Home / Kronika / Diploarkiva/ Si u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me SHBA

Diploarkiva/ Si u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me SHBA

28 vite më parë, me 15 mars 1991, midis Shqipërise dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rivendosën marrëdhëniet diplomatike të ndërprera që nga viti 1939.

Kjo ishte një ngjarje historike për Shqipërinë dhe orientimin e saj perendimor pas një periudhe të gjatë armiqësie që nga fillimet e Luftës së Ftohtë, 1946-1947, e deri në tronditjet e mëdha politike në Evropën Lindore e Qendrore në fund të viteve ’80-të e fillim të viteve ’90-të të shekullit XX .

Pas vdekjes së Hoxhës 1985, SHBA pritnin ndryshime në politikën e jashtme të Shqipërisë. Që të ndikonin për një ndryshim pozitiv  në marrëdhëniet e Shqipëris me SHBA, pas nje nderprerjeje prej 46 vitesh  në marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve dhe armiqësie në qëndrime, që në vitin 1985 zyrtarët amerikanë  testonin në mënyra të ndryshme Misionin shqiptar pranë OKB-së në New York duke shprehur dëshirën e tyre për vendosje kontaktesh dhe shkembime me Shqipërinë. Uashingtoni synonte  orientimin e Shqipërisë drejt perendimit për të shmangur rrezikun e mundshem të rihyrjes së saj në bllokun lindor. Këto përpjekie ajo i kërkonte edhe nga aleatët e tjerë të saj që kishin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.  Radio “Zeri i Amerikës” dhe “Evropa e Lirë” ndiqnin me vëmendje dhe analizonin gjendjen e brendshme në Shqipëri dhe politikën e saj të jashtme. Periudha 1986-1989 përkoi jo vetëm me një situatë tejet të rënduar ekonomike në Shqipëri si pasojë e vetizolimit të saj, por edhe me një klimë zbutjeje të marredhënieve politike Perendim-Lindje e shoqëruar me takimet Regan-Gorbacov  për ulje tensioni e rënie të  garës së armatimeve, procese që u pasuan nga fillimi i lëvizjeve demokratike në Evropen Lindore e Qendrore dhe permbysjen e qeverive komuniste në këto shtete.

Të gjitha këto rrethana do të ndikonin në qëndrimet e qeverisë shqiptare të kohës për një hapje të Shqipërisë drejt perendimit. Në v.1987 u vendosën marrëdhëniet me RFGJ. Gjatë v.1989, përveç deklaratave publike të disa zyrtarëve të lartë amerikanë  mbi dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërine, kjo ofertë u artikulua edhe nga diplomatë amerikanë në takime të ndryshme me përfaqësues të Shqipërisë. Qëndrimi i përfaqësuesve shqiptarë ishte i tërhequr për shkak të presionit politik që vinte nga Tirana zyrtare.

Në përpjekiet e Shqipërisë per tu antarësuar në KSBE ( sot OSBE), marrëdhëniet me SHBA dhe mbështetja e tyre ishin vendimtare. Në fillim të v.1990, MPJ filloi ti orientonte diplomatët e saj në New York që në punën e tyre  në OKB të zbutnin goditjet taktike  ndaj SHBA, të përdornin një gjuhë e lakuar e diplomatike duke ju përshtatur kohës, dhe të mos përdornin më slloganet e vjetra.  Pas deklaratës së qeverisë shqiptare lidhur me interesin e Shqipërisë për rivendosje të marrëdhënieve diplomatke midis dy vendeve në fund të prillit 1990, në qershor  të këtij viti filluan diskutimet midis zyrtarëve amerikanë dhe Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së në New York. Takimi i dytë u be në 23 gusht 1990, pas ngjarjeve në ambasadat e huaja në Tiranë 2 korrik 1990 dhe pas ndryshimeve legjislative që ishin kryer për investimet  apo sigurimin e kapitaleve të huaja në vend. Takimet synonin të diskutonin modalitetet e mënyrës së rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, e cila do të kryhej nëpërmjet nënshkrimit të një Memorandumi dhe një Komunikate për shtyp. Ato zhvilloheshin mbi “…parimet e vendosjes së marrëdhënieve të barabarta e pa asnjë kusht paraprak”. Në takime u diskutuan edhe vlerëshmëria e marreveshjeve të nënshkruara gjatë viteve ’20-të – 30’të, dhe një pjesë e tyre e mire e tyre u lanë fuqi, gjë që nuk ishte pranuar të diskutohej nga pala shqiptare në v.1945-1946.

Në nentor 1990 për herë të parë në disa ambasada shqiptare në Evropë e Misioni në New York u ftuan edhe përfaqësues amerikanë me rastin e festës kombëtare.

Pas disa ndryshimeve që pala amerikane kërkoi ti bëheshin projekt-memorandumit në janar 1991, pala shqiptare i miratoi ato dhe propozoi që nënshkrimi i Memorandumit të bëhej me 15 mars 1991 në nivel zëvendësministri në Uashington.

Bisedimet para nënshkrimit u kryesuan nga Robert Kimmit, Zëvendës Sekretar i Shtetit që kryente funksionet e Sekretarit të Shtetit në mungesë të Bejkerit. Ndërsa Memorandumi u nënshkrua  nga Ministi i Jashtem i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, i cili kishte marrë detyrën me 22 shkurt 1991, dhe nga Ndihmes Sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe kanadeze Rajmond Seitz me 15 mars 1991. Dy javë më pas në Shqipëri do të zhvilloheshin zgjedhjet e para pluraliste ku do të merrnin pjesë edhe vëzhgues amerikanë.

Me 23 mars  1991 në Shqipëri mbërritën një grup funksionarësh  të Departamentit të Shtetit për procedurat  e hapjes së ambasadës në Tirane në godinën pronë të tyre, ku ate kohë përdorej nga  ambasada italiane.

Në fillim të qershorit 1991 si I Ngarkuar me Pune  a.i u emerua Kristofor Hill, i dërguari i parë amerikan në Shqipëri.  Ai do të pergatiste edhe vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri.

Në 30 prill 1991 mbërritën në Uashington I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë Sazan Bejo, i shoqëruar edhe nga dy diplomatë të tjerë që do të punonin për hapjen e ambasadës shqiptare në Uashington. Me 6 maj ata u pritën në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit Kamen. Ambasadori i parë shqiptar në  SHBA u emërua  Roland Bimo, i cili mori detyrën në vitin 1992.

Ambasada e SHBA në Tiranë u hap në 1 Tetor, 1991 me Kristofer Hill si I Ngarkuar me Punë dhe në dhjetor 1991 ai u pasua nga William Ryerson si Ambasadori i parë amerikan në Shqipëri.

Që nga kjo kohë, këto marrëdhënie kane njohur vetëm konsolidim dhe ecje para në të gjitha fushat.

Leave a Reply

%d bloggers like this: