Ekonomia

Bankat, Konkurrenca hap hetim të thelluar për katër më të mëdhatë: Raiffeisen, BKT, Credins dhe Intesa SanPaolo

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar në sektorin bankar duke pasur në fokus katër bankat më të mëdha. Në një vendim të fundit AK sqaron se hetimi  do të shtrihet pranë Bankës Raiffeisen, Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Credins dhe Bankës Intesa SanPaolo” për periudhën 1 janar 2016 deri në 31 dhjetor 2018. Autoriteti nënvizon se ky hap vjen pas hetimit paraprak të zhvilluar më herët dhe për të cilin është hartuar një raport ku te dhenat e para  lene hapesira per nje hetim te thelluar per te pare sjelljen e ndermarrjeve per nje kufizim te mundshem te konkurrences ne tregun bankar.

Konkurrenca nenvizon se për të vlerësuar tregun përkatës të produktit është analizuar zëvendësueshmëria nga ana e ofertës, zëvendësueshmëria nga ana e kërkesës, barrierat në hyrje/zgjerimit, konkurrenca potenciale. “Tregjet përkatëse të produktit do të përfshijnë: Llogaritë rrjedhëse; Depozita me/pa afat; Kredi konsumatore; Kredi Kufi (OVD); Kredi hipotekore; transferta bankare të ofruara nga bankat e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë”

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave katër bankat që do të hetohen kanë 68 për qind të tregut sipas aktiveve ku BKT 28.4%, Raiffeisen 15.1%, Credins 12.9% dhe Intesa 11.4%.

Vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjeve

Autoriteti ka marrë parasysh në analizën paraprake një sërë elementësh duke nisur nga ofrimi i produkteve bankare, depozitat apo strukturën që ka tregu. “Sipas strukturës së tregut, vihet re se bankat objekt hetimi janë bankat me vlerën më të lartë të portofolit të depozitave. Treguesi i Hershman Herfindalit tregon për një treg mesatarisht të përqendruar ku vlera e pjesës së tregut për tre dhe katër bankat më të mëdha (CR3 dhe CR4) janë të pandryshueshme pas vitit 2016. Katër bankat më të mëdha, BKT, Raiffeisen Bank, Banka Credins dhe Banka Intesa SanPaolo kanë ndryshime të pjesëve të tregut në vlera relativisht të vogla duke ruajtur renditjen në treg dhe qëndrueshmërinë e pjesëve të tregut” thuhet në vendimin e AK.

I njëjti vlerëson se nga analiza e portofolit të depozitave, konstatohet ngurtësim të pjesës së tregut që zotëron secila bankë në portofolin e depozitave, ngurtësim të pjesës së tregut që zotërojnë 4 bankat më të mëdha në vlerat e portofolit (CR4), ngurtësim të pjesës së  portofolit që zotëron secili produkt në portofolin e depozitës gjatë periudhës hetimore. Në tërësi vlera dhe struktura e portofolit të depozitës është e ngurtë, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1 germa (c) të Ligjit Nr. 9121/2003 mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.

Raporti analizon se treguesit e përqendrimit për llogaritë rrjedhëse, i japin tregut karakteristikat e një tregu të përqendruar. Lidhur me depozitat AK nënvizon se nga krahasimi i normave të interesit mes bankave është vënë re aplikim i interesa shumë të ulta dhe pothuajse të njëjta mes tyre. Mënyra e aplikimit të interesave të bankave dhe normat e interesit që aplikojnë bankat si për individe edhe për biznesin në pjesën më të madhe të bankave janë të njëjta për cdo monedhë, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) të Ligjit Nr. 9121/2003, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.

Tregu i Kredisë Konsumatore është një treg me indekse të larta të përqendrimit. Përsa i përket komisioneve për kredinë konsumatore si në monedhën vendase dhe në euro vihet re se nuk ka ndryshime ndër vite. BR dhe BKT aplikojnë komisionet me të larta në lidhje me penalitetin për shlyerje të vonuar të këstit. Duke u ndalur edhe tek kredia hipotekore, overdraftet apo fitimi Konkurrenca nënvizon gjetjet në hetimin paraprak që kanë çuar edhe në vendimin e fundit.

“Për sa më sipër, nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve nën hetim, konstatohet qëndrueshmëri e pjesëve të tregut lidhur me depozitat dhe kreditë, shkallë e lartë përqendrimi në segmente të produkteve, norma shumë të ulta dhe të ngurtësuara të interesave të depozitave, norma të larta të interesit të kredive, spread disa herë më i lartë krahasuar me normën e interesit të depozitave, komisione dhe penalitete bankare të larta për ndërrimin e bankës (switching cost), komisione të larta për transfertat bankare në monedhë të huaj dhe norma të larta fitimi. Kjo sjellje e ndërmarrjeve nën hetim mund sjellë kufizim të konkurrencës në tregjet përkatëse në kuptim të nenit 4 dhe 9 të Ligjit Nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar” thuhet në vendimin e Autoritetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button