Ekonomia

“EKMA Albania” i fruta-perimeve në Tiranë. Gjykata: Tregu të paguajë 420 mijë USD

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka lënë në fuqi gjobën prej rreth 420 mijë dollarë të Autoritetit të Konkurrencës për shoqërinë “EKMA Albania”, e cila administron tregun agro-ushqimor të shumicës në hyrje të Autostradës Tiranë-Durrës. Gjykata e ka cilësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova vendosjen e gjobës.

Abuzimi vërehet në çmimet e qirasë që janë disa herë më të larta se çmimet e aplikuara në këtë zonë, ndërkohë që tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.

Po ashtu norma e fitimit sipas raportit te Autoritetit të Konkurrencës është mjaft e lartë nga qiratë që aplikohen. Tjetër abuzim është ai me çmimet e energjisë dhe ujit që u faturohen tregtarëve, duke aplikuar tarifa shumë më të larta se ato të vendosura nga entet rregulluese. Një shkelje e hapur dhe e rëndë kjo pasi çmimet e ujit dhe dritave nuk mund te ndryshohen nga pale te treta.

Vjelja e gjobës do të bëhet pasi Gjykata Administrative e Apelit të shqyrtojë kërkesën e Autoritetit të Konkurrencës për sigurimin e padisë, dhe nëse kjo kërkesë rrëzohet gjoba ekzekutohet me marrjen e vendimit përfundimtar po nga Gjykata e Apelit.

Por përtej ekzekutimit të gjobës vendimi i Komisionit të Konkurrencës kërkon që kompania pronare e tregut “Ekma Albania” të hartojë kontrata të reja qiraje duke përdorur kushte të barabarta mes palëve.

Nëse kompania nuk zbaton vendimin, Autoriteti i Konkurrencës do të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës.

Vendimi çliron tregtarët që operojnë nga tarifat e padrejta. Ndërkohë nga ana tjetër autoritetet shtetërore duhet të vihen në lëvizje për hapjen dhe licencim e një tjetër tregu agro-ushqimor shumice ne kryeqytet me qëllim që situata monopol të marrë zgjidhje pasi të gjitha kostot përfundojnë ne çmimet që paguajnë qytetarët për të blerë fruta-perimet.

Në vitin 2015, një protestë e tregtarëve të Tregut Agro-Ushqimor për tarifat e larta të qerasë dhe shërbimeve të tjera të ofruara nga “Ekma-Albania” u shua shumë shpejt, pasi nuk gjeti mbështetjen e institucioneve shtetërore.

Megjithatë, disa prej tregtarëve ndoqën rrugën institucionale, duke raportuar abuzimet e kompanisë “Ekma” tek Autoriteti i Konkurencës. Ky institucion, pasi zhvilloi një hetim të thelluar administrativ, konstatoi një seri problematikash dhe, me vendimin e dt. 22 nëntor 2018, e gjobiti “Ekma-Albania” me ekuivalentin e 9.99% të xhiros vjetore të vitit 2017, e cila është përafërsisht 500 mijë euro.

Vendimi i zbardhur i Autoritetit të Konkurencës zbulon një “parajsë” fitimprurëse për kompaninë “Ekma”, e administruar nga Allajbeu.

Autoriteti i Konkurencës, në raportin e tij, shkruan: “Referuar pasqyrave financiare të ndërmarrjes për vitin 2017, vlerës së shitjeve në tregun përkatës, ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK rezulton të ketë një fitim në vlerë absolute prej 380,589,313 lekë dhe normë fitimi prej 76.1% para tatimit, ndërsa pas tatimit me një fitim në vlerë absolute prej 323,440,321 Lekë dhe normë fitimi prej 64.7 %.  Për vitin 2016 ndërmarja “EKMA Albania” SHPK ka patur një normë fitimi prej 75.4% para tatimit, dhe 64.1 % pas tatimit. Norma e lartë e fitimit e kësaj”.

Por, ky rezultat financiar, i cili e renditi “EKMA-Albanian” në vendin e parë, si kompania me normën më të lartë të fitimit për vitin 2017 në Shqipëri, është pasojë e “abuzimit me pozitën dominuese në treg”, konstaton Autoriteti i Konkurencës.

Sipas raportit analitik, rezulton se “EKMA-Albania” jep me qera ambjentet për tregtarët me vlerë 70-80% më të larta se çmimet e qerave në zonën përreth. Gjithashtu, “EKMA” aplikon një sistem abuzues për pagesat e faturave të energjisë elektrike dhe ujësjellësit për qiramarrësit. Autoriteti i Konkurencës ka konstatuar se tregtarët paguajë në favor të “EKMA”-s çmimin prej 20 lekë/këh, ndërkohë që vlera e tij nga OSHEE është 13.2 lekë/kwh.

E njëjta sjellje vihet re dhe në mënyrën e faturimit të ujit, i cili i faturohet kësaj ndërmarrjeje (Faturë UKT Mars 2018), vetëm me tarifë shërbimi prej 240 lekë në total (konsumi në m3 për muajin Mars 2018, sipas faturës përkatëse është 0), ndërkohë që tregtarët qiramarrës faturohen (nëpërmjet faturës së qirasë) me një tarifë prej 360 lekë/m3, deklaron Autoriteti i Konkurencës.

“Kjo sjellje e ndërmarrjes me pozitë dominuese, “EKMA Albania” SHPK, duke u imponuar qiramarrësve çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, si dhe duke i detyruar ata të pranojnë detyrime shtesë duke paguar një çmim më të lartë për energjinë elektrike dhe ujin nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE dhe UKT përbën abuzim me pozitën dominuese kundrejt tregtarëve qiramarrës të ambienteve të kësaj ndërmarrjeje, në kuptim të nenit 9 të Ligjit 9121/2003”, thotë Autoriteti i Konkurencës.

”Nisur nga këto të dhëna ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK supozohet se ka shlyer investimin në harkun e tre viteve. Këto të dhëna, janë një evidencë e qartë, e shfrytëzimit të pozitës monopol në tregun përkatës, nga ndërmarrja “EKMA Albania”, konkludon Autoriteti i Konkurencës, i cili, krahas gjobitjes me rreth 500 mijë euro, kërkon nga kjo shoqëri që të normalizojë raportet me qiramarrësit, në të kundërt, do të vijojnë penalitetet, sipas parashikimeve ligjore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button