Home / Ekonomia / Një kërcënim i mundshëm ndaj Pavarësisë së Bankës Qendrore të Italisë

Një kërcënim i mundshëm ndaj Pavarësisë së Bankës Qendrore të Italisë

Liderët populistë të vendit alarmojnë bankierët europianë

Banka e Italisë është konsideruar prej kohësh si një prej institucioneve më efikase dhe më të pakorruptueshme, që ndikon duke frenuar tendencat anarkike të Italisë. Por pas 9 shkurtit të këtij viti, mendimi ndryshoi si pasojë e kërkesave të dy zëvendëskryeministrave të vendit, shkruan The Economist.

Matteo Salvini, i cili drejton Ligën e Veriut, forcën e djathtë të vijës së ashpër, tha se donte “të rimerrte” menaxhimin e nivelit të lartë të Bankës Qendrore dhe të rregullatorit të Bursës së këmbimit, Consob. Ndërsa Luigi Di Maio i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) ka kërkuar “ndërprerje”. Të dy këta dyshojnë se Banka Qendrore ka dështuar në drejtim të mbrojtjes së investitorëve dhe të mbajtësve të depozitave
Disa ditë më parë, kabineti refuzoi miratimin për një afat të mëtejshëm gjashtëvjeçar të Luigi Federico Signorini, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm i cili ishte kryesisht përgjegjës për mbikëqyrjen bankare.

Menjëherë pas një veprimi të tillë, reagimet kanë qenë të shumta, sidomos edhe nga ato të vendeve të tjera, të cilat publikuan në media se kjo është një taktikë e koalicionit populist për të shtënë në duart e tij rezervat e arit të Bankës Qendrore në mënyrë që të financojë politikat e saj fiskale ekspansioniste.

Presidenti i Eurogrupit të ministrave të Financave, Mario Centeno dhe Komisioneri i BE-së për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, theksuan në mënyrë të veçantë nevojën për të ruajtur pavarësinë e bankave qendrore në zonën e monedhës së përbashkët. Vërejtjet e liderëve të koalicionit i drejtoheshin një audience specifike, një grupi aksionerësh, të cilët humbën para kur dy banka në rajonin e Venetos falimentuan në vitin 2017.

Qeveria u ka premtuar atyre se do t’i rimbursojë pjesërisht. Por rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore mund ta parandalojnë atë. Qëndrimi kundër Bankës Qendrore u mundësoi liderëve të fitojnë mbështetjen e një audience të pakënaqur. Qëndrimi ishte pika e vetme mbi të cilën partia e Ligës së Veriut dhe Lëvizja pesë Yjet binin dakord me njëra-tjetrën krahasuar me numrin e madh të çështjeve mbi të cilat ata nuk binin dakord.

Dhe rezultati i zgjedhjeve rajonale në Abruzzo më 10 shkurt të këtij viti e shtoi presionin mbi partneritetin e tyre të lëkundur.
Kandidati për guvernator nga Lëvizja Pesë Yjet (M5S) mezi arriti të merrte 20%, një nivel më i ulët ky nëse do ta krahasonim me atë të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, ku kjo parti fitoi gati 40% të votave.

Retorikat e të dy liderëve si ajo e z. Salvini ashtu edhe ajo e z. Di Maio mund të jenë të ekzagjeruara, por shqetësimet e tyre janë reale. Në vitet e fundit, Italia ka përjetuar një numër të madh skandalesh në sektorin bankar. Disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë drejtim mund të jenë recesionet e njëpasnjëshme, keqmenaxhimi dhe madje edhe niveli i lartë i kriminalitetit. Por kjo nuk është hera e parë që fajësohet një Bankë Qendrore. Në vitin 2017, Partia Demokratike e qendrës së majtë që ishte atë vit në pushtet, u përpoq të bllokojë riemërimin e guvernatorit Ignazio Visco.

Marcello Messori, nga Universiteti LUISS në Romë, thekson se raporti kredi-depozita i bankave italiane përpara krizës së Eurozonës ishte 1.4, kundrejt një mesatare të zonës së euros nën 1.1. Ai sugjeron se rregullatori “duhet t’i bjerë kambanave të alarmit mbi këtë financim të tepërt”. Claudio Borghi, deputeti i partisë së Ligës së Veriut, ka qenë edhe ish-drejtor i Bankës Deutsche në Itali, dhe ai shprehet se nëse analistët e bankës së tij e dinin fare mirë se çfarë ishte duke ndodhur, si ka mundësi që analistët e Bankës Qendrore të Italisë nuk e dinin? Për shkak të mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve të posteve më të larta të Bankës dhe me rolin e kabinetit italian thjesht këshillues, është e dyshimtë nëse qeveria mund ta bllokojë për një kohë të gjatë riemërimin e Z. Signorini.

Leave a Reply

%d bloggers like this: