Bota

Nato shënon 70 vjetorin në Uashington mes tensionesh transatlantike

Ministrat e jashtëm të NATO-s po mblidhen në Uashington, D.C këtë javë (3 dhe 4 prill) për të festuar 70 vjetorin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior. Presidenti Donald Trump e ka kritikuar aleancën, duke fajësuar vendet anëtare për mos-investime në mbrojtje dhe duke u mbështetur shumë tek Shtetet e Bashkuara. Vëzhguesit do të shohin nga afër se si aleanca do të përballojë stuhitë e brendshme në këtë përvjetor.

Presidenti Trump, i cili pret Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për bisedime në Shtëpinë e Bardhë të martën, i bëri të qarta pikëpamjet e tij për NATO-n gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke tronditur shumë në të dy anët e Atlantikut kur e quajti aleancën “të vjetëruar”.

Ai tha se ajo kishte humbur fokusin, ndërkohë që në mënyrë të përsëritur pretendoi se Shtetet e Bashkuara kishin mbajtur barrën më të madhe të kostos.

Shumica e ekspertëve të politikës së jashtme amerikane thonë se NATO-ja është një nga aleancat më të suksesshme ushtarake në histori dhe është larg të qënurit e padobishme.

“Aleanca ka shfaqur një aftësi për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve në të kaluarën, që nga rigjallërimi i Rusisë, tek menaxhimi i krizës në jug të krahut të NATO-s, si dhe në trajtimin e çështjeve të sigurisë kibernetike. Kështu që NATO-ja po përshtatet dhe aleatët po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen”, tha për Zërin e Amerikës, Mark Simakovsky, ekspert me Këshillin e Atlantikut.

Shpenzimet ushtarake kanë qenë një çështje thelbësore për presidentin Trump, i cili shpesh ka bërë presion ndaj aleatëve evropianë për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

“Të gjithë kanë rënë dakord të rrisin angazhimin e tyre në nivele që kurrë nuk është menduar më parë”, u tha presidenti Trump gazetarëve gjatë një samiti të NATO-s vitin e kaluar.

Sipas udhëzimeve të NATO-s shtetet anëtare duhet të shpenzojnë së paku dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në ushtri çdo vit. Por vetëm shtatë nga 29 shtetet anëtare arritën këtë nivel në vitin 2018. Disa ekspertë mendojnë se rregulli i dy përqindshit është shumë i rëndësishëm.

“Nuk po ja jep këto fonde dikujt tjetër, nuk po i vendos ato në një buxhet të NATO-s diku, por po i shpenzon për vete”, tha drejtori i Institutit McCain, Kurt Volker, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në NATO. “Ky është një demonstrim i angazhimit tuaj për sigurinë, që pastaj i jep NATO-s besimin se ky është një vend që ne mund ta ndihmojmë gjithashtu në mbrojtje, sepse janë të angazhuar për mbrojtjen e territorit të tyre”.

Ekspertë të tjerë bien dakort se shpenzimet e mbrojtjes janë të rëndësishme, por thonë se aleanca ka në themel të saj aftësinë e anëtarëve për t’i besuar njëri-tjetrit dhe presidenti Trump e ka dëmtuar atë besim.

“Kur një president amerikan vë në pikëpyetje vlerën e aleancës, armiqtë tanë në Moskë dhe në Pekin tani po pyesin nëse NATO-ja do t’u vinte në mbrojtje të disa kombeve më të vogla që presidenti i ka kritikuar ndoshta si jo të denja për t’u mbrojtur nga aleanca”, tha zoti Simakovsky. “Por unë nuk mendoj se në këtë samit administrata Trump do të njoftojë ndonjë largim të Shteteve të Bashkuara”.

Eksperti Simakovsky thotë se partnerët ranë dakord të ulnin takimet e Uashingtonit në nivel të ministrave të jashtëm për të shmangur rrezikun e sulmeve verbale nga presidenti Trump.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button