Home / Rajoni / Maqedonia / Osmani: Maqedonia e Veriut fillon negociatat këtë vit

Osmani: Maqedonia e Veriut fillon negociatat këtë vit

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij dy-ditore në Bruksel ka takuar Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, me të cilën ka diskutuar tema të procesit të zgjerimit të BE-së dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut, në pritje të raportit të Komisionit Evropian dhe takimeve të qershorit të Këshillit të BE-së.

“Përveç Marrëveshjes së Prespës, kemi pasur sukses të madh edhe në arritjen e marrëveshjes historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si dhe konsensus substancional në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilat kemi zgjidhur të gjitha çështjet e mëdha politike të brendshme dhe të jashtme”, deklaroi Osmani, duke theksuar perspektivën evropiane si çështje kryesore për këtë sukses, që sipas tij, qartë sjell energji të idesë evropiane për transformimin pozitiv të shoqërisë.

“Maqedonia e Veriut nuk ka çështje të pazgjidhura politike dhe përsëri zë një vend qendror në Ballkan, si një partner kryesor i BE-së dhe NATO-s në promovimin e demokracisë dhe vlerave perëndimore në rajon”, tha Osmani.

“Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut këtë vit, pavarësisht forcimit të momentumit evropian në vend, do të paraqesë një sinjal të qartë për të gjithë rajonin, si shembull pozitiv dhe motivim për të mbyllur çështjet e pazgjidhura nëpërmjet dialogut, sinqeritetit politik dhe qasjes pozitive”, shtoi Osmani, duke përmendur dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si një nga sfidat më të rëndësishme politike në rajon.

Gjatë vizitës në Bruksel, Osmani takoi edhe komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn.

Pas përfundimit të vizitës së tij në Bruksel, zv/kryeministri Osmani do të udhëtoj në Vjenë, ku do të marrë pjesë në një takim të ministrave përgjegjës për çështjet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që mbahet në organizim të ministrit federal austriak për çështje evropiane pranë Zyrës Federale të Kancelarit, Gernot Blume.

Leave a Reply

%d bloggers like this: