Politika

Katër skenarët e 16 Shkurtit, nga rrethimi i Kyeministrisë te djegia e mandateve

Oret po ikin shpejt drejt një fundjave të nxehtë për Tiranën dhe shumëkush vështrimin e ka ngulur tek e shtuna e ardhshme. Do të jetë dita kur opozita, pas disa javësh përgatitje, do të ftojë në bulevardin qëndror të kryeqytetit mijëra përkrahës të saj, të cilët i ka ftuar nga të gjitha qytetet e vendit. Do të jetë një protestë që mbart mbi vete disa pritshmëri specifike, sipas asaj që pretendon Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët kanë krijuar qëllimisht një re paqartësie rreth karakterit të protestës, formatit, kohëzgjatjes dhe rreth të qenit ose jo paqësore.

Opozita po shpreson të presë në Tiranë në dallgë të madhe njerëzish. Të ngjashme me atë të 18 shkurtit 2017, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti, e cila prodhoi hapjen e çadrës së famshme opozitare, e cila u mbyll më 17 maj, pas marrëveshjes Rama-Basha. Këtë rradhë opozita thotë se nuk do të tundohet nga hyrja në kompromis me Ramën, duke kërkuar ikjen e tij dhe formimin e një qeverie teknike. Herën e parë kreu i opozitës hapi me duart e tij një gropë nga e cila nuk ka dalë ende sot, pasi mori gjysmën e qeverisë dhe megjithatë i humbi turpshëm zgjedhjet.

Në raport me këto koordinata, protesta e 16 shkurtit ka krijuar kuriozitet për atë që mund të jetë formati konkret i saj. Cilat janë surprizat e opozitës për Ramën (nëse vërtetë do të ketë të tilla)? A do të ketë dhunë në 16 shkurt? A do të mësyjnë protestuesit godinën e qeverisë dhe si do të sillet policia në një rast të tillë? Sa e mundshme është rënia e qeverisë në 16 shkurt?

Informacionet që filtrojnë nga kampet opozitare janë të pakta, por gjithsesi ajo përflitet aktualisht brenda selive të PD e LSI për 16 shkurtin, fokusohet pak a shumë në katër skenare të mundshme.

Varianti i parë, protestë normale

Pjesëmarrje e madhe, thirrje e parrulla kundër qeverisë, por pa fjalime krerësh politikë dhe thjesht një vërshim paqësor në bulevard. Si shumë protesta të tjera që janë parë në kryeqytetin shqiptar në tre dekadat e fundit. Ky skenar do të shkonte në një gjatësi vale me deklarimet publike të ndërkombëtarëve, të cilat kanë bërë thirrje të qarta për vetëpërmbajtje dhe evitim të dhunës në protestë.

Varianti i dytë, rrethim paqësor i kryeministrisë

Një skenar i tillë kërkon t’i mbyllë rrugët e hyrjes në zyrën e tij të punës kryeministrit Rama. Pikëpyetje konkrete qëndrojnë mbi kohëzgjatjen e këtij rrethimi dhe mundësinë e rrethimit fizik të godinës së kryeministrisë, nga momentin që perimetri i saj është i ruajtur nga Garda e Republikës në një segment jo të vogël të tij (pas godinës). E dyta, një rrethim disaorësh nuk do të sillte rezultat, por thjesht do të kishte një mesazh simbolik për pengimin e hyrjes së Ramës në kryeministri.

Varianti i tretë, dhunë dhe marrje me forcë e kryeministrisë

Ky është skenari që më së shumti frikëson jo vetëm palët, per pasojat që mund të ketë, por edhe opinionin publik e partnerët e huaj. Herën e fundit që Berisha sulmoi godinën e qeverisë, qëndroi edhe shtatë vjet të tjera në opozitë (1998-2005). Në raport me këtë precedent, situata në Shqipëri ka ndryshuar drastikisht. Kjo mund të bëjë që shkaktarët e dhunës dhe të marrjes së dhunshme të institucioneve të dënoheshin edhe më ashpër se njëzet vjet më parë. Apeli i fortë i ambasadave në Tiranë nuk parathotë asgjë të mirë për ata që mendojnë të hyjnë me forcë në kryeministri, ndërkohë që vetë krerët e opozitës kanë deklaruar më shumë se një herë se nuk do të bëhen autorët e marrjes së pushtetit me dhunë.

Varianti i katërt, djegia kolektive e mandateve

Në selitë opozitare, kryesisht në PD, ka kohë që diskutohet për djegien publikisht të mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës. Kjo do të krijonte, sipas përkrahësve të kësaj linj,e kolapsin e Kuvendit dhe do të çonte automatikisht në zgjedhje. Duket megjithatë se jo të gjithë mendojnë kështu. Më së pari LSI, por edhe parti të tjera opozitare, të cilat në rast largimi të deputetëve të PD, mund të pranonin të zinin vendin e tyre në parlament. Sepse në rast djegie të mandateve nga një numër deputetësh, në bazë të ligjit elektoral, vendin e tyre në Kuvend e zenë kandidatët që janë më poshtë në listën zgjedhore të vitit 2017. Për pasojë, ky variant duket se fsheh shumë risqe, kryesisht për vetë opozitën, ndërkohë që Rama do të vijonte punën edhe në një parlament gjysëm të boshatisur, me shumë gjasë me bekimin edhe të ndërkombëtarëve.

Nga Ardit Rada

javanews.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button