Home / Rajoni / Maqedonia / Akar në Shkup: Dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të forcojë lidhjet me NATO-n

Akar në Shkup: Dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të forcojë lidhjet me NATO-n

Ministri për Mbrojtje Kombëtare i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit në një takim nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Me këtë rast, para godinës së Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut u organizua një pritje solemne pas çka vijoi një takim mes dy ministrave por edhe mes delegacioneve të të dyja vendeve.

Në konferencën e përbashkët pas takimit me ministren Shekerinska, Akar tha se është i bindur se këto vizita të cilat realizohen nga Turqia në Maqedoninë e Veriut, vetëm se do të avancojnë raportet e mira mes dy vendeve.

“Për ne Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend shumë i rëndësishëm. Lidhjet historike dhe kulturore që kemi janë shumë të forta. Populli turk që jeton në Maqedoninë e Veriut dhe populli nga Maqedonia e Veriut që jeton në Turqi, janë kontribues për forcimin e marrëdhënieve tona të mira”, tha Akar për të shtuar:

“Ne, si Turqi me sinqeritetin tonë të plotë mund të themi se dëshirojmë paqe dhe stabilitet në të gjithë Ballkanin, me në ballë Maqedoninë e Veriut. Dua të theksoj se nuk jemi konkurues, por se do të jemi këtu gjithmonë që të mbështesim vendin tuaj”, tha ministri turk.

Akar nënvizoi se që nga viti 1992, Turqia me përvojën që ka, ka mbështetur vazhdimisht Maqedoninë e Veriut në fushat e mbrojtjes, ekonomisë dhe kulturës.

“Në çdo fushë përpiqeshim ta quajmë Maqedoninë ashtu siç ishte në kushtetutën e saj. Besojmë se ky problem tashmë është zgjidhur. Dëshirojmë që në të ardhmen Maqedonia e Veriut të forcojë lidhjet e saj me NATO-n. Ne mbështesim RMV në çdo aspekt”, tha Akar.

Ministri turk i Mbrojtjes, në deklaratën e tij tha se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është shumë i zhvilluar, duke informuar se rreth 1.200 pjesëtarë të armatës së Maqedonisë së Veriut janë trajnuar në institucionet arsimore në Turqi dhe se shumë pjesëtarë të armatës kanë kryer stërvitje në Turqi.

– “FETO saboton miqësinë dhe marrëdhëniet tona vëllazërore”

Ministri Akar foli edhe për luftën të cilën Turqia po e zhvillon kundër organizatave terroriste siç janë DEASH-i, PKK/YPG dhe FETO.

“Me të vërtetë jemi në një luftë të thellë kundër këtyre organizatave. Ne, si Turqi, do të vazhdojmë të luftojmë deri në asgjësimin e terroristit të fundit. Kemi respekt për integritetin territorial e të gjithë fqinjëve tanë, nuk kemi qëllime për të ndryshuar këtë integritet territorial, megjithatë secili duhet ta dijë se do të bëjmë të pamundrën për sigurinë e vendit tonë dhe pavarësinë e popullit tonë”, tha Akar.

Akar tha se ka struktura të caktuara të organizatës terroriste FETO që veprojnë në Maqedoninë e Veriut dhe se në këtë kontekst ka momente të reja.

“Besoj se në periudhën e ardhshme do të bëhen hapa konkret në mënyrë që të dyja shtetet të shpëtojnë nga kjo organizatë terroriste sepse po dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke sabotuar miqësinë tonë dhe marrëdhëniet vëllazërore që kemi”, tha Akar.

“Kemi emra të disa personaliteteve të mëdha, emrat e të cilëve u janë dhënë institucioneve të të dyja vendeve. Unë jam thellësisht i bindur se në ditët e ardhshme institucionet në Maqedoninë e Veriut do të marrin masa konkrete sepse u besoj institucioneve të këtij vendi”, përfundoi Akar.

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, nga ana e saj tha se nuk është fare rastësi që brenda javës kushtuar qëllimit strategjik, anëtarësimit në NATO, në vizitë vjen ministri turk i Mbrojtjes.

“Pjesa më e madhe e rrugës së NATO-s nëpër të cilën kemi ecur, është nga shkaku se Turqia na i hapi dyert”, theksoi Shekerinska, sipas të cilës me Turqinë na lidh miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë në të gjitha fushat dhe kjo për dekada të tëra.

Këto lidhje, tha Shekerinska, janë të forta sidomos në sektorin e mbrojtjes, për çka dëshmojnë vizitat e ndërsjella të ministrave të Mbrojtjes.

Ajo rikujtoi se më 5 shkurt të këtij viti, hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar për bashkëpunim financiar ushtarak midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, që është shumë e rëndësishme, sepse me të, vendi fillon procesin e modernizimit të ushtrisë së saj.

Shekerinska gjithashtu iu referua bashkëpunimit të suksesshëm në misionet e huaja paqeruajtëse, siç është misioni në Afganistan.

“Dëshiroj të shpreh falënderimin tonë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë vendit në procesin e nënshkrimit të Protokollit për anëtarësimin në NATO që për ne ishte shumë e rëndësishme dhe e dobishme”, tha Shekerinska, e cila tha se shpreson që Turqia në një të ardhme të ratifikojë në Parlament Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, gjë të cilën tashmë e kanë bërë nëntë shtete.

“Turqia nuk është një fqinji i ynë i drejtpërdrejt, nuk ndajmë kufirin, por Turqia gjithmonë është sjellë më shumë se një fqinj. Ishte këtu kur vendi ynë kishte nevojë për ndihmë dhe mbështetje dhe nuk e harrojmë këtë”, theksoi Shekerinska.

Në takimin me Shekerinskën, Akar u shoqërua edhe nga ambasadorja e Turqisë, Tulin Erkal Kara, ndërsa gjatë qëndrimit në Shkup, Akar u takua edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: