Kronika

Lleshaj takon homologun francez në Paris: Shqipëria, vend i sigurtë origjine

Shqipëria dhe Franca do të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në përfundim të takimit me homologun e tij francez, Christophe Castaner, në Ministrinë e Jashtme dhe drejtues të Policisë Kombëtare dhe Xhandarmërisë franceze, gjatë një prononcimi për mediet u shpreh se bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme të Francës dhe të Shqipërisë është në nivel të shkëlqyer, ashtu siç u konfirmua edhe nga ministri francez

“Patëm rastin të bëjmë një bilanc të bashkëpunimit të deritanishëm në tërësi dhe të hedhim piketat për thellimin e tij në të ardhmen. Ky bashkëpunim do të njohë një intensifikim dhe shtrirje të gjerë dhe shpresoj që takimin e ardhshëm, që do të zhvillojmë me ministrin francez, në një vizitë të tij të shpejtë të ardhshme në Tiranë, do të kemi mundësinë që ta thellojmë më tej atë që kemi nisur sot”, tha Lleshaj.

“Me rëndësi të veçantë trajtuam edhe çështjen e emigracionit të paligjshëm. Konstatuam se kjo ende mbetet një çështje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy palëve. Fatkeqësisht ekziston ende një numër shqiptarësh që aplikojnë pa shpresë, por gjithsesi aplikojnë për marrjen e azilit në Francë”, shtoi ministri Lleshaj.

“Nga pala franceze dhe nga pala jonë u theksua që kushtet për kërkim azili në Francë nuk ekzistojnë. Shqipëria konsiderohet vend i origjinës së sigurt dhe shanset për marrjen e azilit në Francë janë pothuajse zero. Me këtë rast u zhvilluan edhe bisedime për ndërtimin e mekanizmave të caktuar në shërbim të parandalimit të këtij fenomeni”, vijoi Lleshaj.

“Takime dhe bisedime të rëndësishme zhvillova në disa institucione të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme në Francë.  Patëm takime me Policinë dhe Xhandarmërinë franceze ku diskutuam për rritjen dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve përkatëse të sigurisë franceze dhe shqiptare, për çështje të interesit të përbashkët si lufta kundër krimit të organizuar, kundër migracionit të paligjshëm, kundër trafiqeve si dhe për bashkëpunimin në interes të zhvillimit të kapaciteteve të reja të Policisë shqiptare dhe strukturave të tjera të sigurisë”, bëri të ditur Lleshaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button