Rajoni

Edhe Vuçiq ia kthen letrën Trumpit – heqja e taksës, kërkesë kryesore

Dy ditë pas Hashim Thaçit, edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ia ka kthyer letrën presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ka kërkuar përkrahje amerikane për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën dhe e ka ftuar gjithashtu Trumpin që ta vizitojë Serbinë.

“Për letrën tuaj të 14 dhjetorit, ku ju edhe një herë shprehët gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në shërbim të gjetjes së një zgjidhjeje të problemit shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Vuçiqit, e cila vjen pas letrës që Donald Trump ia kishte shkruar më 14 dhjetor.

Sipas Vuçiqit, problemi i Kosovës është bërë një barrë e rëndë për Serbinë dhe për popullin e saj, duke i kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentit të SHBA-së ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne jemi të përkushtuar për vazhdimin e dialogut, dhe mendojmë për të ardhmen e të gjithë neve në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona sipas marrëveshjes së Brukselit. Megjithatë, Serbia nuk mund ta zgjidhë këtë problem të vështirë e vetme”, thuhet në letrën që Vuçiq ia ka dërguar Trumpit, shkruan ‘RTS’, transmeton GazetaExpress.

Në këtë shkresë Vuçiqi i është ankuar Trumpit për taksën e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj mallrave serbe, për të cilën presidenti serb thotë se është një pengesë e pakapërcyeshme për rifillimin e dialogut.

“Ajo jo vetëm që po e dëmton ekonominë serbe, por edhe po e rrezikon jetën e serbëve në Kosovë. Po e theksoj edhe një herë që Prishtina të shfuqizojë këtë masë të paarsyeshme dhe të dëmshme. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, vazhdon letra.

Përveç tjerash Vuçiq nuk ka ngurruar t’i bëjë ftesë presidentit të SHBA-së që ta vizitojë Serbinë.

“Unë dua t’ju bëj vend shumë thirrjeve që ju të vizitoni Serbinë si president i parë i SHBA-së pas 40 vitesh. Shkëlqesi pranoni urimet e mia më të mira për prosperitetin e mëtejshëm të vendit tuaj dhe mirëqenien e qytetarëve amerikanë, si dhe ju shpreh mirënjohjen time të thellë”, thuhet në këtë letër.

Kjo letër e Vuçiqit vjen disa ditë pas vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin, në Beograd. Edhe në këtë takim Vuçiq – Putin ishte diskutuar për zgjidhjen e problemit të Kosovës, megjithatë në atë që Putin deklaroi për media pas takimit, nuk u pa asnjë sinjal që shteti i tij është i interesuar për ndonjë zgjidhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button