Kronika

Skandal/MPJ pranon vjedhjen e pasaportave të emigrantëve në Greqi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagon lidhur me rastin e bllokimit të pasaportave shqiptare në Kakavijë dhe humbjen e 100 prej këtyre pasaportave në Greqi. Në reagimin zyrtar pranohet se pasaportat edhe janë bllokuar në kufi, si dhe një pjesë e tyre gjitashtu është vjedhur në Athinë.

“Në datë 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike”. Prandaj sqaron MPJ, edhe autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat.

“Pako me pasaportat shqiptare, u zhbllokua pas verifikimit të tyre dhe takimit të përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Janinë me autoritetet doganore greke. Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë. Dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë​ në Athinë. Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua”,- sqaron MPJ.

Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:Kqyrja e ambientit dhe makinës;Marrja e shenjave të gishtërinjve; Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë gjithashtu se ka nisur menjëherë të gjitha procedurat hetimore dhe administrative për të ndëshkuar në mënyrë rigoroze, sipas shkallës së shkeljes, përgjegjësit për këto praktika që shkojnë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi.

Po ashtu thuhet se të gjithë qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar do të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja do të bëhet me urgjencë.

“Ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë ALEAT, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimi dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre”,- sqarohet më tej.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button