Ekonomia

Fondet e investimeve, në 2018 më pak interes, numri i anëtarëve dhe asetet në rënie

Fondet e investimit duket se nuk kanë qenë një alternativë atraktive në vitin 2018. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë për një rënie si në numrin e anëtarëve që investuan në këto fonde ashtu edhe në vlerën neto të aseteve deri në fund të periudhës që është 31 dhjetori 2018.

“Sipas analizës së të dhënave për tregun e fondeve të investimeve në 31.12.2018, vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 66.09 miliardë lekë me një ulje prej 6.63 miliardë lekë ose 9.12%, krahasuar me 31.12.2017. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 535 milionë Euro .

Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 61.25% të aseteve të fondeve, me një ulje prej 6.65% krahasuar me 31.12.2017. Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit më 31.12.2018 është 29,420 me një ulje prej 6.07% krahasuar me 31.12.2017” vlerëson AMF.

Gjatë vitit 2018, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre pesë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro”, fondi i investimeve “Raiffeisen Vizion” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest” dhe fondi “ËVP Top Invest” e cila administrohet nga shoqëria “ËVP Fund Management Tirana sh.a”.

Më herët gjatë vitit 2017 fondet e investimit njohën një rritje si në numër anëtarësh ashtu edhe në vlerë neto të aseteve. Nga ana e ekspertëve në atë kohë theksi do të vihej tek mundësia që ofronin këto fonde si një alternativë investimi në kushtet kur politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë e nisur prej kohësh u reflektua me një rënie të dukshme të interesit të depozitave. Pikërisht këto fonde ofronin një normë kthimi më atraktive për investitorët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button