Ekonomia

Banka hungareze OTP hyn zyrtarisht në tregun shqiptar, synon zgjerim të mëtejshëm

Banka hungareze OTP, e cila hyri në tregun shqiptar pas blerjes 100% të aksioneve të Societe Generale, është prezantuar sot zyrtarisht. Në një konferencë për shtyp, Dr. Sándor Csányi, Kryetar dhe Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank, u shpreh i kënaqur që 15 vjet pas tentativës së parë, kur ata nuk arritën të blejnë Bankën e Kursimeve (sot Raiffeisen) arritën që të finalizonin një transaksion në Shqipëri.

“Kemi blerë një bankë të madhe të fuqishme”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria është një nga ekonomitë që ka dinamikë të fortë zhvillimi. “Do mundohemi të jemi pjesë organike në ekonominë shqiptare”, pohoi ai, duke shtuar se kthimi nga investimi parashikohet brenda një periudhë 5 vjeçare.

Dr. Csányi  nuk i fshehu ambiciet për të rritur peshën e tregut dhe për t’u bërë një nga bankat më të fuqishme në Shqipëri edhe përmes blerjeve të tjera, ndonëse shtoi se për momentin nuk ka ndonjë plan konkret. “Jemi në dorë të këshillave të stafit shqiptar. Nuk duam medoemos të blejmë një tjetër por do varet nga rrethanat”.

Bledar Shella, drejtori i OTP-së në Shqipëri tha se banka është rritur në vite dhe tashmë është e pesta më e madhja në treg. “Strategjia jonë do marrë një hov të ri. Do jemi në fazë rritje dhe përmirësimi. Do rrisim kredinë, do hapim degë te reja, do investojmë në dixhitalizim”, shtoi ai.

Dr. Csányi tha se banka do të ketë projekte të fuqishme financimi. Nisur nga përvoja e OTP në Hungari, banka ka interes për investime në bujqësi, në industri, në fushën e prodhimit të bukës  etj., “por duam të krijojmë dhe treg për biznesin hungarez në Shqipëri”, tha ai.

Banka u ble për më pak se 40 milionë euro

Zyrtarisht aksionerët e rinj të bankës nuk e bënë të ditur se sa ishte çmimi i blerjes nga francezët e Societe Generale dhe një grup sipërmarrësish shqiptarë që zotëronin rreth 11% të aksioneve.

Por, jo zyrtarisht mësohet se çmimi i blerjes ishte më pak se 40 milionë euro, ose rreth 0.5-0.6% e kapitalit. Ky çmim është shumë më i ulët sesa ai me të cilin francezët e Socete Generale hynë në Shqipëri në vitin 2017-n, kur e blenë 89% të aksioneve të Bankës Populliore nga një grup sipërmarrësish shqiptare me një çmim që ishte 3-4 herë mbi kapitalin. Por në atë kohë tregu ishte në rritje të shpejtë dhe shumë ndryshe në raport me sot, kur shumë banka duan të dalin nga tregu.

Blerësi OTP Bank Group, me zyra qendrore në Hungari, është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare të pavarura në Europën Qendrore dhe Lindore, me një gamë të gjerë shërbimesh bankare për individët privatë dhe klientët e korporatave. Grupi OTP përfshin banking, dhënie shërbimesh në fushën e sigurimeve, pasurive të paluajtshme, factoring, leasing dhe menaxhim të aseteve, fondeve të investimeve dhe pensioneve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button