Bota

Senati amerikan mbështet ndalimin e shitjes së avionëve F-35 Turqisë

Ligjvënësit amerikanë të të dyja partive miratuan të martën vendimin e administratës Trump për të ndalur dërgimin e pajisjeve të avionit luftarak F-35 Turqisë, pas vendimit të Ankarasë për të blerë një sistem raketor tokë – ajër. Vendimi është ndoshta një hap i parë për të mos i shitur Turqisë aeroplanët e padiktueshëm nga radarët.

“Nëse Turqia kalon me sistemin rus, nuk ka asnjë mënyrë që ne të justifikojmë trajnimin e pilotëve turq me avionët F-35 dhe dërgimin e dy prej tyre”, tha kryetari i komisionit të Senati për ushtrinë, republikani James Inhofe i Oklahomës.

“F-35 dhe sistemi rus i raketave nuk mund të ekzistojnë së bashku. Nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha senatori demokrat Joe Manchin i Virgjinias Perëndimore, i cili gjithashtu shërben në komision.

Të dy senatorët folën me Zërin e Amerikës pak para se Komisioni të dëgjonte kandidatin e presidentit Donald Trump për postin e Komandantit të lartë të NATO-s, gjenerali i Forcave Ajrore, Tod Wolters.

“Unë pajtohem me besimin e këtij Komisioni se S-400 (sistemi raketor rus) dhe F-35 nuk janë të pajtueshme dhe nëse Turqia vazhdon rrugën për të blerë dhe operuar S-400, ajo nuk duhet të marrë F-35”, tha gjenerali Wolters.

Javën e kaluar, ministri i jashtëm i Turqisë ripohoi angazhimin e vendit të tij për një marrëveshje me Moskën për të blerë S-400, një sistem që Uashingtoni beson se mund të rrezikojë F-35, një avion luftarak i pakapshëm nga radarët. Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se marrja e këtyre dy sistemeve të SHBA dhe Rusisë nga Turqia në fund të fundit mund të ndihmojë Moskën për të gjetur mënyra për të diktuar F-35n dhe për të fituar qasje në teknologjinë ushtarake të avancuar amerikane.

“Ne nuk mund të lejojmë që teknologjia e avionëve F-35 të bjerë në duart e rusëve dhe armiqve tanë,” i tha Zërit të Amerikës senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

Senatorja Shaheen dhe tre senatorë të tjerë kanë paraqitur legjislacionin që ndalon transferimin e F-35 në Turqi derisa administrata Trump të verifikojë se Ankaraja nuk do të pranojë marrjen e sistemit të mbrojtjes ajrore.

“Do të ishte më mirë nëse do të ishim në gjendje që t’i bindnim të mos blinin sistemin S-400”, tha senatori republikan i Dakota Jugore, Mike Rounds, për blerjen e planifikuar të Turqisë.

Çështja ndërlikohet edhe nga roli i Turqisë në procesin e montimit të avionit F-35, që prodhohet nga gjiganti i mbrojtës Lockheed Martin.

“Disa pjesë të F-35s prodhohen në Turqi, kështu që ne duhet t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë,” tha senatori demokrat Tim Kaine i Virxhinias. “Ne duhet të maksimizojmë përpjekjet tona për të arritur në Planin A, që është mosblerja nga Turqia e sistemit rus”.

Senatori Inhofe sugjeroi që roli i Turqisë në prodhimin F-35 mund të zëvendësohet nga ndonjë vend tjetër.

“Në një rast, firma Lockheed Martin tha se “nuk i bëjmë dot avionët F-35 pa Turqinë. Por ne gjetëm se kjo nuk ishte e vërtetë,” tha senatori Inhofe, kryetar i Komisionit për çështjet e mbrojtjes.

Pentagoni konfirmon pohimin e senatorit Inhofe.

“Departamenti i Mbrojtjes ka filluar hapat e nevojshëm për të siguruar planifikim të kujdesshëm të programit dhe elasticitetin e procesit të prodhimit dhe montimit të F-35”, tha zëdhënësi i Shefit të Pentagonit Charles Summers. “Jemi duke gjetur burime të dyta furnizimi për pjesët e prodhuara nga Turqia”.

Mosmarrëveshja mbi sistemet ushtarake është një nga disa pika të tensioneve që kanë lindur vitet e fundit midis Uashingtonit dhe Ankarasë.

“Turqia është një aleate e NATO-s, por kemi shumë çështje të ndryshme me ta, që nga mbështetja jonë për kurdët në Sirinë veriore, të cilët kanë qenë një forcë efektive luftarake kundër ISIS”, i tha senatori Tim Kaine Zërit të Amerikës.

Senatori shtoi: “Gjithashtu, ne nuk do të kishim mundur të vazhdonim me sukses luftën kundër ISIS pa përdorur bazën turke të Incirlikut. Pra, ata kanë qenë aleatë mbështetës në shumë aspekte”.

I pyetur se si ai do ta karakterizonte Turqinë si një aleate të SHBA, senatori Manchin tha, “Me shumë kujdes. Do ta vija atë në të njëjtën kategori me Pakistanin (një aleat i rëndësishëm i SHBA jashtë NATO-s)”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button