Kronika

Vritet Nardi i Bujtinave: Varfëria dhe ëndrra e prerë në mes, njihni Nardin e Thethit

Nard Polia, 35-vjeçari nga Thethi që u vra dje pasdiote në ora 16.30, në Grudë të Shkodrës ishte i njohur jo vetëm në zonën e tij, por edhe jashtë Shqipërisë, nga të gjithë ata turistë që kishin zgjedhur ndër vite të vizitonin bujtinën e tij “Polia” e hapur në vitin 2005. I njohur për të gjithë si Nardi i bujtinave, 35-vjeçari u qëllua me armë zjarri, ndërkohë që ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip fuoristradë. Polia është dërguar në spital ku dhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, Xhovan Mirashi, i cili eshte shoqeruar ne polici. Ai ishte në automjet me të e që mendohet te jete punëtor i servisit te makinave ku kishte çuar automjetin e tij për riparim. Pasi është larguar nga servisi, Polia është qëlluar me breshëri plumbash nga një person i cili është larguar me motor. Policia ka gjetur 20 gëzhoja plumbash në vendngajrje dhe një motor të djegur tek Ura e Mesit në Shkodër, i cili dyshohet se është përdorur nga autori që ka kryer vrasjen.

Ferdinand Polia kishte jetuar për shumë vite si emigrant në Itali dhe ishte kthyer në vend vetëm për të hapur bujtinën e tij. Jo pak herë, ai ka paraqitur shqetësimin lidhur me infrastrukturën në zonën e Thethit, ku kishte dhe bujtinën e tij të njohur me emrin Polia.

Në profilin në booking.com bujtina e tij paraqitet si mjaft e preferuar nga turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë lënë komente pozitive mbi të. Ferdinand Polia ka qenë punonjës i administratës së Zonave të Mbrojtura në parkun kombëtar të Thethit.

Përmes faqes në Facebook “Thethi National Park” ai reklamonte bukuritë natyrore të kësaj zone të mrekullueshme, ndërsa ndër vite s’ka nguruar të ngrejë zërin për problemet që e shqetësonin, që nga mungesa e infrastrukturës rrugore deri tek bllokimi i rrugëve të Thethit në dimër.

Polia është bërë shpesh pjesë e kronikave televizive në vend, ku denonconte mos ndërhyrjen e shtetit për t’ju ardhur në ndihmë. Me dëshirën e madhe dhe ëndrrën që Thethi do popullohet sërish, në një intervistë për mediat e huaja, ai rrëfen jetën e tij.

Djali i fortë e me muskuj, i kalitur për të përballuar jetën në mal shfaqet mbi makinën e tij Fuoristradë me goma të larta. Me këtë makinë ku sot i morën jetën, ai është bërë shpëtimtar i shumë turistëve që ngecnin mes botës.

Pikërisht mbi makinën e tij ai nis të rrëfejë kthimin në Thethin e dashur dhe pasionin e madh për ta zhvilluar këtë zonë.

“Unë kam lindur në Theth, jetesa këtu ka qenë shumë e vështirë, jena rrit shumë të varfër. Erdhi një kohë pas demokracisë në Shqipëri që Thethi u la pas dore, sepse njerëzit, banorët ikën. Këtu nuk kishte absolutisht të ardhura”,- thoshte ai.

“E kujtoj si sot kur kam ikur në vitin 1999 bashkë me familjen time në Shkodër. Ishte shumë e vështirë të jetoje këtu. Të gjithë shokët e mi me familjet kanë ikur ose në Shkodër ose jashtë shtetit. Mbaj mend që në 2005 jam kthyer përsëri në Theth kishte 5 familje nga 250 që ishin në 1995”,- thoshte Polia në rrëfimin e tij.

Por ndërsa vitet kanë kaluar, Polia shprehte gëzimin që Thethi aq i dashur për të kishte filluar të kthehej në një atraksion turistik.

“Thethi sot është bërë një atraksion shumë i bukur në Shqipëri dhe shumë i preferuar për turistët në Shqipëri dhe jashtë saj. Është natyra më e virgjër, ndër parqet kombëtare më të rëndësishme është edhe zonë e mbrojtur. Kemi fatin se këtu gjithçka ka mbetur si më përpara. Do mundohemi ta ruajmë sa më autentik Thethin, me bukurinë, kulturën, traditën dhe historinë e tij”,- thoshte Polia.

Nëse pasditen e djeshme s’do t’i kishin bërë atentat, Polia do ta zhvillonte edhe më tej bujtinën e tij. Emri i Thethit do dëgjohej më shumë nëpër botë, për kulturën, bukurinë dhe traditën e ruajtur ashtu siç kish ëndërruar që ditën kur ai u kthyer në vendlindje!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button