Bota

Pesë vite pas aneksimit të Krimesë: Euforia është shuar

Aneksimi i Krimesë në 16-18 Mars 2014 i siguroi politikës ruse një mbështetje rekord në popullsi. Pesë vite më vonë, kjo eufori ka kaluar, tani popullariteti i Putinit po bie, shoqëria është në dilemë.

Kur ekspertët rusë flasin për “bonusin” apo efektin e Krimesë e bëjnë këtë tani në kohën e shkuar. Vlerat e sondazheve të presidentit Putin kanë arritur sërish atë nivel që kishin para aneksimit të Krimesë. Ky aneksim, që në Kiev e quajnë “pushtim”, kurse në Moskë “ribashkim” në këtë fundjavë mbush 5 vjet. Para pesë vitesh burra të maskuar e të armatosur rëndë pa asnjë simbol identifikues morën pushtetin në Krime. Më 16 Mars 2014 qeveria ruse në një referendum antiligjor zhvilloi një referendum për ndarjen e Krimesë nga Ukraina. Më 18 Mars 2014 kreu i Kremlinit vulosi në mënyrë unilaterale “bashkimin” e Krimesë me Rusinë.

Rusët të entuziazmuar për aneksimin

Ky hap shkaktoi në Rusi një valë të rrallë euforie. Preferenca për Putinin u rrit në më shumë se 80%, më parë ai kapte në sondazhe vlera afër 60%. “Mund ta krahasoj këtë me eufori të madhe”, thotë Nikolaj Petrov nga Shkolla e Lartë Ruse për Ekonominë në Moskë. “Në vitin 2014 njerëzit kishin ndjesinë se gjithçka është e lejuar. Njerëzit ishin të dehur nga rikthimi i madhështisë së dikurshme. ” Konstantin Gaase nga Qendra Carnegie është i sigurtë që “efekti” Krime ishte unikal dhe i papërsëritshëm. “Çdo përpjekje për ta përsëritur atë do të dështonte.” Ndërsa Aleksej Titkov nga organizata joqeveritare Komiteti për Iniciativa të Shoqërisë Civile dallon dy grupe të rusëve që e mbështetën Putinin atëherë në aneksimin e Krimesë. Së bashku ato përbëjnë dy të tretat e popullsisë ruse. “Njëra palë është ajo që ndizet shpejt me temën e luftës dhe ka qëndrime radikale, si ndërhyrjen ushtarake apo prerjen e çdo lloj lidhjeje me perëndimin.” Pala tjetër është më e kujdesshme dhe pragmatike. Në këtë grup vërehen edhe ndryshimet më të mëdha në vitet e fundit, sipas Titkov.

Që “bonusi” i Krimesë nuk shkon më, u bë e qartë në verën e vitit të kaluar. Pas bërjes publike të reformës në pensione, e rritjen e moshës së pensionit, vlerat e popullaritetit të Putinit ranë ndjeshëm, tani ato kapin 64%. Por vetëdijësimi ka filluar, thonë ekspertët. “Numri i njerëzve që besojnë, se sanksionet vetëm dëmtojnë, filloi të rritej që në vitin 2014.” Kur autoritetet ruse, filluan të shkatërrojnë në vitin 2015 produktet e huaja të futura ilegalisht, kjo nuk u pëlqye nga rusët. Ata vazhduan të mbështesin politikën e jashtme të Putinit, por ndjenë në jetët e tyre, se gjendja po keqësohej.

Krimeja nuk është më temë

Etapa e re që ka filluar në shoqërinë ruse nuk ka ende ndonjë përcaktim të plotë, por tipare të qarta si zhgënjimi e rivlerësimi. Kremlini nuk ka gjetur ndonjë gjë tjetër që të zëvendësojë efektin e Krimesë. Një mënyrë për të rritur përkrahjen do të ishte lufta e ashpër kundër korrupsionit, “një skenar si në Kinë apo në Singapor”, thotë Aleksej Titkov. “Por pushtembajtësit aktualë nuk mund ta bëjnë këtë për arsye të ndryshme ose kufizohen në raste të caktuara e figura të padëmshme në shkallë vendi, si guvernatorë apo kryetarë bashkie.”

Së bashku me efektin Krime edhe debati për shoqëror për përkatësinë e gadishullit është shuar. Megjithatë ai nuk ishte asnjëherë një debat i gjerë. Shumica e rusëve e pranuan aneksimin si diçka të përfunduar. “Madje edhe opozita ka ndalur të flasë më për të”, thotë Konstantin Kaase nga Qendra Carnegie. Një nga kritikët më të njohur ishte edhe ish-zëvendëskryeministri rus, Boris Nemcov, që u vra në vitin 2015.

Në një kohë që çështja e përkatësisë së Krimesë është “një temë e dhimbshme dhe aktuale për sistemin e së drejtës ndërkombëtare”, sipas Gaase. Kjo hapësirë e tensionuar mund të kthehet në një nga problemet më të mëdha për shoqërinë dhe shtetin rus në 10 apo 20 vitet e ardhshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button