Kosova

Haradinaj: S’pranojmë shantazhet e Serbisë, taksa do të mbetet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, është zotuar përsëri se vendimi për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk do të tërhiqet.

Haradinaj duke folur për taksën, ka thënë se shteti serb po bënë shtantazhe në mënyrë që taksa të hiqet, duke kërkuar vazhdimin e dialogut.

Sipas tij, Kosova nuk duhet t’i pranojë shantazhet nga Beogradit, transmeton Telegrafi.

“Kushtëzimi i dialogut është i papranueshëm, dialogu duhet të kthehet, dhe nuk humb veç Kosova nëse nuk ndodhë dialogu. Taksa do të mbetet deri në njohje, nuk kemi dilema. E keqja e kësaj është pranimi i shantazheve të Serbisë. Këta po bëjnë shantazh, dhe nuk duhet t’i pranojmë shantazhet e shtetit serb. Ne asnjëherë nuk e kemi kushtëzuar dialogun, as kur na janë tërheqë njohjet. Beogradi nuk dëshiron dialog, mendoj që për këtë ata vendosin kushte”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit kosovar duke komentuar deklaratat e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri se nëse preken kufijtë e kësaj komune do të ketë luftë, ka thënë se deklaratat e tilla janë të ekzagjeruara.

Haradinaj tha se për momentin nuk ka tendenca të destabilizimit, duke shtuar se të rrezikshme janë planet për tregti me territore.

“Bahtiri si kryetar i Mitrovicës jep shpesh deklarata të tilla, dhe nuk është mirë që askush të ekzagjerojë me deklarata të tilla. Unë nuk shoh tendenca të destabilizimit, të vetmin rrezik janë planet për tregti me territore dhe kufijë dhe ajo është rrezik”, ka thënë kryeministri i vendit.

I pari i Qeverisë duke komentuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve, ka thënë se nuk do të bashkohet me askënd që e çon Kosovën drejt ndarjes.

Sipas Haradinajt, shija me të cilën do të përcaktohet marrëveshja finale, do ta përcjellë Kosovën përgjatë gjithë historisë.

“Në koalicion jam me PDK-në, Nismën e AKR-në. Na ka lidhur kualiteti i zgjidhjes finale me Serbinë, mund të kemi ndonjë dallim në hapa apo etapa të caktuara, por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes. Unë kam vetëm një problem, çfarë shije do të ketë marrëveshja finale. Kushdo qoftë që e prishë shijen e marrëveshje finale, le të shkojë kah të dojë. Nuk do t’i bashkohem askujt që e çon Kosovën drejt ndarjes”, deklaroi Ramush Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri kritikoi përsëri qëndrimin e Maja Kocijançiq, e cila tha se Trepça është pjesë e dialogut.

Haradinaj deklaroi edhe një herë se Bashkimi Evropian, nuk po ka njohuri për gjendjen në shtetet e Ballkanit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button