BotaOpinion

Si duhet “ribërë” Evropa

Slavoj Zizek

E vetmja mënyrë për të ringjallur “formulën” për Evropën, është ta rishpikim atë në një formë shumë më radikale, në një formë që përshtatet me gjendjen e sotme dhe me sfidat e reja ekologjike dhe sociale. E vetmja mënyrë për të shpëtuar atë që ia vlen të shpëtohet nga e kaluara, është të ecet përpara.

Disa ditë më parë, një grup prej 30 shkrimtarësh, historianësh dhe fitues të çmimit Nobel – duke përfshirë Bernard-Henri Levin, Milan Kunderën, Salman Rushdi, Orhan Pamukun, Mario Vargas Llosan dhe Adam Miçnik – publikuan një manifest në disa gazeta në mbarë Evropën.

Ata pohuan se Evropa si një ide, është “duke u shpërbërë para syve tanë”. “Tani duhet të luftojmë për idenë e Evropës, ose do ta shohim atë të zhduket nën dallgët e populizmit. Ne duhet të rizbulojmë vullnetarizmin politik, ose të pranojmë që pakënaqësia, urrejtja dhe lidhja e këtyre pasioneve të trishtuara të na rrethojë dhe fundosë”.
Ky manifest, ka plot të meta:mjafton një lexim i vëmendshëm, dhe e kupton se përse po lulëzojnë populistët. Nënshkruesit e tij – ajka e inteligjencës evropiane liberale – e shpërfillin faktin e pakëndshëm, që edhe populistët paraqesin veten si shpëtimtarë të Evropës.
Në korrikun e vitit të kaluar, pas pjesëmarrjes së një takimi të tensionuar me udhëheqësit e BE-së, Donald Trump foli për Bashkimin Evropian si i pari në rreshtin e “armiqve” të SHBA-së, përpara Rusisë dhe Kinës. Pasoi një nxitim për ta denoncuar këtë pretendim si të paarsyeshëm (“Trump po i trajton aleatët e SHBA-ve më keq se armiqtë e tij” etj).
Por në vend të kësaj, ne duhet të shtrojmë disa pyetje të thjeshta. Çfarë e mërzit aq shumë Trumpin me BE-në? Për çfarë Evrope është duke folur ai? Kur u pyet nga gazetarët rreth emigrantëve që vijnë në Evropë, Trump u përgjigj si një populist anti-emigrantëve që ai është:emigrantët po e rrënojnë strukturën e mënyrës evropiane të jetesës; ata përbëjnë një rrezik për identitetin shpirtëror evropian.
Shkurt, ishin njerëz si Orban i Hungarisë apo Salvini i Italisë, që po flisnin përmes tij. Askush s’duhet ta harrojë që edhe ata duan të mbrojnë Evropën. Pra, cila është ajo Evropë, që e mërzit aq shumë Trumpin dhe populistët evropianë? Është Evropa e njësisë transnacionale, Evropa pak e vetëdijshme që për të përballuar sfidat e kohës tonë, ne duhet të lëvizim përtej kufizimeve të shteteve-kombe.
Është Evropa, që përpiqet me dëshpërim t’i qëndrojë besnike motos së vjetër të Iluminizmit për solidaritet me viktimat, Evropa që është në dijeni të faktit se njerëzimi është sot Një, dhe se të gjithë gjendemi në të njëjtën barkë (ose siç themi, në të njëjtën ‘anije kozmike; që quhet Tokë).
Evropa që beson se mjerimi i tjetrit, është gjithashtu edhe mjerimi ynë. Këtu duhet të përmendim Peter Sloterdijk, i cili vuri në dukje se sfida sot është, si të sigurojmë mbijetesën e arritjeve më të mëdha ekonomiko-politike të Evropës moderne, dhe shtetin socialdemokratik të mirëqenies sociale.
Sipas Sloterdijk, realiteti ynë është – së paku në Evropë – një “demokraci sociale objektive”, që i kundërvihet demokracisë sociale “subjektive”:duhet të dallojmë demokracinë sociale si një mburojë e e partive politike, dhe demokracinë sociale si “formulë e një sistemi”.
