Politika

Soreca: Djegia e mandateve nga opozita, kundër reformës në drejtësi dhe integrimit

 “Heqja dorë nga mandatet është dukshëm kundërproduktive për Shqipërinë dhe shkon kundër interesave të qytetarëve për reforma. 93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, që do të thotë se janë votues nga të gjitha krahët e Parlamentit”. Kështu deklaroi sot Ambasadori i BE-së, në Tiranë, Luigi Soreca në një intervistë për  Top Channel, duke u shprehu kundër bojkotit dhe lënies së mandateve nga opozita shqiptare.

Ai deklaron se vendimi i opozitës nuk çon në drejtimin e duhur dhe është kundër interesit të qytetarëve.

I pyetur lidhur me protestën e të shtunës organizuar nga opozita, diplomati i BE-së thekson se “e shtuna ishte një mundësi e shkëlqyer për të dhënë një mesazh të fortë politik nga opozita. Por, ajo çfarë pamë ishin disa dhjetëra protestues, që për fat të keq përdorën veprime të dhunshme dhe shkaktuan dëme ndaj pronës publike. Kjo është qartazi e papranueshme dhe është një mundësi e humbur”.

Sipas tij, fakti që nuk ndodhën incidente të mëdha, kjo ndodhi edhe në saj të aftësisë së Policisë së Shtetit shqiptar, e cila përdori forcë proporcionale për t’i frenuar protestuesit e dhunshëm, pa krijuar incidente dhe përshkallëzim të mëtejshëm.

Duke u rikthyer tek çështja aktuale e ditës ajo e djegies së mandateve nga opozita, Soreca vë në dukje se Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane dhe është vendi ku duhet të diskutohen dhe të çohen përpara debatet mbi reformat dhe zhvillimet përkatëse.

“Parlamenti nuk duhet bojkotuar. Dëgjuam njoftimin nga partitë opozitare, që deputetët individualë do të heqin dorë nga mandatet e tyre aktuale. Çdo deputeti individual i takon të vendosë vet se çfarë do të bëjë me përgjegjësinë që kanë marrë para votuesve të tyre, për të mbrojtur pozitat dhe interesat e tyre në Parlament. Kjo është detyra e tyre themelore. Është e qartë, megjithatë, se heqja dorë nga mandatet është dukshëm kundërproduktive për Shqipërinë dhe shkon kundër interesave të qytetarëve për reforma. 93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së, që do të thotë se janë votues nga të gjitha krahët e Parlamentit”.

Ambasadori deklaron se vendi është aktualisht i angazhuar në një rrugë të rëndësishme për reforma. “Qershorin e ardhshëm, ai do të gjykohet nga progresi i bërë në këto reforma. Pikë së pari, Reforma në Drejtësi, thelbi i të gjithë ringritjes së shoqërisë shqiptare. Këtu duhet të fokusohen të gjitha përpjekjet e shumicës dhe të opozitës. Për të ngritur të gjitha institucionet e Reformës në Drejtësi, e në veçanti SPAK-un dhe BKH-në”.

Ky objektiv i rëndësishëm, tha ai, duhet të udhëheqë vendimet e të gjitha partive politike.

“Bojkotimi i Parlamentit nuk shkon në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ne ftojmë si qeverinë, ashtu dhe opozitën, që të angazhohen në diskutime konstruktive, me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale dhe të garantojnë që vendi të vazhdojë në rrugën e tij të reformave. Nuk ka kohë për të humbur. Koha është tani”, përfundoi Soreca.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button