Ekonomia

Miratohet kontrata, hapet rruga për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit

Këshilli i Ministrave miratoi sot nënshkrimin e kontratës së koncesionit për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e Aeroportit të Kukësit, për 35 vite.

Kështu deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Koncesioni i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli bashkimi i përkohshëm i operatorëve Global Technical Mechanics dhe Bami shpk. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar një proces negociimi intensiv me fituesit e tenderit. Kontrata u negociua dhe u dërgua për mendim institucioneve respektive. Mendime këto të dakordësuara dhe të reflektuara në kontratën përfundimtare të nënshkruar, e cila sot u miratua me vendimin e Këshillit të Ministrave, hyrja e saj në fuqi i hap rrugë ndërtimit të aeroportit të Kukësit”, theksoi Balluku.

Balluku sqaroi se kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 35 vite, kohëzgjatja e zbatimit të punimeve dhe afati i vënies në operim është 24 muaj, vlera e rehabilitimit të Aeroportit të Kukësit është rreth 8 milionë.

Sipas saj, nga zhvillimi i projektit ndërtues dhe më vonë në atë të zhvillimit të aktiviteteve në Aeroportin ndërkombëtar të Kukësit do të punësohen 220 persona.

Ndërkohë, vijoi ajo, nga përllogaritjet dhe kryqëzimi i të dhënave të projekteve të ngjashme mbështetur edhe në destinacionet e ndërtimeve që do te kryhen numri i punonjësve pritet të shkojë 12 mijë persona në fazën finale të realizimit të këtij projekti.

“Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha low cost, si Easy Jet, Pegasus, Ryanair, Vueling Airlines, etj. Ky aeroport parashikohet të ketë një fluks lëvizjesh rreth 300 mijë pasagjerë në vit, në rritje të ndjeshme sigurisht në vitet pasuese”, nënvizoi Balluku.

Ministrja Balluku theksoi se “synimi është që përmes çmimeve të ulëta dhe shërbimeve cilësore ky aeroport të shërbejë si pikë referimi në funksion të lëvizjes rajonale të udhëtarëve, veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia”.

Aeroporti i Kukësit, shtoi ajo, pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të zonës duke e kthyer atë në një hapësirë me mjaft interes për investime.

“Aeroporti është një tjetër premtim i mbajtur dhe tregues i qartë se qeveria do të vijojë të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese për të realizuar projekte strategjike dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Balluku.

“Procedura e ndjekur për realizmin e kësaj kontrate është mbështetur në ligjin 125 të vitit 2013 për koncesionet për Partneritetin Publik dhe Privat, i ndryshuar me VKM 575 të datës 10.7 2013, për miratimin e rregullave identifikimin, vlerësimin dhe dhënien e koncesioneve PPP të ndryshuar”, përfundoi Balluku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button