Në një artikull të vitit 2009, Sloterdijk shkruante se formula social-demokratike “përshkruan pikërisht rendin politiko-ekonomik të gjërave, që përcaktohet nga shteti modern si shteti i taksave, si shteti i infrastrukturës, si shteti i sundimit të ligjit dhe jo e fundit për nga rëndësia, si shteti social dhe shteti si terapi”.
“Ne kemi kudo një demokraci sociale fenomenale dhe strukturore, një manifest publik dhe një tjetër të fshehur, njëra që shfaqet si një parti dhe një tjetër që pak a shumë është ndërtuar në mënyrë të pakthyeshme në definicionet, funksionet dhe procedurat e shtetësisë moderne si të tilla”.
Ideja që bazohet tek Evropa e bashkuar, u korruptua, gjysmë u harrua, dhe është vetëm në një moment rreziku, ne jemi të detyruar të rikthehemi tek ky dimension thelbësor i Evropës, në potencialin e saj të fshehur. Evropa qëndron si nën kudhër mes Amerikës nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, të cilat duan ta copëtojnë:si Trump ashtu edhe Vladimir Putin mbështesin Brexit, por edhe mbështesin euroskeptikët në çdo cep, nga Polonia në Itali.
Çfarë problem kanë ata me Europën, kur ne të gjithë e dimë mjerimin ku zhytet vazhdimisht BE-ja pas çdo prove:nga pamundësia e saj për të zbatuar një politikë të qëndrueshme rreth emigrantëve, tek reagimi i saj mjeran ndaj luftës së tarifave tregtare që ka nisur Trump?
Sigurisht që nuk është Evropa ekzistuese, por ideja e Evropës që ringrihet mbi të gjitha mosmarrëveshjet, dhe bëhet e dukshme në momente rreziku. Problemi me Evropën, është se si të mbetet besnike ndaj trashëgimisë së saj emancipuese, kur kërcënohet nga sulmi konservatoro-populist. Pra, si duhet të bëhet kjo?
Në “Shënimet e tij mbi Përkufizimit e Kulturës, shkrimtari Tomas Eliot, një konservator i madh, vë në dukje se ka asnjë moment kur zgjedhja e vetme është ajo midis herezisë dhe mosbesimit, kur e vetmja mënyrë për të mbajtur të gjallë një fe, është që ajo të kryejë një ndarje sektare nga kufoma kryesore.
Kjo është ajo që duhet të bëhet sot:mënyra e vetme për të mposhtur realisht populistët, dhe për të shpëtuar atë që është e vlefshme, për të shpëtuar demokracinë liberale, është të bëhet një ndarje sektare nga kufoma kryesore e demokracisë liberale. Ndonjëherë, me fjalë të tjera, mënyra e vetme për të zgjidhur një konflikt, nuk është të kërkosh kompromis, por ta radikalizosh pozicionin tënd.
Duke u kthyer tek letra e 30 iluministëve liberalë:ajo që ata refuzojnë të pranojnë, është se Evropa, zhdukjen e të cilës ata i frikësohen, dhe që ka humbur tashmë në mënyrë të pakthyeshme. Kërcënimi nuk vjen nga populizmi:populizmi, është thjesht një reagim ndaj dështimit të establishmentit liberal të Evropës, për t’i qëndruar besnik potencialit emancipues të Evropës, duke ofruar rrugë të gënjeshtërta për zgjidhjen e problemeve të njerëzve të zakonshëm.
Pra, mënyra e vetme për të mposhtur vërtetë populizmin, është t’ia nënshtrosh vetë establishmentit liberal, politikës së tij aktuale, një kritike të pamëshirshme nga pikëpamja e asaj “formule socialdemokratike” që krijoi establishmenti në kthesën e tij neoliberale.
Kjo nuk do të thotë që ne thjesht mund të kthehemi në kohërat e vjetra të shtetit të mirëqenies sociale:e vetmja mënyrë për të ringjallur “formulën” për Evropën, është ta rishpikim atë në një formë shumë më radikale, në një formë që përshtatet me gjendjen e sotme dhe me sfidat e reja ekologjike dhe sociale. E vetmja mënyrë për të shpëtuar atë që ia vlen të shpëtohet nga e kaluara, është të ecet përpara.
“The Indipendent”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button