Home / Sporti / “Lumë” golash në Europë. Fitojnë Italia e Spanja, befasohet Zvicra

“Lumë” golash në Europë. Fitojnë Italia e Spanja, befasohet Zvicra

Kualifikueset e Europianit 2020 dhuruan një festival të vërtetë golash në ndeshjet e kësaj të marte. Në 8 stadiume anembanë kontinentit, portierët u detyruan të nxjerrin në plot 32 raste topin nga rrjeta, ndërsa pretendentët kryesorë nuk gabuan.

Zvicra barazoi 3-3 ndaj Danimarkës, në një ndeshje të çmendur në stadiumin e Bazelit. Helvetët kaluan në avantazh të trefishtë, por shpërdoruan gjithçka, duke u barazuar në mënyrë dramatike.

Spikati në këtë përballje mesfushori Granit Xhaka. Kapiteni i formacionit helvet ishte autor i një goli të bukur në “St. Jakob Park” me një goditje që mposhti Schmeichel, ndërsa rrjetat e tjera të vendasve erdhën nga Freuler dhe Embolo.

Plot 10 vite pas golit të tij të fundit me kombëtaren, Fabio Quagliarella shënoi sërish me fanellën e Italisë, duke kontribuar në suksesin e lehtë kundër Lichtensteinit. Me dy penallti të sakta, sulmuesi u bë futbollisti më i vjetër që shënon me “të kaltrit”, duke kulmuar një sezon mbresëlënës.

Italia shkatërroi 6-0 rivalët modestë në një 90-minutësh që vendasit e kthyen në seancë stërvitore, e madje mbyllën sfidën në inferioritet numerik. Malta rezultoi gjithashtu një rival modest për pretendimet e Spanjës, pasi ishullorët iu dorëzuan dy golave të Alvaro Moratës, në disfatën 0-2. Iberikët mbajnë kështu kreun e grupit F.

Barazim elektrizues 3-3 edhe në derbin nordik mes Norvegjisë dhe Suedisë, që ndanë nga një pikë. Avantazh i dyfishtë nga Norvegjia, para se suedezët të përmbysnin me plot 3 gola, por nuk ishte e thënë të mbyllej me kaq. Në minutën e 7 shtesë, Kamara i dha emocionet e fundit tifozëve fatlumë në “Uleval Stadion” të Oslos.

Leave a Reply

%d bloggers like this: