Home / Arte / Kthim në identitet i kishës së Shën Mitrit në Berat

Kthim në identitet i kishës së Shën Mitrit në Berat

Specialistët e mirëmbajtjes së DRKK-Berat kanë përfunduar ndërhyrjen e mirëmbajtjes në çatinë e hajatit të kishës së Shën Mitrit monument kulture i kategorisë I, lagjia “Kala” .

Mirëmbajtja e këtij monumenti këtë vit do të vazhdojë me fazën e parë të hartimit të një projekti të plotë restaurimi nga specialistët e DRKK-Berat dhe pas miratimit të tij në instancat përkatëse do të kryhet ndërhyrja për ta bërë një nga kishat më të vizitueshme e cila ndodhet në krahun lindor të kalasë midis shtëpive të banuara.

Brendësia e kishës si dhe pjesa e jashtme e ambientit perëndimor janë të veshura me afreske.

Pak histori rreth monumentit…

Kisha e Shën Mitrit ndodhet në pjesën lindore të kalasë, midis shtëpive të banuara, dhe futet në tipin e kapelave të thjeshta pasbizantine. Pjesa e naosit në qendër më përpara qarkohej nga një hajat i vogël në krahun verior, perëndimor dhe jugor, ndërtim që i përkiste një periudhe më të vonë ndërtimi se vetë kisha.

Ambienti i kishës nga brenda është i shtruar me pllaka guri gëlqerori dhe shtufi të vendosur në mënyrë të ç’rregullt. Dikur naosi ndahej nga mjedisi altarit nëpërmjet një ikonostasi druri. Altari përbëhet nga absida gjysëm rrethore që nuk shkon deri në tokë me dy kamare katrore (nike) anash saj. Ndriçimi i sallës realizohet nëpërmjet një frigjie të vogël në murin e absidës dhe nga një baxha e hapur në çati. Hyrja për në sallën qendrore realizohet nëpërmjet dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anën perëndimore, kjo e fundit është ende një derë me dru origjinal nga faza e parë e ndërtimit.

Brendësia e naosit mbulohet në një pjesë të tij nga afreskë me motive biblike me skena me përmasa të vogla që i përshtatet dimensioneve të kishës. Gjithashtu me afresk është veshur edhe pjesa e jashtme e ambientit perëndimor. Mbi hyrjen jugore nga brenda ruhet ende mbishkrimi i cili daton ndërtimin e afreskut në vitin 1607. Të gjitha muret janë ndërtuar me gurë gëlqeror të lidhur me llaç balte. Nga një datim i mbetur në kontrafortin e mëvonshëm të ngritur në pjesën jugore mësojmë se kisha është meremetuar në vitin 1774.

Leave a Reply

%d bloggers like this: