Home / Kronika / Lleshaj në Portin e Durrësit: Në strukturën e policisë kufitare duhen bërë ndërhyrje të thella

Lleshaj në Portin e Durrësit: Në strukturën e policisë kufitare duhen bërë ndërhyrje të thella

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Durrës, ku ka zhvilluar një takim me strukturat dhe agjencitë që operojnë në Port, më i madhi në vend, me gati 40% të të ardhurave doganore.

Ai tha se në drejtim të sigurisë është bërë progres por se ka nevojë për ndërhyrje të thella. “Kemi bërë disa sondazhe ku shihet nevoja për ndërhyrje edhe më të thella”, deklaroi ministri Lleshaj.

“Qeveria shqiptare është angazhuar që në kuadër të përmirësimit në përgjithësi të shërbimeve, në kuadër të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, shoqëror, kulturor të vendit, t’i kushtojë një rëndësi të madhe portave të saj. Porti i Durrësit është porta kryesore në Shqipëri. Prej këtu lëviz rreth 40% e volumit të mallrave. Po kështu, po kaq përqind e të ardhurave që gjenerohen në nivelin e doganave shqiptare, kryhet përmes këtij porti dhe besoj që dalim në përfundimin, që në qoftë se këtu kalojnë rreth 40% e të mirave dhe një përqindje e problemit po ashtu kalojnë përmes këtij Porti”, tha Lleshaj.

Ai deklaroi se nevoja për përmirësim në Portin e Durrësit është e jashtëzakonshme. “Me gjithë përmirësimet e bëra, të cilat mund të përcaktohen lehtësisht prej secilit prej nesh, i cili e ka frekuentuar këtë Port në cilësime të ndryshme, qoftë si udhëtar, qoftë si punonjës i shtetit konstatohet progres, por ama është po ashtu e rëndësishme të shënohet që nevoja për përmirësim është e madhe.
Problemi kryesor këtu në Portin e Durrësit ka të bëjë me faktin që duke qenë port i madh ka edhe shumë autoritete. Siç e shihni vetëm në këtë panel, janë një numër i konsiderueshëm drejtuesish të lartë, Drejtorësh të Përgjithshëm dhe paneli nuk i ka zënë të gjithë, sepse janë edhe disa drejtues të tjerë që nuk janë ulur në radhën e parë.
Do të thotë që kemi një numër shumë të madh autoritetesh, duke filluar nga Autoriteti Portual, nga Policia e Shtetit, nga AKU, Doganat dhe struktura të tjera, të cilat e bëjnë shumë kompleks menaxhimin e këtij Porti si një entitet të tërë”, u shpreh Lleshaj

Ai theksoi se nga nevoja, dhe detyra e Kryeministrit, është shtruar prej kohësh që Porti të arrijë në një nivel të lartë integrimi, që të funksionojë si një entitet i integruar, jo si disa entitete siç ka funksionuar prej shumë kohësh, por të funksionojë si një entitet i integruar, i cili funksionon, pra në bazë të një koncepti për një qëllim, me të njëjtat standarde, me të njëjta procedura, në mënyrë që të evitohen problemet e evidentuara në këtë Port, të cilat lidhen kryesisht me çështje që kanë të bëjnë me trafiqet, kontrabandën, me evazionin, por dhe me probleme që lidhen me sigurinë dhe nuk flas për sigurinë e brendshme të Portit, por me sigurinë e vendit.

“Kohët e fundit ne kemi bërë disa sondazhe të vogla, të cilat na kanë provuar faktin që ka nevojë dhe për sondazhe dhe për ndërhyrje më të thella. Më së fundmi, gjatë një kontrolli në strukturat e policisë kufitare kemi evidentuar probleme të rëndësishme, të cilat tregojnë që nevoja për ndërhyrje të thella në drejtim të përmirësimit të standardeve të funksionimit të të gjitha institucioneve që funksionojnë në Port është e lartë”, deklaroi ministri duke iu kërkuar drejtuesve kryesorë një panoramë të plotë të gjendjes.

Leave a Reply

%d bloggers like this: