Home / Kronika / Ministri holandez: Shqipëria në rrugën e duhur, vijoni Reformën në Drejtësi

Ministri holandez: Shqipëria në rrugën e duhur, vijoni Reformën në Drejtësi

“Vizita ime këtu në Tiranë, dje dhe sot, nuk ka pasur për synim që të isha juria që do vendoste për atë që do të ndodhë në qershor, por përgjigja ime është që ne duhet të presim për raportin e progresit të KE-së që do dalë në maj pasi është Komisioni Europian që ka monitoruar nga afër zhvillimet në Shqipëri. Të presim që të dalë raporti vjetor i Komisionit Europian dhe ne si qeveri do vendosim pasi të diskutojmë edhe në parlamentin tonë”.

Kjo ishte përgjigja e ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë të Mbretërisë së Holandës, Ferdinand Grapperhaus i pyetur në lidhje me qëndrimin e qeverisë së tij për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, në qershor të këtij viti.

Si një nga shtetet skeptike në lidhje me politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, Holanda zyrtarizon faktin se do të presë publikimin e progres-raportit të KE-së në maj për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në qershor, kur të diskutohet hapja e negociatave të pranimit të Shqipërisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Grapperhaus ka vlerësuar punën e qeverisë në lidhje me atë që e cilësoi ndërmarrje monumentale madhore, reformën në Drejtësi.

“Mund të them se nga të gjitha kontaktet që kemi pasur, unë e shoh që Shqipëria, qeveria e Shqipërisë po punon vërtet për këtë ndërmarrje monumentale, Reformën në Drejtësi, pasi unë vërtet e shoh kështu, e kjo tregon se qeveria është serioze për të arritur atë që ka thënë KE, se cilat janë standardet”, theksoi ai.

Duke theksuar se Holanda vijon që ta mbështesë të ardhmen Europiane të Shqipërisë, ministri u shpreh se “ne duam që ta ndihmojmë Shqipërinë që ajo të ecë përpara në një proces i cili është shumë shumë mbresëlënës kur i hedhim sytë gjatë 30 viteve të fundit, ajo që ka arritur Shqipëria është vërtetë mbresëlënëse si demokraci”.

Ai evidentoi faktin se “gjatë viteve të fundit janë marrë hapa shumë të rëndësishëm, ne e ndjekim këtë ecuri gjatë gjithë kohës. Institucionet e reja të drejtësisë po formohen”.

Holanda vazhdon ta mbështesë plotësisht të ardhmen Europiane të Shqipërisë. E inkurajoj qeverinë që të vijoj të tregojë rezultate të prekshme dhe të vazhdueshme në këtë proces. Do të flas me kolegët e mi në qeveri dhe mbresat e mëdha që më ka lënë Shqipëria”, tha ministri holandez.

Ministri holandez, Grapperhaus po ashtu vuri në dukje se mënyra e punës është e institucionalizuar. “Pata kënaqësinë të jepja një leksion tek shkolla e Magjistraturës, për 75 persona që do të jenë në tetor pjesë e shkollës së Magjistraturës. Ishte një mënyrë e mirë për të theksuar rëndësinë e institucionalizimit të sundimit të ligjit. Nuk ka të bëjë se një ditë të bukur gjërat do përmirësohen vetë apo që gjërat të jenë perfekte. Ka të bëjë me institucionalizimin e sundimit të ligjit dhe të Kushtetutës”, tha ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë,  Ferdinand Grapperhaus.

Leave a Reply

%d bloggers like this: