Ekonomia

“Bankers Petroleum”, shpim rekord pusesh, 6 % më shumë prodhimi i naftës në 3-mujorin e tretë

Puse-nafteProdhimi mesatar nga fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës në Shqipëri për 3-mujorin e tretë, arriti në 21,865 fuçi/ditë naftë, me një rritje prej 6% më shumë se në tremujorin e dytë, ku u arrit prodhimi 20,630 fuçi/ditë, njofton sot kompania kanadeze “Bankers Petroleum” në të dhënat operacionale të tremujorit të tretë.
Rekordi i shitjeve në 3-mujorin e tretë arriti mesatarisht 22,003 fuçi/ditë, me rritje 1.7% më shumë se tremujori i mëparshëm. Në bazë vjetore, në 9 muaj, shitjet mesatare ishin në 20,701 fuçi/ditë, ose 13.9% më shumë se shitjet mesatare në 2013-ën.
Çmimi mesatar i naftës në zonën e Patos-Marinzës gjatë tremujorit të tretë ishte rreth 78.66 $ për fuçi (që përfaqëson 77% të çmimit të naftës Brent prej $101.85 për fuçi), ndërsa në tremujorin e dytë, çmimi mesatar shënonte 86.68 $ për fuçi (79% të çmimit të naftës Brent prej 109.63 $ për fuçi).
Shitjet e naftës bruto në eksport gjatë tremujorit të tretë përbëjnë shumicën e shitjeve të përgjithshme, 72% me një çmim mesatar eksporti sa 80% e çmimit të naftës Brent.
Në muajin gusht, “Bankers Petroleum” nisi t’i rishesë naftë bruto rafinerisë vendase, ARMO, me një kontratë të përkohshme, që mundëson rinisjen e rafinerisë si dhe për të testuar aftësinë komerciale të sistemit të ARMO-s, që është nën pronësi të re. “Bankers Petroleum” në bazë të kësaj kontrate bije dakord, që ti shesë ARMO-s naftë në bazë mujore për jo më shumë se 6 muaj në kuotën 73% të çmimit Brent, ku të gjitha shitjet garantohen plotësisht me letra kredie.
Kompania “Bankers Petroleum” njoftoi sot gjithashtu se ka arritur një rekord me 45 puse të shpuar gjatë 3-mujorit të tretë në zonën kryesore të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, prej të cilëve, 44 janë puse horizontale prodhimi si dhe është shpuar pusi i parë multi-lateral. Prej 45 puseve, deri sot 35 janë në prodhim, ndërsa 10 të tjerë do të nisin prodhimin gjatë muajit tetor.
Sipas programit që ka kompania për nxjerrjen e naftës me Metoda Dytësore, po ecin normalisht modelet e injektimit të polimerit dhe ujit në fushën e Patos-Marinzës, ku 18 strukturat e polimerit dhe 3 strukturat e ujit të instaluara në fund të 3-mujorit të tretë vazhdojnë të japin rezultate pozitive, ndërsa 9 puse u konvertuan në injeksion me polimer, duke plotësuar para afatit programin e konvertimit të planifikuar për 2014-tën.
Deri sot, “Bankers Petroleum” ka realizuar 3 injektime me ujë në zonën e Marinzës së Sipërme në rajonin qendror, 12 injektime me polimer në zonën e Ulët të Drizës në rajonin jugor dhe 6 injektime polimeri përhapur në mënyrë të barabartë në të tre zonat e Ulëta të Drizas në rajonin qendror të fushës së Patos-Marinzës.
Për vitin 2015, nisur nga potenciali i modeleve shtesë të injektimit të polimerit në zonën e Patos-Marinzës, kompania po vijon me prokurimin për polimerin kimik, pajisje përzierëse dhe pompa për të mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të programit për vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, gjatë 3-mujorit të tretë, 30 puse u kthyen me energji elektrike në zonat veriore dhe qendrore të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës në përputhje me strategjinë për të zvogëluar shpenzimet e energjisë. Programi i elektrifikimit do të përshpejtohet 3-mujorin e katërt për të elektrifikuar 60-75 puse shtesë.
Projektet e mbledhjes së emulsionit në zonat veriore dhe perëndimore të fushës kryesore po përparojnë me planet e inxhinierike të përfunduara dhe pajisjet tashmë të porositura. Të dy projektet janë në rrugën e duhur për të përfunduar në gjysmën e parë të 2015.
“Bankers Petroleum” mbetet i fokusuar në projekte të rëndësishme të infrastrukturës, me qëllim, reduktimin e kostove, optimizmin e operacioneve që përfshijnë mbledhjen e sistemit të gazit, depozita të reja, trajtimin e emulsionit dhe të aciditeteve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button