Opinion

NATO në epokën e Putinit dhe Trumpit

Nga David Reynold

Më 4 prill 2019, NATO kremton ditëlindjen e saj të 70-të. Megjithatë, komandanti i saj i parë suprem, Duajt Ajzenhauer, shpresonte që aleanca të mos i kalonte vitet 1950. “Nëse për 10 vitet e ardhshme”- i tha një miku të tij në shkurtin e vitit 1951, “të gjitha trupat amerikane të stacionuara në Evropë për qëllimin e mbrojtjes së kombeve atje, nuk do të jenë rikthyer në SHBA, atëherë ky projekt do të ketë dështuar!”.

Ajzenhauer këmbënguli se SHBA-ja “nuk mund të jetë një Romë moderne, që ruan i kufijtë me legjionet e saj”. Filozofia e tij ishte e ngjashme me atë të Pol Hofmanit, administratorit amerikan të Planit Marshall që thoshte:”Ta bëjmë Evropën të ecë me këmbët e saj!”.

Pse atëherë, ka qenë kaq e vështirë që Evropa të qëndrojë mbi këmbët e veta? Dhe pse Amerika, ka zgjedhur të mbajë Evropën mbi shpinën e vet gjithë kësaj kohe? Me NATO-n tashmë në moshën e pensionit, vlen të gjurmohet evolucioni i aleancës gjatë Luftës së Ftohtë, dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

E gjitha nisi si një traktat, dhe jo si një aleancë. Ky dallim, shpesh i injoruar, është i rëndësishëm. Administrata Truman, shpresonte që ndihma e Planit Marshall, do të rikthente prosperitetin dhe vetëbesimin e Evropës Perëndimore përballë kërcënimit komunist, si nga Bashkimi Sovjetik, ashtu edhe nga partitë komuniste perëndimore, veçanërisht në Itali dhe Francë.

Nënshkrimi i Traktatit të Atlantikut të Veriut, ishte në fakt një revolucion në politikën e jashtme të SHBA-së. Ajo reflektoi jo vetëm gjendjen alarmante të marrëdhënieve sovjetiko-amerikane në vitet 1948-1949, por edhe ndryshimin e mendësisë zyrtare amerikane. Kapitullimi i Francës dhe sulmi ndaj Pearl Harbor, i bindi politikëbërësit amerikanë, se në epokën e lindjes së fuqisë ajrore, Shtetet e Bashkuara nuk ishin më të sigurta pas barrierave të tyre tradicionale oqeanike, dhe më në veçanti, se ajo duhet të luante një rol aktiv në punët e Evropës.

12 nënshkruesit origjinalë – Amerika, Kanadaja dhe 10 shtete të Europës Perëndimore – ranë dakord ta trajtonin një sulm ndaj njërit anëtar, si një sulm mbi të gjithë:parimi i sigurisë kolektive, i mishëruar në nenin 5 të Traktatit. Por secilit shtet, iu lejua ta “ndërmerrte një veprim të tillë, nëse e quan të nevojshme” respektimin e këtij detyrimi:pra nuk ishte një zotim automatik për të përdorur forcën.

Ajo që ndihmoi për ta shndërruar Traktatin në një aleancë ushtarake, ishte Lufta e Koresë. Pushtimi i Koresë së Jugut nga Veriu në qershorin e vitit 1950, u njoh si diçka që Stalini duhet ta kishte autorizuar dhe mbështetur. Pati një frikë, se rradhën mund ta kishte Evropa Perëndimore. Në atë kohë, SHBA-ja kishte në Evropë vetëm 2 divizione ushtarake.

Pas një debati të madh politik gjatë dimrit të viteve 1950-51, Shtetet e Bashkuara vendosën të angazhojnë 4 divizione luftarake në Evropën Perëndimore, dhe të ngrenë një strukturë të përshtatshme komanduese nën një Komandant Suprem të Forcave Aleate të Europës – i cili do të ishte gjithmonë një amerikan.

Në këmbim të këtij angazhimi të pashembullt, për paqen në Evropë dhe sigurinë e Evropës Perëndimore, administrata e Trumanit kërkoi që edhe aleatët të bënin diçka më shumë. Në veçanti, ajo kërkoi riarmatim të Gjermanisë Perëndimore, por kjo ishte një anatemë për francezet pas 3 luftrave të tmerrshme kundër gjermanëve në 80 vjet:1870, 1914 dhe 1939.

Debati mbi këtë çështje u zvarrit për 4 vjet, dhe u dëshmua si një moment vendimtar për marrëdhëniet transatlantike. Një mundësi ishte të zbatohej për mbrojtjen evropiane, logjika integruese e Planit Shuman të vitit 1950, që përfundimisht i hapi rrugën krijimit të Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut, dhe më pas Komunitetit Ekonomik Evropian (EEC), që u krijua më 1958.

Por ideja një Komunitet Evropian i Mbrojtjes (EDC) u bllokua në vitin 1954 në Asamblenë Kombëtare të Francës, nga një aleancë mes golistëve dhe komunistëve. Në fund, riarmatimi i Gjermanisë Perëndimore vazhdoi me kushtin që forcat e saj të armatosura, të ishte tërësisht i dedikuar për NATO-n, në një kohë që eleminoi të gjitha armët e saj atomike, biologjike dhe kimike.

Republika Federale, u pranua zyrtarisht në NATO në majin e vitit 1955. Sovjetikët u kundërpërgjigjën, duke formuar me satelitët e tyre Organizatën e Traktatit të Varshavës. Gjatë Luftës së Ftohtë NATO, përjetoi dy kriza të brendshme. E para u shkaktua nga presidenti francez Sharl de Gol.

Me synimin për të rindërtuar madhështinë e vendit pas disfatës poshtëruese të vitit 1940, ai sfidoi dominimin amerikano-britanik të aleancës, dhe kur u kritikua, e nxorri gradualisht Francën nga komanda ushtarake e NATO-s. Dhe pastaj në marsin e 1966-ës, De Gol i kërkoi presidentit amerikan Lindon Xhonson që deri në prillin e 1967-ës, të gjitha trupat amerikane dhe ato të NATO-s, duhej të tëhiqeshin nga Franca.

NATO e përfundoi tërheqjen brenda vitit, duke zhvendosur selinë e saj nga Versaja në Mons të Belgjikës. Kriza e re e brendshme e aleancës, u përqendrua më shumë në Republikën Federale të Gjermanisë. Nga fundi i viteve 1970, udhëheqësit e NATO-s kishin frikë nga vendosja e raketave të reja sovjetike me rreze të ndërmjetme SS-20 në Evropën Lindore.

Në kundërpërgjigje, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të vendosnin armë të reja të SHBA-së në Evropën Perëndimore. Vetëm 4 nga 12 anëtarët evropianë të aleancës, qenë të gatshme të pranonin raketat, kryesisht për shkak të protestave të brendshme. Opinioni gjerman ishte veçanërisht shumë i ndarë, dhe presionet e rrëzuan qeverinë e koalicionit të kancelarit Helmut Shmidt, arkitekti kryesor europian i “politikës së strategjisë së dyfishtë”.

U deshën dy liderë konservatorë të fortë – Helmut Kol në Gjermani dhe Margaret Theçër në Britani, që raketat të vendoseshin në këto 2 vende në vitin 1983. Zbatimi i suksesshëm i strategjisë së dyfishtë në fillim të viteve 1980, ndihmoi në ruajtjen e unitetit të NATO-s.

Por, ç’mund të thuhet për prioritetin kryesor:frenimin e rusëve? Kur Pakti i Varshavës u shkatërrua, NATO foli për shndërrimin e vetvetes në më shumë se sa një “organizatë politike”. Deklarata e saj në Londër në korrikun e 1990, foli për ndërtimin e “partneriteteve të reja, me të gjitha kombet e Evropës”.

Në atë pikë, nuk kishte një debat publik rreth zgjerimit të NATO-s, përtej marrëveshjes që ish-Gjermania Lindore do të bëhej pjesë e zonës së NATO-s, sapo të inkorporohej në Republikën Federale. Gjatë negociatave të vështira rreth bashkimit gjerman, Gorbaçovi nuk arriti të këmbëngulte për ndonjë angazhim të detyrueshëm, sipas të cilit NATO nuk do të zgjerohej drejt lindjes.

Pas kolapsit sovjetik, kjo çështje u bë urgjente gjatë presidencës së Bill Klintonit në SHBA. Por prioriteti i Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit, ishte mbështetja e procesit të brishtë të reformave në Rusi, dhe ndihma për rizgjedhjen e Boris Jelcinit në vitin 1996.

Akti balancues i Uashingtonit, u pasqyrua në ofertën e statusit të Partneritetit për Paqe për anëtarët aspirantë në vitin 1994, dhe krijimin e një Këshilli të Përhershëm të Përbashkët midis NATO-s dhe Rusisë në vitin 1997. Por pranimi i Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke në 50 vjetorin e NATO-s në prillin e 1999-ës, u perceptua në Moskë, si një sfidë ndaj statusit të Rusisë si një fuqi e madhe.

Edhe më e urryer për Kremlinin, ishte pranimi i 7 shteteve të tjera të Europës Lindore në vitin 2004, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë – të cilat ishin aneksuar me forcë në BRSS prej vitit 1940 deri në 1991.

Vladimir Putin – pasardhësi i Jelcinit që nga viti 2000 – nuk bëri asnjë protestë të zëshme, dhe Rusia vazhdoi të merrte pjesë në aktivitete të ndryshme partnere me NATO-n, të tilla si stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Në fakt, Putini po përpiqej të punonte ngushtë me Xhorxh Bushin në “Luftën kundër Terrorit”, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Ai shpresonte të rindërtonte statusin e fuqisë së Moskës, dhe të siguronte një dorë të lirë pranë lagjes ruse. Nga 60 vjetori i saj në vitin 2009, NATO duket se e kishte fituar Luftën e Ftohtë, pa gjetur një rol të ri për veten. Dhe në vitin 2019, shumë komentues po pyesin nëse Lufta e Ftohtë u mbyll realisht apo jo, duke pasur parasysh konfrontimin në rritje me Rusinë e Putinit pas pushtimit prej tij të Krimesë dhe pjesëve të Ukrainës (partner i NATO-s); përpjekjet e tij të vazhdueshme për të destabilizuar shtetet baltike; dhe përdorimin e gjerë të sulmeve kibernetike, për të minuar proceset demokratike.

Putin do të testojë versionin e përditësuar të kontrollit të aleancës, por gjithashtu kërkon një kapacitet të dyfishtë për dialog – në mënyrë që të përfitojë nga fakti që shoqëria ruse, nëse jo politika e saj, ka ndryshuar rrënjësisht nga Glasnosti i Gorbaçovit. Por mbijetesa e epokës së Trump, mund të jetë edhe më sfiduese.

Presidenti amerikan, ka folur në mënyrë të përsëritur për largimin nga aleanca, dhe ditëlindja e 70-të e NATO-s në Uashington në muajin prill, është reduktuar qëllimisht në një ngjarje të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Ndërkohë, thirrjet e nëntorit të vitit 2018 nga Emanuel Makron dhe Angela Merkel, për një ushtri evropiane si “një plotësues për NATO-n”, janë pa ndonjë domethënie.

Ata nuk arrijnë të trajtojnë si çështjen bërthamore, ashtu edhe atë gjermane. Angazhimi i liderëve të NATO-s në vitin 2014, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes kombëtare në 2 për qind të PBB brenda një dekade, është arritur deri më tani nga vetëm 7 nga 29 vendet anëtare, me Gjermaninë që është një nga pengesat kryesore. Ndoshta sfida më e madhe e NATO-s në dekadën e saj të tetë nuk është frenimi i rusëve, por mbajtja e amerikanëve në gjirin e aleancës.

Marrë me shkurtime nga “New Statesman” 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button