Home / Kosova / Maqedonia dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e energjisë

Maqedonia dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e energjisë

Maqedonia dhe Kosova kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në sektorin e energjisë midis Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi dhe homologu i tij kosovar, Valdrin Lluka, të cilët pas takimit të mbajtur në Shkup folën në një konferencë të përbashkët për media.

Ministri Bekteshi vuri në dukje se memorandumi i nënshkruar do të jetë parakushti ose fillimi që së bashku me palën kosovare të aplikojnë për grante në institucionet financiare evropiane, në mënyrë që të dyja vendet të lidhen me gazifikimin.

“Të shfrytëzoj mundësinë për të ju informuar se po zhvillohet projekti i rrugës që ka të bëjë me ndërlidhjen me Greqinë, që do të thotë se ne si Maqedoni punojmë në disa drejtime në mënyrë që si rajon të lidhemi me shtetet, gjë e cila është edhe parakusht sa i përket Bashkimit Evropian, që kërkohet nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Bekteshi.

Ai bëri të ditur se me delegacionin nga Kosova kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit midis kompanive shtetërore, asaj maqedonase ELEM dhe asaj kosovare KEK, për ndërtimin e sektorit Shkup-Bllacë, i cili sipas tij, do të lehtësojë komunikimin midis qytetarëve të të dy vendeve.

Ndërsa, ministri Lluka tha se vendet e Ballkanit janë duke intensifikuar bashkëpunimin në tregun e energjisë të tillë si në gazifikimin, në investimin për lidhje të përbashkët, në transmisionin dhe në prodhimin e burimeve të energjisë.

“Sa i përket gazifikimit, Kosova dhe Maqedonia kanë një traset të vjetër të kohës së ish-Jugosllavisë, që është jashtë funksionit dhe qëllimi kryesor i joni është që përmes një investimi nga buxhetet tona të riaktivizojmë këtë linjë, e cila besoj se është një ndër format që edhe studimi do ta dëshmon që është një ndër format më të lira dhe më të shpejta që mund të aktivizohen në mes dy vendeve”, deklaroi Lluka.

Lluka po ashtu tha se Maqedonia me lidhjen aktuale me Bullgarinë dhe Greqinë do të ketë furnizim jashtëzakonisht të madh dhe se me plasimin e sasisë së konsiderueshme të gazit jashtë Maqedonisë ekziston mundësia që Kosova të furnizohet me atë gaz.

Më tej, ministri kosovar theksoi se në takimin e sotëm ata po ashtu diskutuan të ashtuquajturin “One Stop Shop”, projekt që synon një pikë kontrolli në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë. Ai po ashtu theksoi se autostrada që lidh dy vendet, në anën e Kosovës do të vihet në funksion brenda tre muajve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: