Politika

Mbledhja e grupit, porositë e Ramës ndaj deputetëve, Kongresi i PS më 23 mars

Partia Socialiste do mbajë kongresin e saj të radhës më 23 mars të këtij viti. Kjo u bë e ditur pas një vendimi të marrë të hënën në kryesinë e partisë. Kongresi pritet tu kushtohet zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Kreu i PS Rama do të paraqesi listën e këshilltarëve bashkiakë për Tiranën, por do të mësohen gjithashtu edhe emrat e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarëve në bashkitë e tjera. Deri tani janë rikonfirmuar në krye të Bashkisë së Tiranës zoti Erion Veliaj dhe Armando Subashi në Bashkinë e Fierit.

Të tjera detaje zbulohen gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS gjatë ditës së sotme. Mësohet se kryeministrit Edi Rama ka kërkuar nga deputetët dhe ministrat pjesëmarrje masive në Kongresin e PS në datën 23 mars.

Gjithashtu Rama ka kërkuar që në seancat e parlamentit të flasin të gjithë deputetët. Kryeministrit është shprehur se pavarësisht protestave të opozitës vendi ndodhet në normalitet parlamentar dhe kërkoi nga deputetët të nisin diskutimet në bashki në kuadër të zgjedhjeve lokale të qershorit.

“Jemi në normalitet parlamentar. Në seanca duhet të flasin të gjithë deputetët. Të nisin diskutimet për kandidatët për këshillat bashkiakë si dhe diskutimet në bashki”- ka thënë Rama.

Ndërkohë Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka folur për mediet në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, duke folur kryesisht mbi zgjedhjet lokale, të cilat ishin në fokusin e takimit.

“Kemi nisur konsultimet prej 8 muajsh për hartimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet lokale. Ne jemi në një aleancë bashkëqeverisjeje me qytetarët. Nuk kemi emra, por shumë shpejt do të kemi gati të 61 kandidatët për 61 bashkitë e vendit. Sa i përket opozitës, nuk besoj se do të qëndrojnë jashtë zgjedhjeve, por do të marrin pjesë në to”, tha Balla.

Ndërkohë, duke u ndalur te drejtësia, numri dy i Partisë Socialiste tha se drejtësia amerikane ka konstatuar me keqardhje, faktin se në Shqipëri drejtësia është marrë me “peshqit e vegjël”.

“Drejtësia nuk u mor kurrë me ‘peshqit e mëdhenj’ që përfituan nga fabrika e vdekjes në Gërdec. Ngjarja e Gërdecit është një krim shtetëror. Politika nuk ka më asnjë lloj ndikimi në institucionet e reja të drejtësisë. Kush kujton se drejtësia harron, e ka shumë gabim”, tha Balla.

Në mbledhjen e Kryesisë së socialistëve, Damian Gjiknuri u ngarkua si Sekretar për Çështjet Zgjedhore, që mbahej nga Bledi Çuçi, duke i takuar tashmë edhe detyra e koordinimit të punës për Reformën Zgjedhore.

Pikërisht për këtë të fundit pati një reagim nga Partia Demokratike.

“Damian Gjiknuri, sekretar për Reformën Zgjedhore në PS! Modeli i zgjedhjeve të Dibrës, modeli i blerjes së votes, i krimit, i intimidimit të votuesve, i parave të pista në fushatë, është modeli që kërkon Rama për të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme! Personi që duhej të ishte në burg, po të hetohej ‘dosja 184’, sot merr stafetën të jetë në krye të Reformes Zgjedhore! Edi Rama rikonfirmon vullnetin për zgjedhje të blera dhe të kapura nga ai, ku të mos pyesë për qytetarët, por vetëm për kriminelët dhe oligarkët që i sigurojnë pushtetin. Ky model do të shkulet nga qytetarët, që po tregojnë çdo ditë e më shumë që janë shumica, që nuk kanë frikë nga diktatori i ri, që do të rikthejnë demokracinë në këtë vend. Nuk do të ketë më zgjedhje me modelin ‘Dosja 184’, as ‘Dosja 339’, as ‘Dosja Habilaj’. Opozita dhe qytetarët e bashkuar kanë për të fituar betejën për demokraci”, shkruan Ina Zhupa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button