Ekonomia

Udhëzimi për impiantet fotovoltaikë, ministria dhe operatorët: Arsyet që na frenojnë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe operatorët e sektorit energjetik dhanë këtë të martë arsyet pse udhëzimi që hap rrugë për investimet në impiantet fortovoltaike për vetë konsum nuk është miratuar ende. Në një tryezë të përbashkët ekspertët nënvizuan se ka një sërë faktorësh që sot janë frenues dhe që kanë bërë që miratimi final të vonojë. Ministrja Belinda Balluku nënvizoi se udhëzimi është në fazë diskutimi të gjerë dhe se po synohet që ky aspekt të zgjidhet sa më shpejt por në mënyrë optimale. Sipas saj energjia nga fotovoltaikët një ndër nismat që po mbështetet dhe nxitet nga qeveria çka sigurisht do të pasoje edhe me miratimin e akteve të nevojshme ligjore që e rregullojnë atë.

Gjergj Simaku sqaroi se vonesa për udhëzimin ka ardhur si rezultat i ratifikimit të gjithë problematikave me operatorët për të gjetur një emërues të përbashkët dhe për të bërë më të mirën për konsumatorët. “Kjo është hera e parë që një konsumator sillet si prodhues dhe ne po shkojmë tek një risi për ligjin shqiptar dhe po tregojmë se nuk jemi të orientuar vetëm tek energjitë klasike hidro por kemi filluar në masë diversifikimin” tha Simaku.

Petraq Lika nga OSHEE nënvizoi se kompania publike e shpërndarjes ka qenë e fokusuar në lidhje me masat që duhet në merren në funksion të kësaj risie që po përqafon Shqipëria. “Po punojmë për fuqizimin e nënstacioneve në bashkëpunim edhe me OST. Të dy operatorët po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe jemi në rakordim të vazhdueshëm. Sigurisht që po shohim edhe pjesën e sigurisë së jetës së konsumatorit se edhe këto duhet të jenë pjesë e debatit. Duhet të ketë trupa të akredituar që do të ofrojnë zgjidhje të duhura në këtë aspekt. Njëkohësisht duhet të kemi parasysh edhe zhvillimin e protokolleve. Deri më tani kemi protokolle për formatet manuale ndërkohë që në vazhdim duhen edhe ato smart apo online” tha Lika.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Skerdi Drenova u shpreh se çdo individ duhet të lidhe kontratë mirëmbajte për mirëmbajtën dhe kontrollin e këtyre impianteve të vegjël apo të mëdhenj sepse kemi të bëjmë me një sistem delikat si nga aspekti teknik edhe nga siguria. Sipas tij duhet të ketë kompani të licencuara që do bëjnë kontrollin sipas kushteve që do vendosen nga OSHEE.

Përfaqësuesi tjetër i OSHEE Elton Sevrani nënvizoi se ka problematika që duhet të shihen me vëmendje. Jo çdokush sipas tij mund të lejohet të instalojë impiant por duhet të përmbushë një set kushtesh sepse në të kundërt dëmi që i sjell sistemit është i lartë. Ai solli në vëmendje pjesën e disbalancave që i shkakton një humbje të madhe sistemit nëse parashikimi me prodhimin real ka diferenca të theksuara.

“Vendimmarrjet pa studim fizibiliteti dhe pa elementët e rrjetit apo elementët e dibalancave që transmetohen në gjithë rrjetin elektroenergjetik kanë sjellë problematika. Kjo duhet të na shërbeje që në udhëzimin që do hartojmë këto elementë të jenë pjesë shumë strike e një kontrolli dhe certifikimi teknik që çdo autogjenerues nuk duhet të ketë të drejtën të instalojë por duhet të plotësojë një set teknik”, tha ai.

Në finale ministrja Balluku bëri me dije se në platformën e bashkëqeverisjes shumë shpejt do të ketë një debat të hapur me grupet e interesit për problemin e ngritur. Pak ditë më parë ky grup i nisi MIE një letër ku kërkonte miratimin e udhëzimit që i hap rrugë investimeve në fotovoltaikë për vetëkonsum.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button