Ekonomia

Richard Lukaj: Vjedhja në Bankën e Shqipërisë krijon shumë pikëpyetje

shbanaaaBankieri shqiptaro-amerikan Richard Lukaj i tha Zërit të Amerikës se diaspora shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet financiare të Shqipërisë por deri tani rrallë ka patur raste konkrete bashkëpunimi. Zoti Lukaj, themelues i një banke të suksesshme në Stamford të shtetit Connecticut, kohët e fundit priti në shtëpinë e tij nënpresidentin e SHBA Joe Biden dhe është i njohur për veprimtaritë në shërbim të komunitetit. Në një intervistë në  Nju Jork, ai u pyet gjithashtu për çështjen e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, për korrupsionin dhe informalitetin në Shqipëri si dhe për tema të tjera.

Kohët e fundit ju sponsorizuat një takim për grumbullim fondesh me pjesëmarrjen e nënpresidentit amerikan Joe Biden. Shqiptarët e shohin si nder që një njeri i tyre fton në shtëpi nënpresidentin e Amerikës. Në fakt, si funksionon ky mekanizëm, a është nënpresidenti një mik i juaji?

Ky aktivitet ishte rezultat i një investimi të gjatë. Kemi patur rast ta presim nënpresidentin edhe kur ishte senator, sidomos në momentet më të rëndësishme të ngjarjeve në Ballkan.

Pra ju e njihni atë prej shumë vitesh?

Jo vetëm personalisht, por edhe ne si komunitet. Ai erdhi në shtetin Konektikat për të mbështetur guvernatorin e këtij shteti, i cili është gjithashtu një mik i ynë i vjetër. E njohim kur ka qenë kryebashkiak i Stamfordit, ku ne kemi zyrën kryesore të firmës.

Është tashmë proverbiale shprehja e përdorur për ju: Magjistari i Wall Street-it. Në rezymenë tuaj lexojmë se ju personalisht keni bërë transaksione që arrijnë në mbi 100 miliard dollarë. Nga pikëpamja profesionale çfarë konsideroni ju si suksesin tuaj më të madh?

Këta artikuj janë shkruar nga njerëz që kanë opinionet e tyre, por unë rrallë i lexoj shkrimet ku flitet për mua. Kemi patur fat që kemi marrë pjesë në shumë transaksione në botë dhe sot mund të jenë bërë shumë më tepër se sa 100 miliardë dollarë. Por unë besoj se suksesi për të cilin ju më pyetët është diçka e shtrirë në kohë dhe nuk është një gjë e vetme konkrete. Mendoj se në përgjithësi, jeta ime profesionale ka qenë shumë e kënaqshme për mua dhe shpresoj të vazhdojë ashtu.

Ju keni sot bankën tuaj, BankStreet, por si arritët t’i mbijetoni stuhisë financiare të viteve 2008-2009 por edhe 2010?

Ajo ishte një krizë financiare që lidhej shumë me kreditin. Ne nuk kemi qenë të ekspozuar ndaj kredive, nuk kemi patur borxhe që mund t’u kishte rënë vlera. Në atë kohë ne jemi marrë shumë me investim. Pati edhe kompani të mira, të cilat ranë në vlerë, por ne ishim blerës.

Më duket se ka një brez të ri në diasporën shqiptare që i ka sytë tek biznese të cilat lidhen me teknologjinë e lartë, me aktivitete financiare se sa me ndërtimtarinë apo me biznese që kërkojnë punë fizikisht të vështira. A shikoni ju një prirje të tillë?

Unë i shikoj shqiptarët pjesmarrës në çdo fushë. Në industrinë e ndërtimit mund të them që janë bërë një superfuqi, sidomos në zonën e Nju Jorkut. Por edhe në industrinë bankare, financiare e të teknologjisë, jam krenar që shikoj gjithkund pjesmarrjen e shqiptarëve. Dy ditë më parë pata rastin të takoj një student të Universitetit të Nju Jorkut, nga i cili jam diplomuar edhe vetë. Në atë kohë, në universitet ishim tre shqiptarë, të tre djem. Studenti më tha se sot atje ka mbi 100 studentë shqiptarë dhe se shumica janë vajza. Çfarë ndryshimi! Sot mund të shkosh në çdo vend, në çdo industri apo zyrë qeveritare dhe ka raste që gjen shqiptarë me ambicie, me rezultate dhe me suksese. Kjo na jep të gjithëve një krenari të përbashkët dhe një frymë optimizmi për të ardhmen tonë.

Në Shqipëri dhe Kosovë ka patur një zhvillim ekonomik vitet e fundit, GDP-ja për frymë e popullatës është rritur, ka rrugë të reja, jo dhe aq investime të huaja sa do të dëshirohej, por ka lëvizje. Çfarë shihni ju si problemin kryesor?

Ligjet në rajon janë të shkruara mirë, por zbatimi i tyre ende bëhet në mënyrë shumë informale. Për këtë arësye njerëzit, sidomos ata institucionalë, që dëshirojnë të bëjnë një investim të madh ose ata që duan të bëjnë një investim personal frikësohen se mund të mos jetë aq lehtë që investimi të funksionojë normalisht në një rajon si Ballkani.

