të çmontojë një sistem mbytës, ka bërë më pak të ngurta raportet sociale, ka ridimensionuar plotfuqishmërinë e baronëve të universiteteve dhe autoritarizmin e prindërve në shtëpi apo të shefave në botën e punës, ka lehtësuar integrimin më të parakohshëm të të rinjve në jetën publike (me të drejtën e votës në moshën 18 vjeçare). Edhe pakicat (etnike, sociale, kulturore, seksuale) i ka njohur dhe u ka dhënë të drejtën e fjalës. Fatkeqësisht, tolerimi dhe kontestimi i çdo forme disipline dhe autoriteti kanë pasur pasoja të këqija, si degradimi i shkollës apo rënia e produktivitetit të bizneseve. E drejta ndaj diferencës e ka bërë më të vështirë integrimin e pakicave në shoqëri. Të gjitha revolucionet kanë pasur efekte perverse dhe kanë gjeneruar përbindsha: pas 1789 ka ardhur Napoleoni, pas 1848 Napoleoni i III-të, pas 1917 Stalini. Nga ’68, veç të tjerash, ka lindur ideologjia e pështirë e politikisht korrektes».

Lidhur me përbindshat, ’68 u lind në vitet e plumbta, me Brigate Rosse në Itali dhe Rote Armee Fraktion në Gjermani.  Kurse Franca nuk i pësoi, përveçse tangent, sulmet e terrorizmit. Pse?

«Sepse terrorizmi, që synonte të destabilizonte demokracitë perëndimore, drejtohej me telekomandë nga Lindja, siç është mundur të sqarohet, kur pas rënies së regjimeve komuniste, studiuesit kanë pasur akses në arkivat sekretë. Është e qartë (sidomos në rastin e Gjermanisë) që terroristët qenë të manipuluar nga shërbimet sekrete të Moskës, Pragës apo Sofjes. Por në rastin e Francës sovjetikët nuk kishin interes të destabilizonin një vend qeveritarët e të cilit (De Gaulle, më pas Pompidou dhe Giscard d’Estaing) dalloheshin për antiamerikanizmin e tyre, deri në pikën sa të bënin të ngecte mekanizmi i NATO-s (me të cilën De Gaulle i kishte prerë lidhjet në vitin 1966). Preferonin një të djathtë antiamerikane më mirë sesa një të majtë proamerikane. Nga këndvështrimi i tyre nuk e kishin gabim: as De Gaulle, as Pompidou, as Giscard nuk do të ishin sjellë si Mitterrand, i cili sapo u zgjodh president më 1981, kur shpërtheu edhe kriza e raketave, u rreshtua pa hezituar përkrah Uashingtonit dhe u shpreh qartë për dislokimin në Gjermani të raketave Pershing për t’ua kundërvënë SS20-ave sovjetike».

A mund të hipotezohet një ’68 tjetër?

«Nuk e përjashtoj mundësinë që në Francë të shpërthejë një revoltë kundër rreptësisë dhe sakrificave të imponuara nga monedha e përbashkët. Në fund të fundit, e kemi pasur tashmë një paralajmërim me protestën antiMaastricht, të shpalosur në grevat e gjata e dimrit të 1995 – 1996. Siç e thashë më parë, kulti i revolucionit është i rrënjosur në mentalitetin francez, është pjesë e vlerave të shenjta kombëtare. Mjafton një shkëndijë për ndezur zjarrin e barutit, çdo pretekst është i mirë për të dalë në rrugë dhe ngritur barrikadat».

(nga Famiglia Cristiana e majit 1998)

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: