Politika

Rama: Nuk tërhiqemi nga kontrata me qytetarët, opozita frikë nga drejtësia

“Ne nuk tërhiqemi nga kontrata që kemi me qytetarët, ndërsa opozita ka frikë nga drejtësia” deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Lushnja.

“E dëgjoj nga shumë njerëz që takoj që druhen se mos ne tërhiqemi nga kontrata që kemi me ju dhe shumicën dërrmuese të shqiptarëve që na e dhanë votën të qeverisim të vetëm dhe jo me partitë që pushtetin e kthyen në një tepsi të madhe”, – tha Rama.

Kryeministri siguroi se “ne nuk tërhiqemi nga detyrimi për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi”. “Sot ata që kanë ikur nga parlamenti vijnë te dera dhe thonë se: ‘jemi populli’. Sepse i gënjen mendja se do të fshihen mes popullit, kur të vij dita të japin llogari para Drejtësisë”, – tha Rama.

Sipas tij, “qeveria ka detyrimin të bëjë atë duhet për të pasur një sistem drejtësie të drejtë, por me ata do të merret drejtësia”.

“Kemi nisur një reformë në drejtësi për të cilën ishim gati të prishnim edhe qeverinë me ata që kishim dje në krah, sepse nuk e donin. Sot, janë dhjetëra gjykatës e prokurorë që drejtësinë e ishin kthyer në ndërmarrje fitimprurëse që janë jashtë pallatit të drejtësisë.  Kjo është faza kur po ndahen gjykatësit dhe prokurorët e ndershëm dhe me integritet me ata që do të përgjigjen para sistemit të ri për të gjitha ato që kanë bërë”, – tha Rama.

Shqipëria, vijoi Kryeministri, “nuk është pafund vendi që kush bën zullume ia del, dhe kush është i ndershëm dhe i drejtë nuk nxjerr dot fundin e muajit”.

“Ata zgjodhën të ikin dhe ne nuk mundemi veçse t’u urojmë udhë të mbarë, pavarësisht se udha e tyre është e mbrapsht dhe do të pendohen”, – shtoi Rama, duke komentuar djegien e mandateve nga opozita.

“Opozita e braktisi fushëbetejën e dijeve, programeve, alternativave në parlament, sepse ata e dinë se betejat me ne nuk i fitojnë dot”.

Rama tha se “1 vit e gjysmë më parë ne u dhamë atyre çelësat në duar dhe gjysmën e qeverisë, Ministrinë e Brendshme dhe një administratë të madhe ku ata mendonin se ne merrnim zgjedhjet”.

“Morën edhe ca drejtori të mëdha dhe gjithçka që kërkuan vetëm që kush të fitonte të vinte në qeveri dhe kush të humbte të bënte opozitën”, – tha Rama.

Kjo sipas tij, “u bë pikërisht që zgjedhjet të mos kontestoheshin dhe të mos shahej më Shqipëria në gjuhë të huaj”.

“Ata humbën. E kaluan verën të trullosur nga humbja, filluan hesapet me njëri-tjetrin dhe filluan prapë avazin e vjetër duke nxirë Shqipërinë në gjuhë të huaj. Turp!” – tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button