Ekonomia

BERZH, Kolanjeli: Kriza politike, impakt negativ tek investitorët e huaj!

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është e shqetësuar mbi ndikimin që do të prodhojë kriza aktuale politike në ekonominë shqiptare. Në një intervistë për RTSH-në, drejtori i BERZH-it në Shqipëri, Mateo Kolanjeli, thote se konflikti politik po dëmton imazhin e vendit, në sytë e investitorëve.

“Mendoj qe ka patjeter impakt negativ. Sa më shumë të zgjasë kjo pasiguri politike më keq do të bëhet për klimën e investimeve. Kështu që nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik do të ishte në interes të Shqipërisë të gjejë një zgjidhje për siuatën aktuale politike, që do t’i lejonte investitorëve por edhe konsumatorëve të vazhdonin të kontribonin në rritjen ekonomike të vendit” -tha Kolanjeli.

Konflikti politik, përkon me një vit sfidues për Shqipërinë. Ekonomia do të testojë aftësitë e saj për t’u rritur me përfundimin e dy projekteve të mëdha të investimeve në energji, gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Ndaj kriza nuk e ndihmon aspak vendin në një kohë kur edhe BERZH-ja thekson se zëvendesimi i tyre është sfidues. “Mendoj se kjo duhet të ishte një sfidë për Shqipërinë, që të zëvendësojë këto dy projekte të mëdha të cilat janë në fund dhe japin një kontribut të lartë në rritjen ekonomike të vendit.

Mendoj që Shqipëria duhet vërtetë të fokusohet në përpjekjen për të tërhequr investitore, investorë të huaj, nëse është e mundur në manifakturë. Mendoj që këto janë llojet e investimeve që vendi mund të përfitojë për të krijuar kushtet për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ne shohim disa shenja pozitive, ne shohim që ka interes nga investitorë në manifakturë po ashtu në turizëm, por sigurisht që është një boshllek i madh të zëvendësosh dy projektet e mëdha që po lëmë pas, dhe kjo është një punë që i takon qeverisë ta bëje, të mbush atë.” tha ai.

BERZH është investitor i huaj, lider në Shqipëri, deri më sot, Banka ka investuar mbi 1 miliardë euro në projekte të ndryshme në vendin tone. “Këtë vit ne kemi një miksim të mirë projektesh në Shqipëri. Kemi financime të mëdha në projekte infrastrukture, në rrugë për shembull. Po ashtu kemi një projekt me Bashkimin Europian për turizmin në Shqipëri. Kjo do të përfshijë investime në infrastrukturë, për t’i dhënë më shumë akses turistëve në pika të ndryshme të vendit”- tha drejtori i BERZH-it në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button