Çfarë menduat në fillim fare, kur dëgjuat për vjedhjen e rreth 7 milion dollarëve nga Banka e Shqipërisë? Dhe fjala ishte për një vjedhje fizike e jo përmes transaksioneve financiare.

Çdo krim i këtij lloji është shumë i dhimbshëm për të gjithë ne. Sidomos ky lloj krimi që ndodhi vë në pikëpyetje edhe institucionin e bankës qendrore në shumë nivele. Për shembull, sigurimi i parave është ndër vlerat kryesore të çdo banke. Kur fizikisht mund të merren paratë e popullatës ose të institucioneve të ndryshme, atëhere është në pikëpyetje sigurimi elementar. Por në pikëpyetje është edhe besueshmëria në një kuptim më të thellë, sepse nëse paraja fizikisht nuk mund të mbrohet, atëhere si mund të kesh besim kur është fjala për transaksione me sofistikim të lartë, në të cilat lidhen interesat shtetërore, kombëtare e të tjera?

Nga qeveritë në Shqipëri dhe Kosovë flitet shumë për bashkëpunim me diasporën. Kur udhëheqësit e tyre vijnë këtu theksojnë rolin e mundshëm të diasporës për zhvillimin e vendeve të tyre. Ju jeni shembulli i financierit të suksesshëm, takoheni me nënpresidentin amerikan dhe fjala juaj dëgjohet. A është përpjekur qeveria e Shqipërisë t’ju kontaktojë, qoftë edhe për t’u këshilluar me ju?

Kemi patur shumë biseda me figurat kryesore të rajonit prej njëzet e ca vitesh. Por institucionet e kanë patur të vështirë që t’i marrin përsipër me prioritet ato gjëra që dalin nga bisedat. Besoj se ende mbaj marrëdhënie pozitive me të gjitha palët politike, me të gjitha institucionet kryesore dhe dera ime gjithmonë ka qenë e hapur për të gjithë, nëse ka një dëshirë për bisedime apo për një analizë, ose nëse kërkohet opinioni im. Mendoj se në diasporë ka mjaft njerëz që në kohët më kritike, kur ka qenë në pyetje jeta e njerëzve, janë treguar të gatshëm dhe me mundësi të mëdha për të ndihmuar në një formë ose një tjetër. Por sot për sot shumë rrallë shihen shembuj të një bashkëpunimi të tillë konkret me këshillime të ndryshme.

Korrupsioni është një problem shumë i madh në Shqipëri. Nëqoftëse ju vetë do të dëshironit të shkonit në Shqipëri për të investuar, a keni frikë se mund t’ju ofrojnë rryshfet ose t’ju kërkojnë para?

Nuk i frikësohem kësaj, sepse nuk do të ndodhë. Por mendoj se problemi nuk është vetëm te korrupsioni, është edhe tek aftësia. Aty ku mungon aftësia shpesh ka korrupsion. Është edhe orientimi i institucioneve, mënyra se si funksionojnë ato, sepse niveli i informalitetit pak a shumë është bërë pjesë e formalitetit. Kjo duhet kundërshtuar. Nëse institucionet nuk kanë dëshirë t’i luftojnë këto dukuri, atëhere nuk mundet që vetëm të kundërshtosh, por duhet të prodhosh alternativa që funksionojnë dhe që krijojnë opcione ekonomike, pra që njerëzit të mos i lejojnë ato mënyra të cilat bëhen pengesë për të gjithë.

Ju ndoshta e ndoqët vizitën e Papës Françesku në Shqipëri. Ai shkoi nga aeroporti për në presidencë me një makinë fare të thjeshtë dhe ndoshta e bëri këtë për t’u treguar zyrtarëve shqiptarë se makinat tuaja luksoze nuk kanë ndonjë vlerë nëse populli nuk përfiton.

Besoj se mesazhi i tij nuk u drejtohej vetëm udhëheqësve të Shqipërisë, por edhe të botës, që të mendojnë se ka gjëra me vlerë, të cilat janë më të rëndësishme se paraja, se ka gjëra me vlerë të cilat qëndojnë më lart se çështjet e ditës. Ne si popull dhe shqiptaria si histori është plot me shembuj të këtij lloji. Ne kemi shumë aftësi, burime dhe energji, kemi një popullsi mjaft të re dhe rrënjët e diasporës shqiptare shtrihen në të gjitha vendet e botës, nga Australia në Amerikë. Unë mendoj se me një popull që kanë aftësi të tilla është për të ardhur keq që akoma edhe sot flasim për ngërçe që krijohen brenda vendit, të cilat nuk ka pse të na pengojnë.

Zoti Lukaj, ju faleminderit.

Faleminderit edhe juve për punën që bëni. Kur isha i ri e shihja Zërin e Amerikës si një mesazh optimizmi, që na jepte shpresë për të ditët e ardhshme, të cilat do të jenë edhe më të mira. Vazhdoni kështu!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button