Ekonomia

Charter-at, shqiptarët “velen” me Turqinë, Europa dyndet në Shqipëri

Antalia ka qenë një destinacion mjaft i preferuar i shqiptarëve për të kaluar pushimet e verës. Sidomos në 2017-n, udhëtimet me charter drejt Antalias u rritën me 53%, kurse numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 63 mijë persona.

Në 2015-n, numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter ishte rreth 35 mijë. Ai shënoi rritje me 18% një vit më pas, në 2016-n, edhe pse Turqia u përfshi në një valë terrorizmi, që largoi pushuesit e huaj, por jo ata shqiptarë, që u joshën nga tarifat më të ulëta.B

Por, në 2018-n, shqiptarët duket se u “velën” nga Turqia. Numri i pasagjerëve që udhëtuan drejt dhe nga Antalia u rrit me vetëm 1% në raport me vitin e mëparshëm i shpërndarë në periudhën maj-shtator, ku më i lartë ishte në gusht, me gati 26 mijë pasagjerë. Agjencitë turistike pohojnë se shtrenjtimi i paketave në Antalia ka stepur pushuesit, ndërsa një destinacion i preferuar u bë dhe Greqia. Turizmi i diellit po zëvendësohet edhe nga ai kulturor, ku shumë shqiptarë preferojnë që të mos “shullëhen” vetëm në diell, por të kalojnë pushimet, duke vizituar kryeqytetet e Europës, apo drejt destinacioneve ekzotike që po kthehen në preferencë vitet e fundit.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me charter në dhe nga Antalia

Në të kundërt, Shqipëria dy vitet e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, nga nordikët, polakët, çekët, ukrainasit, izraelitët etj. Udhëtimet me charter, të cilat janë aktive përgjithësisht vetëm në periudhën e verës, shënuan rekord këtë vit, me rreth 230 mijë pasagjerë, -duke përjashtuar trafikun nga Antalia -, me rritje 153% në krahasim me vitin e mëparshëm. Sezoni i charter-ave fillon që në maj, dhe arrin kulmin në qershor, korrik e gusht. Në 2018-n ishte pozitiv numri i lartë i fluturimeve me charter edhe në shtator, duke dëshmuar për zgjatjen e sezonit turistik, që tradicionalisht ka qenë i kufizuar vetëm në tre muajt e verës.

Rekordin e mbajnë polakët, me tre destinacione, Katovicë, Varshavë dhe Poznan, me rreth 96 mijë pasagjerë në total në të dy drejtimet. Më pas renditet linjat charter me Pragën e Kievin, që transportuan rreth 15 mijë pasagjerë në total, të ndjekura nga Tel Aviv me rreth 12 mijë.
Nordikët ishin një tjetër treg i ri në 2018-n. Me linjë direkte nga Oslo që transportoi mbi 11 mijë pasagjerë në udhëtimin drejt Shqipërisë dhe më pas kthimin në vendin e tyre dhe Suedia, me rreth 6,700 pasagjerë.

Këtë vit, numri i polakëve nuk pritet të jetë kaq i lartë. Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”, shprehet se agjencia Tui këtë vit do të sjellë nga Polonia 7 charter-a në javë, nga 10 vitin e kaluar. Nordikët ishin tendenca e 2018-s, por dhe nga agjencia Apollo këtë vit do të ketë më pak turistë dhe ka deklaruar se, nëse nuk do të përmirësohen kushtet (kryesisht në infrastrukturë, shërbim, cilësinë ushqimore) do të ketë përgjysmim ose do të ikin fare nga Shqipëria. Reduktimi i polakëve dhe nordikëve pritet të zëvendësohet me hungarezët, ukrainasit, zviceranët, anglezët, të cilët kanë pasur kërkesa për Shqipërinë këtë vit.

Destinacioni: Shqipëri

Shqipëria dy vitet e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, nga nordikët, polakët, çekët, ukrainasit, izraelitët etj. Udhëtimet me charter, të cilat janë aktive përgjithësisht vetëm në periudhën e verës, shënuan rekord këtë vit, me rreth 230 mijë pasagjerë (përjashtuar trafikun me Antalian).

Turizmi nxit konsumin

Shqipëria u kthye në një destinacion të preferuar të europianëve dhe jo vetëm. Turistët kanë shpenzuar për hotele, ushqime, pije, udhëtime, argëtim, apo dhe për blerjen e suvenireve të vendit të shqiponjave. Sipas INSTAT, numri i vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar u rrit me rreth 16% në 2018-n, në raport me një vit më parë. Gjatë vitit 2018, rreth 5.6 milionë shtetas të huaj e vizituan vendin tonë për qëllime pushimi, krahasuar me 4.6 milionë turistë që erdhën më 2017.

Të dhëna të tjera të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar-shtator, të huajt kanë sjellë në vend 1.47 miliardë euro, niveli më i lartë rekord i regjistruar ndonjëherë. Në raport me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 12%. Vetëm në tremujorin e tretë, që përkon me kulmin e sezonit turistik në vend, turistët dhe të huajt shpenzuan në vend 863 milionë euro, me një zgjerim prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për 9-mujorin, bilanci i udhëtimeve ka qenë pozitiv për Shqipërinë, me të ardhurat neto që kanë mbetur në vend prej 359 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 6%. Ky bilanc është rritur me shpejtësi, që nga 2013-a kur ai ishte negativ (d.m.th. shqiptarët shpenzonin më shumë jashtë sesa të huajt tek ne), duke reflektuar rritjen e shpejtë të turistëve. Shtimi i turistëve, nga ana tjetër, po nxit dhe investimet në këtë sektor. Edhe sezoni turistik është zgjatur, pasi prenotimet fillojnë nga maji deri në tetor.

Sipas INSTAT, Kosova vijoi të jetë furnizuesi kryesor i turizmit ku gjatë vitit të kaluar mbi 1 milion shqiptarë, nga ana tjetër e kufirit pushuan në Shqipëri, me një rritje 19% në raport me vitin 2017. Turizmi patriotik vijon të furnizojë tregun vendas, pasi shqiptarët që jetojnë në Maqedoni janë grupi i dytë më i madh i turistëve, me rreth 680 mijë vizitorë më 2018, po me një rritje të zbehtë vetëm 1.4% në raport me vitin 2017. Më pas renditen shtetasit nga Italia, Greqia e Mali i Zi.

Edhe pse numri i vizitorëve nga shtetet e Europës Perëndimore është ende i ulët, rritja më e madhe e vizitorëve është shënuar për polakët. Gjatë vitit 2018, numri i turistëve nga Polonia është rritur me 34.2% në krahasim me një vit më parë. Vendin e vizituan 153,7 mijë polakë. Rritja me ritme të përshpejtuara e turistëve nga Polonia po rrit gjithnjë e më shumë peshën e tyre në numrin total të vizitorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button