Kryeartikull

Revolucionet nuk i bëjnë kastat, por masat!

Nga Alfred Peza

Ka një ngazëllim të gënjeshtërt në radhët e lidershipit opozitar shqiptar, për një gjë shumë të madhe që ata dëshirojnë që populli të realizojë, gjatë protestës së programuar të 16 shkurtit në Tiranë. Eshtë një ngazëllim i gënjeshtërt, i lig, i pasinqertë dhe krejt djallëzor i kastës politike opozitare, me shpresën se kështu do ndjellin dhe do ti bëjnë masat, që të realizojnë “revolucionin” që do të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti, për tia dhuruar atë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Që kjo është gënjeshtra më e madhe në Shqipëri, nuk është e nevojshme të thuhet këtu, sepse shqiptarët e dinë prej kohësh tashmë këtë. Ndaj gjynah, sepse lidershipi i opozitës sonë, po gënjen që po gënjen, të paktën të kishte sajuar diçka më të bukur, e jo këtë që thjeshtë fyen inteligjencën e qytetarëve të këtij vendi.

Filozofët që nga antikiteti i botës greko- romake dhe deri tek ata të sotmit e epokës moderne, e kanë shpjeguar e shtjelluar pambarimisht se, “revolucionet nuk i bëjnë skllavopronarët, por skllevërit”. Nuk i bëjnë feudalët, por bujkrobërit. Nuk i bëjnë kapitalistët, por punëtorët. Nuk i bëjnë kastat, por masat. Revolucionet as i kanë bërë e as kanë për ti bërë ndonjëherë në asnjë lloj sistemi të historisë së shoqërisë njerëzore; as dje, as sot e as nesër fëmijët, kushërinjtë dhe nipat e “Mbretit”. Revolucionet nuk i kanë bërë dhe nuk mund ti bëjnë dot as pinjollët e elitave, as oborrtarët e dinastive të dëbuara me votë nga pushteti dhe as personazhet reale të filmit të dikurshëm të socrealizimit, “Endërr për një karrike”.

Revolucionet qëshkurse skllavi i parë iu rebelua skllavopronarit këtu e mijëra vjet më parë, për të ardhur tek Revolucioni Francez, e për të mbërritur deri tek “jelekverdhët” e sotëm të Parsit, i kanë bërë qytetarët e thjeshtë. I ka bërë populli. Nga partitë nuk mund të lindin revolucionet. Por krejt e kundërta në fakt, është e vërtetë: Nga revolucionet lindin lëvizjet, partitë dhe sistemet e reja politiko- shoqërore që largon kastën e vjetër dhe sjell të renë.

Kastat nuk janë sebepi si në rastin e opozitës sonë më 16 shkurt, por ato mund të bëhen shkaku i vërtetë, real që i bën njerëzit të dalin në rrugë e të rebelohen kundër tyre. Historia na ka mësuar se vetëm revolta e brendshme për hallin e tyre të fortë personal kundër kastave të privilegjuara, pushteteve ilegjitime dhe pushtetarëve që kanë në dorë ndryshimin e gjendjes së tyre ekstreme, mund ti çojë ato në revolucion.

Ndaj më 16 shkurt, përtej ëndrrave, predikimeve, anatemimeve dhe belbëzimeve, nuk ka për të patur jo revolucion, por asgjë tjetër nga ato skenare që e bëjnë elitën politike të opozitës sonë, të ëndërrojë se shkopi magjik i dëshirave të saj, apo dora e padukshme e fuqisë qytetare, do ia mari karriken Edit, për tia dhuruar atë Lulit apo Monikës.

Në dhjetor 1990, studentët e mbushën sheshin “Demokracia” në Qytetin “Studenti”, jo se deshi Ramiz Alia. Por sepse shqiptarëve pas 50 vjetësh nga diktatura komuniste, u kishte ardhur atje ku nuk mbante më, për tu derdhur vetvetiu nëpër rrugë, derisa e dëbuan kastën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe më pas, sa herë që qytetarët janë ngritur në protesta, duke marë ndryshimin e dëshiruar dhe merituar.

Për të ardhur deri në ditët tona, edhe protesta e qytetarëve të Kukësit kundër tarifës së kalimit të automjeteve të tyre në Rrugën e Kombit, erdhi nga nevoja e xhepi të tyre dhe jo nga dëshira e opozitës apo e liderëve të saj. Edhe studentëve të vërtetë që u ngritën në fillim të dhjetorit 2018 për kërkesat e tyre të drejta, protesta u erdhi instiktive nga nevoja e tyre dhe jo nga dëshira e opozitës apo e partive politike. Pavarësisht se opozita jonë tentoi që ta manipulojë protestën e studentëve, ta merte peng dhe ta keqpërdorte atë për interesat e saj, realiteti është se kjo nuk ndodhi.

Ndaj për aq kohë sa edhe ditën dhe orën e protestës, e kanë caktuar në zyrat e tyre luksoze liderët politikë dhe jo thirrja e zërit të brendshëm qytetar, ajo është e destinuar të dështojë. Aty mund të ketë edhe pjesëmarrje masive nga radhët e militantëve të partive, kaos, dhunë e çfarëdo tjetër që është programuar në selitë e partive. Por një gjë është e sigurtë që nuk ka për të ndodhur kurrë: Revolucioni i ëndërruar i Lulit dhe Monës, që synon tia mari karriken Edit, për tia dhuruar atyre. Sepse revolucionet nuk programohen nga kastat, por ato lindin natyrshëm vetëm nga masat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button