Kryeartikull

Kurthi i opozitës si minë me sahat dhe rreziku i ’96-ës

Nga Carlo Bollino

Vendimi i opozitës për të djegur në masë të gjitha mandatet parlamentare është një zgjedhje politike pa precedent, deri aty sa që as Kushtetuta nuk parashikon një zgjidhje të qartë për një rast si ky. Është pikërisht në këtë boshllëk të Kushtetutës dhe duke përfituar nga mungesa (momentale) e një Gjykate Kushtetuese, e cila mund të ndihmonte të plotësohej, që fshihet kurthi i përgatitur nga opozita, si një minë me sahat që ende nuk ka shpërthyer. Në fakt, Kushtetuta kufizohet të parashikojë që Parlamenti përbëhet nga 140 deputetë, por nuk shpjegon se çfarë ndodh nëse 57 deputetë në një ditë të vetme vendosin të japin doëheqjen.

Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk do të kishte mundur të ndodhte në vende të tjera. Në Itali, për shembull, është në fuqi që nga viti 1957 një dekret i presidentit të Republikës, që ia nënshtron dorëheqjen e parlamentarëve votimit në Parlament: praktikisht, për t’u dorëhequr, një deputet duhet t’i kërkojë leje shumicës së deputetëve. Një akt respekti ndaj Parlamentit, ndaj zgjedhësve të cilëve u ka kërkuar votën dhe ndaj vendit. Por ajo çka parashikon ligji shqiptar është krejtësisht e pamjaftueshme për të zgjidhur problemin, pasi kufizohet në sugjerimin që, në rast dorëheqjeje, emërohet i pari në listë nga ata që nuk u zgjodhën.

Operacion i thjeshtë në rastin kur dorëheqjen e jep një deputet i vetëm, por tmerrësisht i ndërlikuar kur ata që dorëhiqen janë shumë dhe sidomos kur partitë u kanë dhënë urdhër të gjithë pjesëtarëve të listës të refuzojnë propozimin e mandatit. Aktualisht, KQZ po përgatitet të kontaktojë 147 kandidatë të regjistruar në listën e PD dhe 128 të regjistruar në atë të LSI, të cilët nuk u zgjodhën në zgjedhjet e 2017-ës, për të kuptuar se sa nga ata do të pranojnë të bëhen deputetë. Një pyetje në vetvete paradoksale në një demokraci moderne, po të mendosh se ata 279 kandidatë dikur zgjodhën vetë të ishin pjesë të listave pikerisht me shpresën se do të bëheshin deputetë.

Në përfundim të këtyre konsultimeve, do të bëhen llogaritë për të kuptuar se sa do të kenë pranuar të mos u binden partive dhe të pranojnë mandatin, megjithëse nuk duket e mundur që numri i tyre të mjaftojë të plotësojë kufirin kushtetues prej 140 deputetësh në sallë. Në rast se numri i vendeve që do të mbeten bosh në sallë do të jetë sërish shumë i lartë (sikurse shpresojnë Luli dhe Monika), këtu nis kurthi. KQZ (në krye të të cilit gjithnjë është Klement Zguri, i propozuar në maj 2017 nga Partia Demokratike) mund të vendoste ta interpretonte në mënyrë ekstensive ligjin për zëvendësimin e të dorëhequrve dhe të fillonte t’u ofronte mandatet e lëna të lira partive të tjera, të cilat në vitin 2017 kaluan pragun e 3% (janë, në fakt, të vetmet që kanë të drejtë të hyjnë në Parlament). Problemi është që, veç PSD në Shkodër, asnjë tjetër nuk ka arritur kuorumin, me përjashtim të Partisë Socialiste. Si rrjedhojë, ekziston rreziku që, në rast se Edi Rama nuk parashikon të marrë kundër-masa, duke ua ndaluar kandidatëve të tij të pranojnë mandatin, Parlamenti do të mbushet nga ana e KQZ me dhjetëra deputetë socialistë të rinj. Krijimi i një Parlamenti de facto monoparti faktikisht do të ishte triumfi i planit të opozitës dhe konfirmim i aspiratave totalitare, që PD dhe LSI i atribuojnë Ramës.

Për qeverinë në pushtet ky duket skenari më i keq i mundshëm, që do të sillte në mendje atë çka doli nga zgjedhjet e 1996-ës, kur tërheqja e komisionerëve socialistë gjatë votimeve (në formë proteste për manipulimet që bëri Berisha) solli një fitore aq të madhe të Partisë Demokratike, sa ta diskreditonte krejtësisht Parlamentin e ri dhe partinë që e dominonte. Për t’u mbajtur mend ishte shpjegimi i një lideri të PD, i cili pranoi se “në fakt, pas tërheqjes së komisionerëve të opozitës, djemtë tanë e ekzagjeruan pak me votat”. Si të thuash se të vjedhësh votën ishte e ligjshme, por nuk duhej ekzagjeruar.

Për të shmangur kurthin, mbetet një rrugë e vetme: mazhoranca të ruajë numrin aktual të deputetëve (pa bërë të njejtën gafë, me babëzi të panevojshme, që bëri Berisha më 1996) dhe punimet e Parlamentit të vazhdojnë me ata pak që mbeten nga opozita, në pritje që një autoritet i tretë (si psh Komisioni i Venecies, në mungesë të përkohshme të Gjykatës Kushtetuese) të sqarojë nëse një Parlament me më pak se 140 deputetë është apo jo i ligjshëm. Në rast se përgjigja do të ishte negative, nuk do të kishte rrugë tjetër veç të shpërndahej Parlamenti dhe të shkohej në zgjedhje të parakohshme, por pa qeveri teknike dhe me Edi Ramën në detyrë si kryeministër, pra me kushte shumë larg objektivit që kërkonte të arrinte opozita.

Në këtë pikë, Partia Demokratike mund të kërcënonte prape se do të bojkotonte zgjedhjet dhe vendimi edhe një herë do t’u kthehej arbitrave ndërkombëtarë, asnjë prej të cilëve deri tani nuk ka shprehur asnjë lloj mbështetjeje për zgjedhjen e sabotimit të vendosur nga Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Ndërkohë, politika do të merrte shkas nga kjo krizë për të ndryshuar dhe forca të reja alternative do të mund të zbrisnin më në fund në fushë. Në fund të fundit, në vitet ’90 asnjë italian nuk mund të imagjinonte që, pas 45 vjetësh, të zhdukej pa pritur nga Parlamenti një parti si Demokracia Kristiane, e shpërbërë ndërkohë nga hetimet e prokurorisë. Apo që në në Italinë e vitit 2017 mund të bëhej pakicë e papërfillshme Partia Demokratike e Renzi-t dhe PDL e Berlusconi-t, të shkrira nga paaftësia dhe nga zgjedhjet vetëvrasëse të liderëve të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button