Bota

Presidenti kinez Xi Jinping 5 ditë në Europë: Do të vizitojë Italinë, Monakon dhe Francën

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang, njoftoi përmes një konference të rregullt shtypi se gjatë vizitave në Itali, Monako dhe Francë, presidenti Xi Jinping do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e tre vendeve për të nxitur më tej besimin politik reciprok dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kinës dhe tre vendeve.

Të hënën, Ministria e Jashtme e Kinës bëri me dije se me ftesë nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella, princi i Monakos Albert II dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, nga 21 deri më 26 mars presidenti kinez Xi Jinping do të bëjë vizita zyrtare në këto tre vende.

Në konferencën e shtypit, zëdhënësi tha se gjatë vizitës në Itali, presidenti Xi do të bisedojë respektivisht me homologun italian Mattarella dhe kryeministrin Giuseppe Conte.

Presidenti Xi do të takohet gjithashtu edhe me kreun e Senatit dhe atë të Dhomës së Deputetëve për të diskutuar mbi marrëdhëniet Kinë-Itali dhe Kinë-BE si dhe për të shkëmbyer mendimet mbi çështje me interes të përbashkët.

Geng u shpreh se gjatë vizitës në Monako, presidenti do të takohet me princin Albert II. Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti kinez në Monako prandaj ajo është e një rëndësie historike për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Për vizitën në Francë, zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se, Franca është vendi i parë i madh perëndimor që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

“Gjatë vizitës së tij në Francë, presidenti Xi Jinping do të zhvillojë bisedime me homologun e tij Macron dhe do të takohet me kryeministrin Edouard Philippe, kryetarin e Asamblesë Kombëtare dhe kreun e Senatit. Dy udhëheqësit do të shkëmbejnë thellësisht pikëpamjet mbi marrëdhëniet Kinë-Francë, Kinë-BE dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët. Vizita e presidentit Xi Jinping në Francë është vizita e tij e dytë shtetërore, pas vizitës pesë vjetë më parë. Kjo vizitë përkon me 55-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës dhe ka një rëndësi të veçantë për marrëdhëniet midis dy vendeve. Kina i kushton shumë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Francën nga një perspektivë strategjike dhe është e gatshme të punojë së bashku me palën franceze për ta shfrytëzuar këtë vizitë si një mundësi për thellimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë politik, për të hapur një të ardhme të re për bashkëpunimin pragmatik dhe shkëmbimet kulturore mes dy vendeve si dhe për t’i çuar në një nivel të ri marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button